Rritet çmimi i apartamenteve në Maqedoninë e Veriut

    Çmimi i banesave në Shkup është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i vitit. Në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Popullore, çmimet e pasurive të patundshme janë rritur për 5.9 për qind. Në tremujorin e parë rritja ishte 3.2 për qind, ndërsa në të dytin 4 për qind. Kjo ka rezultuar që një metër katror i hapësirës për banim të arrijë në 1500 euro në komunat si Qendër dhe Karposh dhe sipas disa ndërtuesve çmimi mund të arrijë në 2000 euro. Në kushtet e kërkesës së lartë, siç thonë ata, oferta në zona të caktuara është ulur për shkak të moratoriumeve të ndërtimit në vitet e fundit.

    Rritja “marramendëse”, siç cilësohet nga pronarët e pronave të patundshme, vjen si pasojë e disa faktorëve: mungesa e lokacioneve të mjaftueshme për ndërtim, bllokimi i planeve detale urbane (PDU) dhe mos miratimi i planeve të rejave, rritja e çmimit të materialeve të ndërtimit, por edhe fuqisë punëtore, e cila shkon më shpesh jashtë vendit.

    Salim Hasani, kryetar i Grupit të Ndërtimit në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë se rritja e çmimit të banesave në Shkup është rezultat i disa faktorëve, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Si më të rëndësishme ai rendit mungesën e lokacioneve të mjaftueshme për ndërtim në zona atraktive, bllokimin e disa planeve detale urbanistike në disa komuna në periudhën paraprake, si dhe mos miratimin e planeve të reja detale urbanistike për vendosjen e lokacioneve të reja nëpër komuna.

    E gjithë kjo, thotë ai, ndikon në uljen e ndërtesave të reja dhe rritjen e çmimit të lokaleve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në çmimin e apartamenteve. Një tjetër arsye e drejtpërdrejtë është rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe energjisë, ku rritja është nga 20 në 100 për qind, si dhe kemi rritje të çmimeve të punës. E gjithë kjo në mënyrë kolektive rriti çmimet e banesave për rreth 30 për qind, tha Hasani për MIA-n.

    Oferta është më e madhe në zonat ku në periudhën paraprake kishte më shumë lokacione për ndërtim, si komunat Aerodrom, Gazi Babë, Kisela Vodë, Butel, Çair…

    “Ndërtesat cilësore ofrohen me dizajn më të mirë dhe materiale moderne në krahasim me ndërtesat e mëparshme. Ndërsa kërkesa për banesa të reja është e madhe, sidomos në Qendër, Karposh dhe Aerodrom. Por nuk mbetet mbrapa edhe në komunat e tjera si në Gazi Babë, Kisella Vodë, Butel dhe Çair. Kërkohen kryesisht apartamente të vogla me organizim dhe pamje të mirë”, thotë Hasani.

    Kompanitë e ndërtimit në periudhën e pandemisë së Kovid-it, edhe pse me intensitet të reduktuar, nënvizon ai, punuan me bilance pozitive. Zhvillimi më i madh, tha ai, varet nga hapja e investimeve të reja për ndërtesa standarde, të cilat duhet të jenë në vazhdimësi.

    “Rënia e numrit të lokacioneve nuk është në favor të zhvillimit të kësaj dege shumë të rëndësishme të ekonomisë. Rritja enorme e çmimeve të pothuajse të gjithë komponentëve të ndërtimit tek investitorët jep rezerva kur planifikojnë ndërtimet e ardhshme, pyetja është nëse fuqia blerëse do të mund ta ndjekë këtë trend të rritjes së çmimeve. Dhe sipas logjikës, nëse kemi një numër të reduktuar pallatesh, do të kemi çmime më të larta për apartamentet, dhe nga ana tjetër, ulje të vëllimit të punës për ndërtuesit. Dhe në këtë mënyrë edhe pamundësinë për të mbajtur fuqinë punëtore, e cila çdo ditë po ikën jashtë shtetit. “Pra sugjerimi ynë është që të hapen sa më shumë mundësi ndërtimi, do të jetë më mirë për të gjithë, do të kemi zhvillim më të madh, më shumë para të injektuara në ekonomi, banesa më të lira dhe jetë më të mirë”, deklaroi Hasani.

