Taravari i gatshëm të koalicionojë me VMRO DPMNE-në, nëse votojnë ndryshimet kushtetuese

    Lideri i ASh-së Arben Taravari në një intervistë për Lokalno.mk, nuk e ka mohuar dhe as pohuar mundësinë e koaliconimit me VMR-DPMNE-në, por tha se kjo do të varet nga mbështetja e ndryshimeve kushtetuse, që aktualisht VMRO-ja nuk i përkrah. Por nëse i përkrah, Taravari la të nënkuptohet se ka hapësirë për koalicion. Nga ana tjetër lidhur me kryeministrin e parë shqiptar, Taravari tha se kjo ide do të nënkuptonte një hap të rëndësishëm drejt gjithëpërfshirjes dhe përfaqësimit etnik, por me këtë rast është thelbësore që çdo kandidat, pavarësisht prejardhjes etnike, të mishërojë vlerat e demokracisë, gjithëpërfshirjes dhe angazhimit për përparimin e të gjithë kombi.

    “Aleanca për Shqiptarët do të fokusohet në vazhdimësi në reformat thelbësore kushtetuese, qëllimi parësor i të cilave është integrimi i shtetit në Bashkimin Evropian. Do të theksoj sërish se këto reforma janë më të rëndësishmet. Ne të gjithë duhet të largohemi prej andej. Pikërisht për këtë, gatishmëria jonë për të formuar një koalicion do të varet nga mbështetja e këtyre ndryshimeve kritike dhe nga një vizion i përbashkët për të ardhmen e vendit tonë në BE. Ne do të bashkëpunojmë vetëm nëse të gjithë i përmbahemi vazhdimisht prioriteteve të këtyre synimeve kombëtare”, tha Taravari.

    Në shqyrtimin e kandidatit presidencial, Taravari u shpreh se fokusi i tyre primar është cilësia dhe aftësia për të udhëhequr vendin tonë.

    “Presidenca është simbol i unitetit dhe duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ndërsa ideja e presidentit të parë shqiptar do të nënkuptonte një hap të rëndësishëm drejt gjithëpërfshirjes dhe përfaqësimit etnik, është thelbësore që çdo kandidat, pavarësisht prejardhjes etnike, të mishërojë vlerat e demokracisë, gjithëpërfshirjes dhe angazhimit për përparimin e të gjithë kombi”, tha ai.

    I pyetur se si e vlerësoni hyrjen në vend të Vetëvendosjes së kryeministrit Kurti dhe pjesëmarrjen e tyre, së bashku me opozitën e bashkuar shqiptare (LEN) në zgjedhjet e ardhshme, Taravari tha se kjo është dëshmi e natyrës dinamike të demokracisë sonë.

    “Si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, besoj në ruajtjen e një qëndrimi të ekuilibruar dhe pragmatik ndaj zhvillimeve politike. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në peizazhin politik të vendit tonë, veçanërisht në koalicion me LEN, është dëshmi e natyrës dinamike të demokracisë sonë. Përderisa kjo sjell perspektiva të reja në diskursin tonë politik, është thelbësore të vlerësohen këto zhvillime në kuptimin e ndikimit të tyre të mundshëm në harmoninë ndëretnike dhe unitetin kombëtar. Fokusi ynë mbetet në inkurajimin e një mjedisi për bashkëpunim ku të gjitha subjektet politike do të punojnë së bashku drejt qëllimit të përbashkët për avancimin e interesave të Maqedonisë së Veriut, si brenda vendit ashtu edhe në rrugën drejt integrimit në BE”, tha Taravari.

    Kujtojmë se me 4 dhjetor, liderët e partive parlamentare arritën marrëveshje për datat e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Raundi i parë i garës për kreun e shtetit do të mbahet më 24 prill, kurse raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Edhe 24 prilli edhe 8 maji 2024 janë ditë e mërkurë.

    Kryeministri Kovaçevski pas takimit tha se sipas ligjit nga 28 janari do të ketë Qeveri teknike, përkatësisht Qeveri të Përzhinos dhe do të përmbushet obligimi ligjor që ka si kryeministër.

    Nga ana tjetër, më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

    Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

    Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

    Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

    Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

    Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

      Lajmi Paraprak

      Vendet e BE-së ashpërsojnë ligjet e migracionit

      Lajmi i rradhës

      Shtatë fobitë më të çuditshme që ekzistojnë

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë