Shkolla e shahut që vepron në kuadër të klubit të shahut “Anpasan” me seli në Tetovë, me sukses është duke e realizuar projektin e hapjeve të shkollave të shahut tashmë e disa vite. Ky program realizohet me trajnerë të licencuar dhe tekste të përgatitura nga shahistë profesionistë. Ky klub që vepron tanimë gjashtë vite krenohet me rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe kohore. Ndërsa, puna me të rinjtë vazhdon pasi interesimi është në nivelin e kënaqshëm, thotë sekretari i klubit të shahut “Anpasan”, Bekim Sulejmani. Krahas që fëmijët zhvillohen në aspektin e të menduarit, marrja me shah është për të mirën e tyre sepse në vend se të merren me rrjete sociale, ata merren me sport.
“Që me themelimin e klubit kemi pasur për qëllim edhe aktivitete në kuadër të shkollës. Shkollën e kemi themeluar që katër vite në Tetovë, ku zhvillojmë aktivitete me moshat e reja shkollave fillore dhe të mesme edhe më të rritur. Kemi pasur nxënës shumë të mirë që kemi pranuar nga fillimi kur nisëm hapat e para në kuadër të shkollës dhe tani ata marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të shahut nëpër gara në Tetovë dhe jashtë Tetovës. Mund të themi lirisht se ky është një hapë shumë pozitiv për shkak se edhe fëmijët i largon nga qëndrimi i tepërt nëpër internet, rrjetet sociale e kështu me radhë”, deklaroi Sulejmani.
Me hapjen e shkollave të shahut dukshëm është rritur interesimi i të rinjve për këtë sport edhe atë jo vetëm në rajonin e Tetovës, por edhe në Shkup, Strugë dhe pretendohet të hapen edhe në qytetet tjera të vendit.
“Pasi kjo lojë tani inkorporohet edhe në kuadër të sistemit arsimor në shkollat fillore interesimi gjithnjë rritet. Por ka nevojë edhe më tepër të promovohet. Një apel edhe deri te prindërit që ta kuptojnë shahun, mos të kuptojnë shahun si një humbje kohe, por ta orientojmë kohën në mësim, gara shahu që edhe kjo t’ju ndihmoje edhe si lëndë mësimore. Normalisht edhe ne jemi të gëzuar që kemi edhe degë të tjera. Kemi një në Strugë që kemi filluar sivjet edhe në Shkup dhe kemi trajner profesionist që janë të licencuar dhe hap pas hapi që të synojmë të arrijmë edhe rezultate më të larta”, thotë sekretari i klubit “Anpasan”, Bekim Sulejmani.
Nxënësit që janë duke ndjekur shkollën e shahut u shprehën të kënaqur me punë që është duke u bërë dhe shpresojnë që të bëhen mjeshtër të këtij sporti. Klubi i shahut “Anpasan” që ka përkrahjen e shoqatës “Vizioni M”, ka krijuar kushte optimale për realizimin e projektit me shkollat e shahut si në Tetovë, Shkup, Strugë,ndërsa pretendohet që së shpejti të hapen shkolla shahu edhe në disa qytet tjera të vendit. /Koha/