Rreziku nga tërmetet, problem procesi i legalizimit

    Nëse në të ardhmen rajoni i Pollogut, përballet me ndonjë tërmet deri në shtatë shkallë sipas Rihterit, ndërtimet mund të përballojnë. Të paktën kështu ekspertët që konsultuam lidhur me sigurinë e objekteve në rajonin tonë. Profesori universitar Enis Jakupi, pohon se problem janë ndërtesat që janë ndërtuar në mes vitit 2000 dhe 2015, të cilët janë ndërtuar pa leje dhe më pas janë legalizuar. Ndërkaq, mbindërtimet janë poashtu një problem që mund të shfaqet në rast se ka termite. Profesori Jakupi, shprehet se gjatë hulumtimeve që ka bërë ku janë përfshirë mbi 50 objekte në rajonin e Pollogut, disa prej tyre janë të pasigurta.

    “Ne si rajon kemi pasur një periudhë kur është ndërtuar pa leje, pa dokumentacione teknike e kështu me radhë dhe për këta objekte që u legalizuan vetëm me një elaborat gjeodezik dhe për këta objekte duhet të bëhen analiza se çka mund të ndodhë në rast të tërmetit. Për fat të keq, edhe pse teknologjia ka ecur shumë përpara, megjithatë institucionet, inspektoratet komunale shumë pak merren me këtë çështje dhe hulumtimet mund të bëhen edhe tani se sa këta objekte janë të sigurta”, thotë profesori universitar Enis Jakupi.

    Biseduam edhe me arkitektin Abdilrezak Hazari, nga shtëpia projektuese “Arinhg Grup”. Ai thotë se siguria e objekteve në Maqedoninë e Veriut është rritur pas tërmetit të Shkupit në vitin 1963. Kjo falë angazhimit edhe të shtetit të Japonisë. Megjithatë, problem në vete mbeten objektet që janë legalizuar dhe kontrollet e pakta që kryhen. Hazari thotë se në Tetovë, ndërtohet me material cilësor dhe se për këtë , shumë kompani nga Tetova angazhohen për ndërtime në Shkup.

    “Formalisht ligjet në fuqi respektohen, por në praktikë sa respektohen kjo është një çështje tjetër. Ligji ka shumë mangësi dhe ka bërë që popullata të mos jetë e sigurt. Por, në rajonin e Pollogut, cilësia e ndërtimeve është më e lartë se sa në vendet tjera. Kështu që edhe shumë kompani të Tetovës janë duke vepruar me sukses edhe në Shkup, ku në këtë drejtim institucionet janë më rigoroze duke patur parasysh se atje ka patur një tërmet katastrofal dhe prandaj atje institucionet janë më të ashpër kur bëhet fjalë për ndërtime”, thotë Hazari.

    Të gjitha objektet që ndërtohen, patjetër duhet të kenë mendim edhe nga Instituti Sizmologjik. Kryhen dy kontrolle, së pari kur objekti fillon të ndërtohet por edhe pas ndërtimit. Nga Inspektorati komunal theksojnë se pa dhënë mendim edhe instituti sizmologjik nuk japin leje ndërtimi në Tetovë. Një problem shtesë që shfaqet në Tetovë, janë edhe pallatet që janë në pjesën qendrore të qytetit siç është ndërtesa e ashtuquajtur Çeshell, e cila nga jashtë vërehet se është e shkatërruar dhe për çdo ditë rrezikon kalimtarët që lëvizin afër kësaj ndërtese. Ndërkaq, dy vitet e fundit, në mënyrë enorme është rritur çmimi i banesave në Tetovë, kur për një metër katrorë paguhen 1200 euro, dhe tash shtrohet dilema se sa kanë siguri këta objekte kaq të shtrenjta. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibra solidarizohet me Turqinë dhe Sirinë

    Lajmi i rradhës

    VUAJNË EDHE FERMERËT! Rritet çmimi i plehrave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë