“Rritja e pagave”, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkakton revoltë tek të punësuarit në Ministrinë e Financave

    Iu gëzuan rritjes së pagave prej 30% që nga dhjetori i vitit të kaluar. Por, buzëqeshjen e festave të fund vitit ua ngriu Gjykata Kushtetuese. Të punësuarit e Ministrisë së Financave do të duhet të presin një vendim të ri të organeve kompetente për pagat e tyre, të cilët për 11 muaj u shpërblyen me rritje prej 30% nga ministri Fatmir Besimi. Para godinës askush nuk deshi të komentoj, megjithëse pati paralajmërim për shprehje të revoltës në punë përmes grevës gjysmë ore.

    “Para Ministrisë së Financave kishte paralajmërim se do të shprehin revoltën të punësuarit, pasi që përkohësisht do tu hiqet rritja e pagave prej 30% me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por, edhe Ministri Besimi sot anuloi të gjitha paraqitjet publike, duke i shmangur mediat për të dhënë një përgjigje lidhur me këtë çështje”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

    Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së nenit 66 paragrafi 3 i Ligjit për Buxhetin, i cili mundësoi rritjen e pagave prej 30% të punonjësve në Ministrinë e Financave dhe organeve të administratës shtetërore, të cilët kryejnë punë që kanë të bëjnë me buxhetin. Kushtetuesja ka pezulluar përkohësisht këtë rritje, që nënkupton se për muajin dhjetor të gjithë këta të punësuar do të marrin pagat me -30%. Por, presin që Kuvend në afat prej një muaji të jap mendim për këtë çështje.

    “Gjykata Kushtetuese fillimisht ka marr masën e përkohshme të pezullimit dhe ka nisur procedurën e shqyrtimit për kushtetutshmërinë e Nenit 66, Paragrafi 3 i Ligjit për Buxhetin. Për interpretimin e këtij rasti do të kërkohet mendim nga Kuvendi, i cili ka afat ligjor 30 ditë që të përgatitë Mendimin”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.

    Kjo nismë erdhi nga personi fizik, Miroslav Draganov, ku thuhet se punonjësit e Ministrisë së Financave, të cilët kryejnë detyra specifike dhe kanë përgjegjësi të veçantë, vendosen në pozitë të privilegjuar të pajustifikuar në raport me qytetarët që janë të punësuar në organet e tjera të administratës shtetërore, të cilët po ashtu kryejnë detyra specifike dhe kanë përgjegjësi të veçantë, duke vënë kështu në një pozitë të pabarabartë. Sipas parashtruesit të kërkesës, me interpretimin autentik, Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës, sepse në procedurën për dhënien e interpretimit autentik të nenit 66 paragrafi 3 të Ligjit për Buxhet, ka ndryshuar dispozitën e interpretuar duke prezantuar elemente të reja dhe si rrjedhojë dispozita ligjore në kundërshtim me procedurën e miratimit të ligjeve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Turqia ka nënshkruar kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia pa bazë ligjore për dënimin me vdekje, burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i lartë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë