Bujqësia as për idare!

    Varfëria në Maqedoninë e Veriut po rritet në vitet e fundit, sidomos tek grupet më të prekura. Grupet vullnerabëll sidomos në mjediset rurale janë gratë dhe të rinjtë, personat me nevoja të veçanta, të sëmurët dhe të moshuarit dhe prindërit kryefamiljar. Bujqësia nuk është burimi i vetëm dhe i mjaftueshëm i të ardhurave të familjeve dhe burrat janë ende shumica e pronarëve të ekonomive bujqësore. Qasja në arsimin e mesëm nuk është një çështje problematike pasi është e detyrueshme në vend. Megjithatë, mund të vërehet se një përqindje e konsiderueshme e të anketuarve nga zonat rurale dhe bashkëshortët e tyre kanë kryer vetëm shkollën fillore.

    FSHATRAT MË TË PREKURA NGA VARFËRIA

    Kur bëhet krahasimi midis mjediseve urbane dhe rurale më të prekura nga varfëria janë fshatrat sidomos në aspektin e qasjes së kufizuar ndaj shërbimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore. Mungon jeta sociale, çmimet e grumbullimit të prodhimeve bujqësore janë të ulëta, ndërsa edhe të ardhurat mujore janë të ulëta. Njëherësh edhe ndryshimet klimatike po i shtyjnë ndaj një varfërie më të madhe personat që jetojnë në mjediset rurale. Pjesëmarrësit në hulumtimin në terren kanë ndjenjën se niveli i varfërisë në vend është rritur gjatë pesë viteve të fundit dhe se kjo situatë nuk do të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Pavarësisht nivelit relativisht të lartë të pasigurisë, shumica e të anketuarve nuk e ndjejnë se familja e tyre rrezikon të bjerë në varfëri, por është vendosur pak mbi kufirin e varfërisë.

    Njëherësh, është evidentuar se varfëria në vend po lind nga numri i madh i padrejtësive në shoqërinë tonë. Edhe pse një përqindje e lartë e të anketuarve janë të denjë për kredi, vetëm 5 për qind e të anketuarve thanë se ishin huamarrës. Këto janë disa nga përmbledhjet e analizës multidimensional për varfërinë në Maqedoninë e Veriut që e përgatiti Federata e Fermerëve në Maqedoni, në kuadër të projektit “Zhvillimi i Federatës së Fermerëve dhe lidhjet e përmirësuara të tregut për fermerët e vegjël dhe prodhuesit e vegjël të ushqimit në mjediset rurale, me qëllim të rritjes së të ardhurave të tyre”. Projekti është mbështetur nga organizata suedeze për zhvillim Ve Effect dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim – Sida.

    BUJQËSIA NUK SJELL TË ARDHURA TË MJAFTUESHME

    Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve vlerësojnë se janë në zgrip të ekzistencës. Bujqësia nuk sjell të ardhura të mjaftueshme për amvisëritë, ndërsa edhe punësimet e tjera të paguara janë gjithashtu me të ardhura të ulëta. Njerëzit ndjehen të izoluar dhe të përjashtuar nga shoqëria për shkak të obligimeve të punës dhe mungesës së qasjes ndaj shërbimeve shtetërore. Njëherësh varfëria në vend identifikohet se rrjedh nga numri i madh i padrejtësie, thotë një nga autorët e analizës, profesoresha Ana Simonovska.

    Autorja tjetër e raportit, Emel Tuna thotë se treguesit e statistikës udhëzojnë se duhet të rritet kohezioni social nëpërmjet reformimit të mbrojtjes sociale, sistemit efektiv të shërbimeve dhe mbështetjes më të madhe të institucioneve në tregun e punës. Është e domosdoshme që të përgatiten mekanizma për përmirësimin e qasjes ndaj punës , që vlen sidomos për fuqinë e kualifikuar të punës, të punohet në vazhdimësi për një qasje dhe kushte të njëjta për gratë , sidomos në vendbanimet rurale shton Tuna.

    PAPUNËSIA E LARTË

    Në ndërkohë, kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska thotë se fermerët dhe fermeret në Maqedoni përballen me një numër të madh sfidash që sidomos janë të theksuara me ndikimet negative tek gratë dhe nga të rinjtë nga mjediset rurale. “Ato janë të përjashtuar në aspektin social, vuajnë nga papunësia, diskriminimi gjinor, shpërndarja jo barabartë e të ardhurave dhe resurseve, privimi nga pronësia e tokës bujqësore dhe pronës, privimi nga e drejta e pushimit të paguar si prind, qasja e kufizuar dhe oferta për arsim, mungesa e informacioneve, mbrojtja shëndetësore, shërbime publike dhe sociale. Këto kushte i detyrojnë gratë dhe të rinjtë të jetojnë në varfëri të madhe, andaj edhe e nxisin migracionin”, thekson Mojsovska.

    Analiza më tej thekson se të rinjtë përballen me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe mungesa e vendeve të punës të denjë, përjashtimi social dhe diskriminimi. Si rezultat, shumë punëtorë të rinj të kualifikuar janë të motivuar për të kërkuar punë jashtë vendit, që vlen sidomos për të rinjtë në zonat rurale. Mungesa e përhapur e besimit në politikë dhe institucione ka një ndikim të veçantë tek të rinjtë që ndihen të tjetërsuar nga procesi politik, sepse zëri i tyre shpeshherë nuk dëgjohet. Të rinjtë shpesh e kanë të vështirë të gjejnë punë sepse aftësitë dhe kualifikimet e tyre nuk përputhen me kërkesat aktuale të tregut të punës, ndërsa shkalla e papunësisë tek të rinjtë është ndër më të lartat në botë. Një pjesë më e madhe e popullsisë së re në zonat rurale nuk ka motivim për të marrë përsipër ekonominë bujqësore nga prindërit e tyre dhe vazhdojnë bujqësinë. Shpesh, disa nga këta njerëz janë të përfshirë si në bujqësi ashtu edhe në të punësuar në industri dhe biznese lokale. Agronomët e rinj me kohë të plotë janë kryesisht meshkuj dhe janë pronarë të ekonomive bujqësore, ndërsa të rejat merren kryesisht me bujqësi me kohë të pjesshme, ndërsa në pjesën e mbetur të punës i kushtohen aktiviteteve shtëpiake.

    SUPORT MË I MADH PËR MJEDISET RURALE

    Gjithashtu, qasja deri tek resurset dhe mundësitë për fuqizim ekonomik dhe social ndërmjet burrave dhe gratë në zonat rurale është e kufizuar, kështu që numri i grave sipërmarrëse brenda numrit të përgjithshëm të fermerëve është vetëm 10.4 për qind, ndërsa e vetëm 12.01 për qind e grave janë pronare tokash me pjesëmarrje të ulët në vendimmarrje, lidhur me aktivitetet e prodhimit. Për shkak të pozitës së pafavorshme të grave si pjesë e fuqisë punëtore dhe për sa i përket të ardhurave familjare, gratë e reja në zonat rurale shpesh nuk e shohin të ardhmen e tyre në bujqësi dhe janë të gatshme të qëndrojnë në zonat rurale vetëm nëse janë në gjendje të gjejnë një tjetër lloj punësimi. Raporti rekomandon që tu sigurohet grave nga zonat rurale akses në lloje të ndryshme pensionesh dhe shtesa për një standard përkatës adekuat të jetesës dhe për të siguruar përfitime të drejtpërdrejta nga programet e mbrojtjes sociale. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Liqeni nis të zbrazet, reagojnë dibranët

    Lajmi i rradhës

    Dasmat e përgjakura të Pollogut!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë