Rritja e pensioneve ul hendekun social

    Pensionist, Tetovë / Fotografia: Nistori

    Parlamenti të martën miratoi ndryshimet ligjore për rritjen lineare të pensioneve me 5000 denarë, në dy këste në shtator 2024 dhe mars 2025. Me shumën e fundit shtesë prej 2500 denarë, pensioni minimal në shtet arrin 18.192 denarë, ndërsa ai mesatar arrin 26.211 denarë. Me fjalë tjera, pas rritjes në shtator 2024, pensioni më i ulët i garantuar arriti në 15.692 denarë dhe tani në afër 18 mijë denarë në mars 2025, ndërsa pensioni mesatar në shtator ishte bërë 23.758 denarë dhe në mars 2025 pritej të jetë rreth 26 mijë denarë. Në shtator 2025, pensionet do të rriten sipas metodologjisë së vjetër dhe nuk do të ketë rritje lineare.

    Nga ana, rikthehet metodologjia e përllogaritjes së rritjes së pensioneve sipas harmonizimit apo indeksimit të harxhimeve jetësorë në tavanin prej 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë të punësuarit në tavanin prej 50 për qind. Pensionistët shprehen të kënaqur, duke thënë se ky është një tregues i përmirësimit të gjendjes materiale të përfituesve.

    “Është e rëndësishme që kjo rritje të mundësojë edhe përmirësimin e raportit ndërmjet pjesëmarrjes së pensionit në pagën mesatare, pra me këtë rritje ai raport është 60%, në raport me pagën mesatare. Dhe kjo është masa e sistemit pensional për vlerën e pensioneve”, thotë kryetarja e Sindikatës së Pensionistëve, Stanka Trajkova.

    Gjashtë vite më parë, Qeveria përcaktoi me ligj se pensionet do të korrigjohen rregullisht, dy herë në vit dhe atë në mars dhe shtator. Në vitin 2025, buxheti i Fondit Pensional është rritur në afër 2.3 miliardë euro duke përllogaritur edhe rritjen lineare të pensioneve. Sipas të dhënave të dhjetorit nga Fondi i Sigurimeve Pensionale , në dhjetor 2024, numri i përgjithshëm i përfituesve të pensionit ishte 345.794, nga të cilët 245.929 ishin përfitues të pensionit të pleqërisë, 74.294 të pensionit familjar dhe 25.571 të pensionit invalidor. Të dhënat tregojnë se mbi 330 mijë pensionistë kishin një pension mesatare prej 23.785 denarë .

    Pensioni ushtarak është mesatarisht 32.581 denarë, pensioni i pleqërisë 25.411 denarë, pensioni invalidor 21.320, pensioni familjar 19.200 denarë, ndërsa më i ulët është pensioni bujqësor prej 13.426 denarë. Mbi 34 për qind e pensionistëve marrin pension prej 15.693 denarë dhe deri në 19.409 denarë. Interesant është edhe fakti se 3.186 pensionistë marrin pension mbi 60.000 denarë.

    Një pjesë e madhe e pensionistëve, të cilët nuk kanë pasur paga të larta gjatë jetës së tyre të punës ose të çilëve kontributet janë paguar në një shumë minimale, janë përfitues të pensioneve të ulëta. Ka edhe punëtorë nga firmat dhe fabrikat e falimentuara me pensione të ulëta .Andaj edhe vitin e kaluar ndër kërkesat në protesta ishte edhe vendosja e pensionit minimal prej 18, apo 20 mijë denarë.

