Për pushtetin, ribalanci është për rritje, zhvillim dhe stabilitet, ndërsa opozita e kundërshton me akuza – po merren para nga qytetarët për të mbuluar luksin e qeverisë. Debati në komisionin kuvendor për ribalancin e buxhetit do të zgjasë dhjetë ditë, pas së cilës do të shkojë për votim në seancë plenare. Arkën e rishikuar të shtetit para deputetëve e shpjegoi dhe e mbrojti zëvendësministri i financave, Nikollçe Jankullovski.
“Me projeksionet fiskale të rishikuara, po bëhet harmonizimi i shpenzimeve me realizimin e deritanishëm dhe pritjeve, përkatësisht sigurohen mjete shtesë për pagesën e pagave, pensioneve, aktiviteteve programore dhe projekteve, duke shfrytëzuar njëkohësisht mjetet e viteve të kaluara në llogaritë speciale”, tha Nikollçe Jankullovski – zëvendësministër i Financave.
Janë dorëzuar gjithsej 226 amendamente, nga të cilat 160 nga opozitarja LSDM. Midis tyre është ndarja e 934 milionë denarëve për mbështetje financiare për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve në Koçan; 60 milionë denarë për renovimin e spitalit të Koçanit dhe 20 milionë për pajisje të reja, rritje të bursave për studentë dhe të tjera.
“Me këtë ribalanc, pushteti po i ul subvencionet dhe transfertat sociale për 30 milionë euro. Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj bujqve, punëtorëve, familjeve me të ardhura të ulëta dhe kategorive të cenueshme sociale. Ndërkohë, po rriten shpenzimet për mallra dhe shërbime për qeverinë – që do të thotë më shumë papaja, mango, avionë privatë dhe aventura të shtrenjta për funksionarët. Kjo është një poshtërim i turpshëm. Qeveria zgjodhi të mbrojë luksin e saj dhe jo standardin e popullit”, u shpreh Sanja Lukarevska – deputete e LSDM-së.
Këshilli Fiskal ka paralajmëruar për rreziqet. Kredia prej 6 miliardë eurosh nga Mbretëria e Bashkuar do ta rrisë borxhin publik.
“Morëm dy skenarë. Me investime shtesë prej 2 miliardë eurosh – njëri skenar parashikon realizim për 3 vjet, tjetri për 5 vjet. Dhe del se, në vend të uljes së borxhit publik, do të ketë një rritje të lehtë. Në skenarin e parë, borxhi do të arrinte në 65%, në të dytin në 63%”, potencoi Gligor Bishev – kryetar i Këshillit Fiskal.
Përndryshe, me ribalancin e buxhetit, qeveria planifikon të shpenzojë 6.56 miliardë euro, ndërsa të mbledhë nga qytetarët dhe ekonomia rreth 5.9 miliardë euro. Deficiti buxhetor mbetet 4% e BPV-së, ose 672 milionë euro. Shpenzimet kapitale, mbi të cilat pushteti e bazon zhvillimin dhe rritjen ekonomike, janë 772 milionë euro. Norma e inflacionit është 2.8%, ndërsa borxhi publik është projektuar në 62.1% të BPV-së. /TV21/