    Banesat po bëhen më të shtrenjta si në vende atraktive ashtu edhe në vende me aktivitet më të ulët transaksionesh

    Shoqata e Ndërtimtarisë, Industrisë së Materialeve Ndërtimore dhe Jometaleve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, thekson se parashikimet e kompanive ndërtimore po realizohen, çmimet e apartamenteve që nga fillimi i vitit janë rritur, veçanërisht në zonat që konsiderohen si lokacione atraktive. Rritja e çmimeve të banesave, siç thonë ata në një deklaratë për MIA-n, vjen si pasojë e disa faktorëve, më së shumti rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, por edhe rritja e përgjithshme e shërbimeve, lëndëve të para dhe mallrave të tjera.

    “Kërkesa është e lartë, duke qenë se pronat e paluajtshme janë dëshmuar si një investim i sigurt gjatë krizës së koronavirusit. Qytetarët e kanë pranuar se investimi në pasuri të paluajtshme krijon vlerë të shtuar në buxhetet e tyre, veçanërisht në kohë inflacioni të qetë, prandaj besojmë se kërkesa nuk do të bjerë dhe pronat e paluajtshme do të jenë tërheqëse në periudhën e ardhshme. Furnizimi në zona të caktuara pritet të reduktohet për shkak të moratoriumeve të ndërtimit në vitet e fundit, sipas Shoqatës së Ndërtimit, industrisë së materialeve të ndërtimit dhe jometaleve.

    Angazhohemi, theksojnë ata, që të rritet cilësia e objekteve, prandaj në këtë drejtim besojmë se qytetarët duhet të përpiqen të blejnë objekte cilësore dhe cilësia të përcaktojë çmimin, për të mos krijuar situatë në kushte të reduktimit, furnizimi i apartamenteve në zona të caktuara, çmimi duhet të përcaktohet ekskluzivisht nga rritja e kërkesës për ndërtesa në lokacione atraktive.

    Analizuar sipas vendndodhjeve, kërkesa për pasuri të paluajtshme gjatë pandemisë është e njëjtë si më parë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Regjistri i çmimeve dhe qirave të Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, vëllimi më i madh i transaksioneve, përfshirë numrin më të madh të banesave të shitura e ka në kryeqytet, më konkretisht në komunat Qendër, Karposh, Aerodrom. Çmimet variojnë në varësi të kërkesës dhe në lokacione më tërheqëse çmimet për metër katror janë më të larta.

    Rritje të çmimeve të apartamenteve ka edhe në zonat me aktivitet më të ulët të transaksioneve, ndonëse siç thonë nga Shoqata, kjo nuk varet nga kërkesa, por për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të ndërtimit, shërbimeve, lëndëve të para – ndërtimi është thjesht më i shtrenjtë.

    Ivica Jakimovski, kryetar i Odës së Ndërtimit të Shoqatës së Odave Ekonomike thekson se aktiviteti afarist në fushën e ndërtimit në katër vitet e fundit ka rënie të vazhdueshme për shkak të faktorëve kufizues që i kanë shkaktuar dëme serioze, materiale dhe jomateriale, kompanive për shkak të moratoriumit të ndërtimit dhe pezullimit të planeve detale urbanistike. Për të pasur përmirësim në drejtim pozitiv, thekson ai, është e nevojshme të respektohen ligjet, në radhë të parë Ligji për Ndërtim dhe Ligji për Planifikim Urban dhe Hapësinor, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një klime pozitive të biznesit për zhvillim dhe investim.

    “Rritja e çmimeve të apartamenteve arrin deri në 40 për qind, dhe kjo vjen si pasojë e disa faktorëve, ndër të cilët janë kryesisht rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, tendenca e rritjes së pagave në sektorin e ndërtimit që ndikon në rritjen e çmimit të produkteve finale si dhe kufizimi i ofertës, që shfaqet si pasojë e moratoriumeve në ndërtim dhe pezullimit të planeve detale urbanistike”, deklaron Jakimovski për MIA.

    Tregu i pasurive të paluajtshme, shton ai, prej kohësh ka një tendencë negative për konsumatorët, për shkak të faktorëve kufizues për të cilët kemi folur tashmë. Sektori i ndërtimit është i gatshëm të ndryshojë trendin, në mënyrë që t’i plotësojë nevojat e qytetarëve, nëse krijohen kushte që të mund të fillohen aktivitete të intensifikuara afariste”, tha Jakimovski.