    Pagesa e pensioneve për mbi 340.000 pensionistë në vend është një detyrim serioz buxhetor për shkak se Fondi i Sigurimeve Pensionale nuk i mjaftojnë paratë e veta, ku “vrima” mbulohet nga buxheti i shtetit. Paratë që Fondi mbledh në mënyrë të pavarur kryesisht vijnë nga persona që aktualisht janë të punësuar në vend. Secilit punëtor i janë zbritur rreth 18 për qind nga paga bruto për sigurimet pensionale, nga të cilat rreth 11 pikë përqindje shkojnë në Fondin Pensional dhe rreth shtatë pikë përqindje të mbetura në shtyllën e dytë të detyrueshme private. Quhet edhe model solidariteti, kur punonjësit aktualë financojnë pensionistët aktualë. Por ajo 11 për qind, për shembull, në vitin 2018 mjaftonte vetëm për rreth 57-58% të parave të nevojshme për pensionet. Pjesa e mbetur prej 42-43% u mbulua nga buxheti. Pikërisht në atë vit 2018 filloi të zbatohej rregulli për rritjen e pensioneve në përputhje me pagën mesatare dhe koston e jetesës. Në vitin 2019, pjesa e pagës bruto që përfundon në Fondin Pensional ishte rritur me 0,4 pikë përqindje. E gjithë kjo kontribuoi, për herë të parë pas shumë kohësh, në uljen e përqindjes dhe shumës së parave për pensionet e paguara nga buxheti i shtetit. Kështu, në vitin 2022, pesha e buxhetit të shtetit ra ndjeshëm, në rreth 33 për qind të totalit të buxhetit të pensioneve.

    Vetëm në vitin 2024, rritja lineare e pensioneve me pagesën e pensionit të shtatorit i kushtoi shtetit rreth 14 milionë euro në muaj, apo rreth 41 milionë euro deri në fund të vitit. Përmbushja e plotë e premtimit parazgjedhor prej 5000 denarë gjeneron një kosto shtesë prej rreth 200 milionë euro në vit. Andaj, me gjithë deficitet e larta buxhetore dhe borxhit publik, vlerësohet se rritja e pensioneve nuk do të falimentojë buxhetin dhe shtetin, por paratë duhet të vijnë nga diku.

    Sipas projeksioneve buxhetore për vitin 2025, deficiti apo minusi në arkën e Fondit Pensional do të jetë 27%, për të cilin Qeveria do të sigurojë mjete preferenciale në vlerë prej rreth 580 milionë euro. Nëse nuk do të kishte ndodhur rritja lineare, e cila synon uljen e hendekut social, pensionistët do të kishin marrë pensione më të larta vetëm me 4% në vend të 11%. Numri një i Këshillit Fiskal, Gligor Bishev bën thirrje për kujdes ndaj dallimit mes të hyrave dhe të dalave në buxhet. Në afat të gjatë, sipas Këshillit Fiskal, shtoi ai, subvencionet buxhetore për pensione duhet të zvogëlohen dhe të zbresin nën 30 për qind sepse në afat të gjatë tejkalimi i kësaj përqindje është i paqëndrueshëm dhe e bën buxhetin të cenueshëm.

    “Ne mbështesim përcaktimin e Qeverisë, të përçaktuar në Strategjinë Fiskale, që investimet publike duhet të jenë mesatarisht pesë për qind të PBB-së dhe sipas Strategjisë së Zhvillimit 2024-2044, e cila është miratuar edhe nga Kuvendi, ato janë parashikuar në masën 6.5 për qind të PBB-së, me shënimin se nëse fondet nuk shpenzohen për investime gjatë vitit në vijim, nuk duhet të rishpenzohen për shpenzime rrjedhëse”, thekson Bishev.

    Për më tepër sugjerohet të krijohet fondi i investimeve publike, si të ketë një kuantifikim të efekteve buxhetore, pra të ndikimit të masave dhe ligjeve të propozuara në të ardhurat buxhetore, shpenzimet dhe ndaj strategjisë fiskale si dhe të hapet një debat për futjen e një rregulli tjetër fiskal për shpenzimet publike, për rritjen e tyre në lidhje me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe të mos ketë revidim të prioriteteve fiskale në periudhat parazgjedhore. Me fjalë tjera, të mos ketë shpenzime parazgjedhore jashtë mundësive apo të mos harxhohet më shumë se ka para në arkën e shtetit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tragjedia në Koçan, ngjarja më e turbullt e marsit

    Lajmi i rradhës

    Trampi i vendosi RMV-së tarifë prej 33 për qind, Kosovës dhe Shqipërisë 10 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë