Rritet numri i studentëve në RMV që diplomojnë brenda afatit

    Vitin e kaluar, kanë diplomuar 7422 studentë, prej të cilëve 37 për qind e kanë përfunduar brenda afatit, ndërsa 63 për qind pas afatit. Një vit më parë – në vitin 2022, janë diplomuar 7483 studentë, me 40 për qind që përfunduan brenda afatit dhe 60 për qind pas afatit. Ose, 15 vite më herët, në vitin 2007, janë diplomuar 8188 studentë, me 28.9 për qind që u diplomuan në kohë dhe 71.1 për qind pas afatit. Të dhënat zyrtare tregojnë se ndryshe nga vitet e kaluara, vitet e fundit studentët po tregohen më të përgjegjshëm dhe po rritet numri i atyre që i kryejnë studimet me kohë, shkruan gazeta Koha.

    Kështu që, gjendja ekonomike dhe gjetja sa më shpejtë të një vendi pune ka bërë që të rritet përkushtimi i studentëve në mësime dhe me këtë, të diplomojnë në afat. Veç kësaj, arritja e kritereve – notave sa më të larta për rikualifikim në vendet e punës ka bërë që studentët seriozisht t’i përvishen mësimeve. “Kuptohet që zgjatja e studimeve kushton më shumë për neve si studentë, konkretisht për familjet tona. Qiraja e banesës ose konvikti, ushqimi dhe pagesa e semestrave janë kyçe që vendosim që studimet t’i kryejmë në afat”, thotë Agroni, student nga Kumanova në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

    Në ndërkohë, në vitin 2009, numri i të diplomuarve ishte 10.232, prej të cilëve 35.2 për qind u diplomuan në kohë dhe 64.8 për qind pas afatit. Në vitin 2012, janë diplomuar 10.392 studentë, ku 58 për qind përfunduan pas afatit, ndërsa në 2015, janë diplomuar 8458 studentë, ku 40.9 për qind u diplomuan në kohë dhe 59.1 për qind pas afatit. Profesorët universitarë thonë se, përveç gjendjes ekonomike, rritja e numrit të studentëve që diplomohen brenda afatit tregon përmirësime në menaxhimin e studimeve dhe organizimin e programeve akademike.

    “Kjo mund të lidhet me përmirësimin e kushteve të mësimdhënies, mbështetje më të madhe për studentët dhe rritjen e motivimit për të përfunduar studimet në kohë. Pas viteve me ritme të ngadalta diplomimi, kjo tendencë pozitive reflekton përkushtim të shtuar të studentëve dhe një fokus më të madh në suksesin akademik”.

    Ndryshe, sipas statutit të universiteteve, studenti mund të shtyjë diplomimin deri në dy herë, por jo më shumë se tetë vjet për studimet katërvjeçare. Pas kësaj periudhe, studentët duhet të regjistrohen përsëri sipas kritereve të reja. Në Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, studentët mund të pezullojnë studimet për arsye të veçanta si për shembull: shtatzëni, sëmundje, arsye familjare, fatkeqësi natyrore, shkëmbim ndërkombëtar, ngjarje sportive, ose pamundësi financiare. Për pezullimin, ata duhet të dorëzojnë kërkesë me shkrim dhe dokumentacionin përkatës. Kur ndodhin ndryshime në programin e studimit, studenti do të ndjekë programin e ri dhe do të plotësojë detyrimet e nevojshme. Studenti duhet të rinisë studimet brenda 15 ditëve pas përfundimit të arsyeve të pezullimit.

    Sipas Rregullores së UKM-së, statusi i studentit përfundon nëse diplomohet, nuk përfundon studimet në afat, ose është i përjashtuar. Statusi mund të rikthehet nëse nuk është pezulluar përhershëm, dhe rikthimi kërkon pagesën e tarifës. Pas rikthimit, studenti vazhdon studimet sipas programit të studimit në fuqi. Pothuajse rregullore të njëjtë kanë edhe universitetet tjera në shtet.

    “Studenti konsiderohet të ketë ndërprerë studimet nëse nuk regjistrohet për një semestër, edhe nëse ka plotësuar kushtet. Nëse Programi i studimit ndryshohet gjatë pezullimit, studenti duhet të ndjekë programin e ri dhe të japë provimet përkatëse. Gjatë ndërprerjes, studenti nuk paguan tarifën e shkollimit, përveçse nëse ndërprerja zgjat 3 ose më shumë semestra”, thuhet në Rregulloren e Universitetit të Tetovës.

    Lajmi Paraprak

    Nga Shkupi e Prilepi lypsarë në Tetovë e Gostivar!

    Lajmi i rradhës

    TRENDE SHQETËSUESE / Gropa e madhe e pensioneve në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë