Një reformë gjithëpërfshirëse ligjore në fushën e marrëdhënieve të punës parashikohet të nisë gjatë vitit 2026. Aktualisht, nga njëra anë mungon fuqia punëtore, ndërsa nga ana tjetër vazhdon të ekzistojë një numër i konsiderueshëm i të papunëve. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në Maqedoninë e Veriut arriti në 11,5% në tremujorin e tretë të vitit 2025, që paraqet rritje prej 0,4% krahasuar me tremujorin paraprak. Megjithatë, në baza vjetore, papunësia shënon rënie prej 6,7%. Shqetësim serioz mbetet numri i lartë i punëtorëve të paregjistruar. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, numri i personave që punojnë në ekonominë informale ka arritur në 100.619, çka tregon për një problem të thellë strukturor në tregun e punës dhe ndikimin negativ të ekonomisë gri.
Struktura e të papunëve tregon se 62,4% janë burra, ndërsa 37,6% gra. Këto shifra theksojnë nevojën për masa urgjente për uljen e papunësisë dhe formalizimin e vendeve të punës, përmes forcimit të mbikëqyrjes inspektuese dhe krijimit të kushteve më të favorshme për punësim formal.
Punëtorët e sektorit formal gëzojnë mbrojtje më të madhe ligjore dhe përfitojnë nga pagesa e kontributeve për pension, sigurim shëndetësor dhe invaliditet. Në të kundërt, sektori informal karakterizohet nga produktivitet i ulët, mungesë sigurie dhe përfitime minimale sociale. Në Strategjinë e Ministrisë së Financave theksohet se një nga arsyet kryesore të informalitetit është toleranca e lartë shoqërore ndaj tij. Pavarësisht konkurrencës së padrejtë që u bëhet, bizneset formale shpesh bashkëpunojnë me subjekte informale si furnizues, duke bërë që një pjesë e madhe e ekonomisë të operojë paralelisht në të dy sektorët.
Autoritetet vlerësojnë se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë ndryshime në disa ligje kyçe, përfshirë Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, Ligjin për Sigurimin e Punësimit dhe Papunësisë, si dhe Ligjin për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve të Punës. Qëllimi, sipas tyre, është forcimi i mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe harmonizimi me direktivat evropiane.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaroi se një pjesë e ligjeve do të jenë krejtësisht të reja, ndërsa të tjerat do të përshtaten me standardet e BE-së. Presim një përmirësim të ndjeshëm të kornizës ligjore në fushën e së drejtës së punës, gjë që do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të punëtorëve”, tha Risteski.
Profesori i së drejtës së punës, Lazar Jovevski, thekson se shumë nga ligjet ekzistuese janë tejkaluar dhe kërkojnë ndryshime thelbësore.
“Ne kemi mbi 100 mijë persona në ekonominë gri. Duhet të punohet seriozisht në forcimin e dialogut social dhe përfshirjen e partnerëve socialë në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me pagat, kompensimet dhe të drejtat e punëtorëve”, thekson Jovevski.
Sipas tij, shteti po përgatit edhe një ligj të ri që do t’u mundësojë punonjësve të pavarur të paguajnë vetë kontributet pensionale, mbi një bazë minimale të lidhur me pagën minimale, duke u krijuar mundësinë për stazh pune dhe të drejtë pensioni.
Ligji aktual për Marrëdhëniet e Punës, i miratuar në vitin 2005, konsiderohet i vjetruar dhe shpesh jofunksional, pasi është ndryshuar dhe plotësuar 28 herë. Sindikatat dhe bizneset pajtohen se miratimi i një ligji të ri ka mbetur për vite me radhë në sirtarë.
Një nga problemet më të mëdha lidhet me kontratat me afat të caktuar, të cilat aktualisht mund të zgjasin deri në pesë vjet me anekse të pafundme. Kjo ka krijuar hapësirë për abuzime, veçanërisht ndaj grave të reja, kontratat e të cilave shpesh ndërpriten gjatë shtatzënisë. Sindikatat propozojnë kufizimin e kontratave me afat të caktuar në dy vjet, pa mundësi aneksimi të pafund, si dhe kufizimin e numrit të anekseve gjatë kësaj periudhe.
Partia “E Majta” ndërkohë ka paraqitur në Parlament propozim për ndryshime ligjore lidhur me rimbursimin e shpenzimeve të transportit të punëtorëve, duke kërkuar që kjo e drejtë të mos mbetet në vullnetin e punëdhënësit, por të jetë e garantuar me ligj. Sipas iniciativës, kjo do të stimulonte punëdhënësit të organizojnë transport për punëtorët, duke shmangur paqartësitë dhe arbitraritetin e zgjidhjes aktuale ligjore. /Koha/
Mihajllova pretendon se procedura ndaj saj ndryshoi pasi u deklarua si bullgare
Iva Mihailova nga Koçani, e cila kërkohet me fletarrest ndërkombëtar pas arratisjes në Bullgari ndërkohë që po gjykohej…