    Pas rënies drastike të qirave, lëvizje pozitive pas fillimit të vitit studentor

    Pandemia goditi më së shumti qiratë e pasurive të paluajtshme, ku pati një rënie drastike, veçanërisht në dhënien me qira të objekteve afariste, por edhe në dhënien me qira të pasurive të tjera të paluajtshme. Rënia është kryesisht për shkak të ndryshimeve në mënyrën e jetesës dhe punës së njerëzve, duke reduktuar volumin e migrimeve të studentëve, punëtorëve dhe të tjerëve me një vendbanim të ndryshëm nga vendi ku ata kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme si rezultat i përdorimit në rritje të teknologjisë në procesin e punës dhe të mësimit, pra zëvendësimi i prezencës fizikës me onlajn.

    Pas fillimit të vitit studentor, sipas informacioneve nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, nuk ka rritje drastike të transaksioneve në lidhje me qiratë, por krahasuar me muajt e mëparshëm mund të thuhet se ka një lëvizje në një drejtim pozitiv.

    Në tregun e pasurive të paluajtshme në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas bazës së të dhënave të Regjistrit të çmimeve dhe qirave, janë regjistruar 9231 transaksione, nga të cilat 7277 shitje të pasurive të paluajtshme dhe 1954 dhënie me qira të pasurive të paluajtshme.

    Krahasuar sipas muajve të këtij tremujori, vërehet se numri më i madh i transaksioneve është në muajin korrik, kur në Regjistrin e çmimeve dhe qirave janë regjistruar 3,463 transaksione. Numri më i vogël i transaksioneve është regjistruar në muajin gusht, 2516, ndërsa në shtator janë regjistruar 3252 transaksione.

    Nëse marrim në konsideratë vëllimin e transaksioneve sipas muajve dhe sipas llojit të transaksionit, mund të konkludohet se numri më i madh i shitjeve është regjistruar në muajin korrik, 2754 dhe më së shumti dhënia e qirave është shënuar gjithashtu në korrik, 709.

    Në tremujorin e tretë të këtij viti ka pasur 2676 shitje më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Nga 1.954 qiratë e regjistruara të patundshmërive, shumica, 740, janë qiradhënia në objekte afariste në vlerë prej 523.222.000 euro. Më pas vijojnë qiratë e banesave, 573 me vlerë 120.720.000 euro, e shtëpive, 259, prej 55.224.000 euro, e truallit me oborr, 238, me vlerë 11.243.000. Janë regjistruar 27 dhënia të qirave të objekteve industriale në vlerë prej 134.436.000 eurosh.

    Më shumë leje ndërtimi të reja në Pollog, më së paku në Pellagoni

    Të dhënat e fundit zyrtare për lejet e dhëna të ndërtimit janë për muajin shtator të këtij viti ku janë dhënë 318 leje ndërtimi, që është 28.2 për qind më shumë se në shtator të vitit të kaluar. Më së shumti leje janë në rajonin e Pollogut, 66, pasuar nga rajoni i Shkupit, 62, ai juglindor, 53, i Vardarit 46… Më pak leje ndërtimi, 17, janë dhënë në rajonin e Pellagonisë.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në periudhën raportuese janë planifikuar të ndërtohen 618 banesa, me sipërfaqe totale të dobishme prej 56 849 metra katrorë. Shumica e banesave do të ndërtohen në rajonin e Shkupit, 216, prej të cilave 196 janë në Komunën e Gazi Babës. Ndër komunat me numër më të madh të banesave të reja të planifikuara janë Strumica, 87, Gjevgjelia, 86, Gostivari, 76, Dibra, 40…

    Vlera e parashikuar e objekteve për të cilat janë lëshuar miratimet në shtator të këtij viti ka qenë 3.833.718.000 denarë, 16,7 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Nga

    lejet e lëshuara të ndërtimit, 184 (57.9 për qind) janë për objekte të larta të ndërtimit, 35 (11 për qind) për ndërtime të ulëta dhe 99 (31.1 për qind) për rinkonstruksion. Në 195 (61.3 për qind) të objekteve investitorë janë persona fizikë, ndërsa në 123 (38.7 për qind) objekte investitorë janë subjekte afariste./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Hiqni lagështirën nga shtëpia me metoda natyrale

    Lajmi i rradhës

    Mariçiq: Pushteti ekzekutiv vetëm do të monitorojë, nuk do të përzihet në pushtetin gjyqësor dhe në prokurori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë