RRITJA E PAGAVE NË SEKTORIN PUBLIK! | Mosmarrëveshje që në nisje

    Të ardhurat mujore me muaj të tërë janë temë bisedimesh, negociatash, por edhe mosmarrëveshjes midis sindikatave dhe ekzekutivit. Për më tepër debati u kall edhe më shumë pas rritjes së pagave të funksionarëve të zgjedhur apo emëruar me 78 për qind të pagave për 1600 zyrtarë që tani marrin paga me mija euro, përderisa rritja e pagave të punonjësve të tjerë pret epilogun e negociatave të qeverisë dhe sindikatave. Pagat e ministrave, drejtorëve, kryetarëve të komunave dhe deputeteve u rritën goxha shumë me vendimin e Gjykatë s Kushtetuese për shfuqizimin e dy neneve të ligjit për pagat dhe shtesat e zyrtarëve.

    Presidenti, Stevo Pendarovski në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin shfuqizohen dispozitat e Ligjit për paga dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë, i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje ligjore që do ta rregullonte çështjen duke ulur pikët. Ai vlerëson se në një kohe krize nuk është e përshtatshme një rritje e tillë pagash.

    Nga ekzekutivi thonë se po punohet në hartimin e një ligji të ri për pagat që do të jetë konsistent apo i qëndrueshëm dhe parimor, për të gjithë zyrtarët, si dhe në hartimin e një marrëveshjeje të re të përgjithshme kolektive.

    Nga ana tjetër, pritet që pagat në sektorin publik apo për të gjithë punësuarit që marrin paga nga buxheti i shtetit prite të rriten në periudhën e ardhshme. Mirëpo kontestuese mbetet metodologjia e përllogaritjes së pagave. Përderisa ekzekutivi angazhohet që bazë për përllogaritjen e pagave në sektorin publike të jetë paga bruto minimale dhe ndaj kësaj të shtohen pikët dhe vlera e pikëve që i miraton Kuvendi, sindikalistët angazhohen që për bazë të merret bruto paga mesatare për të punësuarit në vitin paraprak dhe shtesat e tjera.

    Sipas Lidhjes së Sindikatave, bazë për llogaritjen e pagave për punëtorët dhe funksionarët duhet të jetë paga mesatare mujore bruto e paguar në vitin paraprak sipas Entit Shtetëror të Statistikave, e cila do të shumëzohej me koeficientin e ndërlikueshmërisë. Njëherësh në pagën mesatare si përqindje do të llogariteshin edhe shtesat e pagave, ndërsa në këtë shumë do të llogaritej edhe përvoja e punës.

    Koeficientet e ndërlikueshmërisë për funksionarët do të varionin nga 2.20 në 4.50, dhe për të punësuarit sipas kategorisë nga 0.1 në 2.20. “Kjo do të rezultonte në një rritje prej 50 deri në 70 për qind të pagave për punonjësit e sektorit publik, dhe pagat do të ishin më të dinjitetshme siç do të ishin diferencat. Llogaritjet tregojnë se për punëtorët rritja e pagës për pagën më të ulët do të ishte plus 10.000 denarë, dhe rritja do të ishte e përshtatshme për kategorinë së cilës i takojnë “, thotë Sllobodan Trendafilov, nga LSM.

    Në ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se po vazhdon dialogu për marrëveshjen e përgjithshme kolektive me partnerët social. “Së fundmi është diskutuar për dy metodologji për llogaritjen dhe harmonizimin me qëllim të rritjes së pagave në sektorin publik, për të cilat do të vazhdohen negociatat deri në harmonizimin përfundimtar. Për të arritur objektivin e dëshiruar nevojitet një periudhë tranzicioni për harmonizimin e plotë me pagën mesatare”, shton Bytyqi.

    Përfaqësuesit e qeverisë theksojnë se qëllimi është krijimi i një sistemi unik dhe thjeshtimi që do të nënkuptojë zgjidhje që do të mbrojnë standardin e qytetarëve dhe do të ndjek produktivitetin e ekonomisë. Gjithashtu qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit , u pajtuan që të bëjnë simulime për të dy propozimet për llogaritjen e pagave në sektorin publik,që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme. Rritja e pagave në sektorin publik imponohet edhe nga obligimi ligjor, i harmonizimit dhe rritjes edhe të pagave të tjera karshi rritjes së pagave minimale në një afat prej gjashtë muajsh , që nuk ka ndodhur në vitin e kaluar, ndërsa sivjet pritet të realizohet deri në muajin shator. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Zbulohen lokalitete në Dibër ku hidhen gomat e automjeteve

    Lajmi i rradhës

    A ka Shkupi një listë të shtetasve bullgarë të cilëve u ndalohet hyrja në vend?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë