Rreth 40% e nxënësve në RMV ndjehen të bullizuar!

    Anketa e Këshillit Komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në Kumanovë në fund të vitit të kaluar ka treguar se në shkollat fillore ka rritje të dhunës mes bashkëmoshatarëve, pasi nga gjithsej 840 nxënës të anketuar, 318 kanë raportuar bullizëm. Sipas kryetares së këtij Këshilli, Lila Mlladenovska, menjëherë pas zbulimit të rritjes së dhunës mes bashkëmoshatarëve, nga drejtoria e Arsimit janë dhënë udhëzime për marrjen e masave aktive nga shërbimet profesionale nëpër shkolla.

    “Edhe ne si Këshill kemi drejtime se ku duhet të kemi më shumë vëmendje dhe të organizojmë punëtori dhe ligjërata në shkolla të veçanta”, theksoi Mlladenovska duke ju bërë apel prindërve për përfshirje aktive pasi ka nevojë të madhe për angazhimin e tyre.

    “Ndonëse prindërit janë të zënë me punë dhe obligime personale ata janë më të rëndësishmit në vërejtjen e një ndryshimi në sjelljen e fëmijës së tyre, njohjen me kohë dhe parandalimin e çdo sjelljeje devijuese, natyrisht, në bashkëpunim me shkollat, departamentin për parandalim në SPB Kumanovë, si dhe këshillat komunal për këtë qëllim. Ata gjithmonë mund të flasin me stafin pedagogjik dhe shërbimet profesionale që situata të mos përshkallëzohet dhe të mos ndodhin pasoja të padëshiruara”, u shpreh ajo. Nga ana tjetër, praktika ka treguar se prindërit nuk janë të interesuar për bashkëpunim me Këshillin Komunal.

    “Në shkollën ‘Krste Misirkov’ nga 207 prindër të fëmijëve të klasave të 7-ta dhe 8-ta, kanë ardhur vetëm 10, gjë që tregon se prindërit nuk janë të vetëdijshëm për gjithçka që ndodh në shkolla dhe përreth. Prandaj bëjmë apel për përfshirjen e të gjithë prindërve në luftën kundër çdo lloj dhune, pasi shifra prej 40% e dhunës është një përqindje e madhe”, tha Valentina Mlladenovska, këshilltare nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar më tej se ata besojnë se shifra është edhe më e lartë pasi jo gjithmonë sondazhet tregojnë shifrën e saktë.

    “Kjo nuk është shqetësuese, është jashtëzakonisht alarmante”, u shpreh ajo. Disa nga këshilltarët besojnë se kjo duhet të rregullohet me ligj dhe prindërit e fëmijëve të sanksionohen për bullizëm, pasi sipas tyre, dhuna mes bashkëmoshatarëve është rezultat i edukimit të keq apo të papërshtatshëm. Drejtuesi i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kumanovës, Aleksandër Jovanoviq, thotë se tashmë është mbajtur takim me drejtorët e të gjitha shkollave, dhe ju janë dhënë udhëzime se si të veprohet, ndërsa në shkollat ku ka më shumë raportime për dhunë janë mbajtur takime edhe me prindërit dhe u është prezantuar situata, dhe pasi fëmijët të kthehen në shkolla do të organizohet punëtori për zgjidhjen e këtij problemi.

    “Më shumë raportime për bullizëm ka në shkollat më të mëdha të qytetit dhe sigurisht që situata është shqetësuese. Por ajo që nuk saktësohet në sondazh është se a bëhet fjalë për dhunë në shkolla apo jashtë tyre, pra nëse bëhet fjalë për sulm kibernetik. Prandaj, në periudhën e ardhshme, bashkë me Këshillin do të bëjmë një hulumtim të tillë për të parë nëse bullizmi po ndodh në objektet tona apo në grupet e internetit në të cilat fëmijët janë anëtar dhe ne nuk kemi më autoritet për të vepruar dhe kontrolluar atje”, theksoi Jovanoviq. Anketa është kryer në të gjitha shkollat fillore dhe ka përfshirë nxënës nga klasa e gjashtë dhe në klasë të nëntë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çarshia e Shkupit po mbetet pa zejtarë!

    Lajmi i rradhës

    Ka gjasa që të ketë masa të përkohshme kundër Izraelit nga GjND-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë