Ujërat në Dibër janë të pastra, një oazë freskie për pushuesit

    Tani që jemi në sezonin e verës dhe temperaturat e larta i “luftojmë” duke u freskuar në ujëra, informatat zyrtare nga Enti për Shëndet Publik në Ohër, i cili mbulon me kontrollet e tij edhe Komunën e Dibrës – tregojnë se ujërat në Dibër janë të pastra. Kjo situatë, natyrisht, është shumë e favorshme për ata që freskohen si në ujërat e Liqenit të Dibrës, ashtu edhe në ujërat e Lumit Radikë dhe të përroskave në komunat fqinje.

    Cilësia e ujit për pije nga ujësjellësi Rosok–Dibër është e klasit të parë, konfirmojnë të njëjtat burime.

    Në bisedën që patëm me përgjegjësen për kontrollin e ujërave, Dr. Lidija Simonovska nga Enti për Shëndet Publik në Ohër, u informuam se këtë verë ujërat e Dibrës janë të pastra.

    “Uji në Liqenin e Dibrës, si edhe në Lumin Radikë, është shumë i pastër dhe mund të shfrytëzohet për freskim dhe rekreacion pa asnjë problem. Analizat e ujit të liqenit dhe të Lumit Radikë tregojnë se si situata kimike, ashtu edhe ajo mikrobiologjike, është e klasit të parë. Këtë verë, ujërat janë shumë të pastra, nuk ka ndotje dhe ato mund të shfrytëzohen pa brengë. Ne realizojmë kontrolle të rregullta, por edheherë pas here kontrolle plotësuese, dhe garantojmë se popullata mund të freskohet dhe të pushojë lirshëm në këto ujëra”, ka deklaruar për mediat Dr. Simonovska nga ESHP-Ohër.

    Po sipas saj, cilësia e ujit në ujësjellësin rajonal Rosok–ibër është e klasit të parë. “Dibranët kanë ujë të klasit të parë për pije”, thekson dr. Simonovska, duke shtuar se edhe në këtë ujësjellës bëhen analiza të rregullta.

    Këto ditë, kur temperaturat janë të larta dhe arrijnë mbi 35 gradë Celsius, plazhi në liqenin e Dibrës, por edhe zonat përreth Lumit Radikë, frekuentohen nga një numër i madh dibranësh dhe jo vetëm. Janë qindra të rinj, por edhe të moshuar, që nga orët e mëngjesit i drejtohen bregut të liqenit. Sa i përket Lumit Radikë, atje ditën zakonisht e kalojnë banorë nga komunat Mavrovë–Rostushë, Gostivar, Tetovë dhe madje edhe nga Shkupi. Bëhet fjalë për turistë njëditorë që kërkojnë freski në pjesën më perëndimore të vendit, e cila karakterizohet me ujëra të bollshëm dhe gjelbërim të dendur.

    Ndërsa në zonën e liqenit nuk ka probleme serioze me mbeturinat – të cilat grumbullohen në pika të caktuara – gjatë rrjedhës së Lumit Radikë, për fat të keq, në shumë lokacione mund të gjenden mbeturina të hedhura vend e pa vend. Pushuesit vijnë, freskohen dhe pastaj lënë pas vetes papastërti. Kjo situatë kritikohet nga shoqatat ekologjike, të cilat kërkojnë ndërgjegjësim dhe korrektesë nga vizitorët.

    Kur jemi tek ujërat, vlen të përmendim se gjashtë çesmat tradicionale dhe të vjetra që ndodhen në pjesën e vjetër të Dibrës – të cilat kanë burime të veta – përdoren vetëm për ujitje, pra ofrojnë ujë teknik, siç ka qenë rasti për dekada me radhë. Kompetentët sqarojnë se uji nga këto çesma nuk është i përshtatshëm për pije dhe nuk është përdorur kurrë për këtë qëllim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RRETH DY MILIARDË EURO NË VIT / Buxheti i RMV, një e treta për pensione

    Lajmi i rradhës

    Ekonomia e Gjermanisë nuk duhet të nënvlerësohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë