Zbulohen lokalitete në Dibër ku hidhen gomat e automjeteve

    Projekti “Eko dron patrola” i cili financohet nga Ambasada Amerikane, jep rezultate shumë të mira në mirëmbajtjen e mjedisit jetësor. Ky projekt i cili ka startuar para disa muajve duke shfrytëzuar video drone mundëson mapimin të deponive të egra që ndodhen në Dibër dhe rajon. Është një projekt i cili me të vërtet ka qëlluar mënyrën se si mund të tejkalohet problemi me deponitë e egra të cilët vite me radhë paraqiten në lokalitete të ndryshme në komunën e Dibrës por edhe më gjerë. Pikërisht për këtë shkak projekti është shumë i suksesshëm, thonë realizatorët e projektit nga shoqatat Qendra për Zhvillim të qëndrueshëm të komunitet në Dibër. Këto ditë pikërisht me një video dron u zbulua një deponi e madhe e gomave të vjetra të automjeteve.

    Deri tani janë realizuar disa aksione ekologjike me pjesëmarrje masive të të rinjve. Por, paraprakisht para çdo aksioni organizatorët të projektit në mënyrë shumë të suksesshme e bëjnë mapimin të lokaliteteve ku paraqiten deponi të egra.

    “Kështu ishte edhe gjatë aksionit të fundit që u organizua në Dibër në një pjesë periferike ku kishte shumë deponi të egra që gjendet në afërsi të rrugës ku më parë ishte kombinati bujqësor Pogresi”, thotë për gazetën KOHA koordinatori i këtij projekti Shuip Marku.

    Me sukses deri tani kemi pastruar dhe eliminuar shumë deponi të egra qoftë në qytete por edhe në periferinë e tij dhe në vendbanimet rurale, thotë Marku dhe shton se pikërisht me video dron zbuluam një lokalitet në periferi të qytetit ku janë hedhur një numër i madh i gomave të automjeteve meqë nuk përdoren. Ai shton se dëmi nga këta goma është shumë i madh dhe kërkon që kompetentët të ndërmarrin aktivitete që të pastrojnë këtë deponi të madhe të egër me goma. Poashtu shoqatat në fjalë kërkojnë që kompetentët të ndërmarrin aktivitete ligjore ndaj personave që ndotin mjedisin jetësor. Është një dukuri e rrezikshme që drejtpërdrejt ndikon në ndotjen e mjedisit. Një problem tjetër që paraqitet kur është në pyetje mjedisi jetësor e që është zbulua me këtë projekt, është edhe hedhja e përditshme e mbeturinave internete.

    “Është një problem shumë i madh i cili shkakton probleme ekologjike. Në periferi të qytetit ata që ndërtojnë apo sanojnë hedhin mbeturina të forta inerte dhe pastaj nuk dihet se kush i hedh këta mbeturina. Institucionet kompetente janë ata të cilët duhet të zbulojnë personat të cilët në vend që t’i hedhin këta mbeturina në deponinë e qytetit, ata i hedhin vend e pa vend”,, thonë përfaqësues të shoqatës së ekologjistëve dibran.

    Edhe ata potencojnë se projekti i fundit “Eko dron patrola” me të vërtet ia arriti qëllimit kur është në pyetje evidentimi dhe pastrimi i mbeturinave në komunën e Dibrës dhe në rajoni. Besimi në këtë projekt ka ndikuar drejt për drejt edhe në rritjen e numrit të vullnetarëve që paraqiten për pjesëmarrje në aksionet ekologjike. Përveç nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në aksione mund të shihen edhe shumë të rinj të tjerë.

    Lajmi Paraprak

    Emigrantët që kalojnë tranzit nëpër RMV dhunohen nga kontrabanduesit

    Lajmi i rradhës

    RRITJA E PAGAVE NË SEKTORIN PUBLIK! | Mosmarrëveshje që në nisje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë