Rrjeti 5G | Hapet rruga për operatorin e tretë

    Nga AKE thonë se duke marrë parasysh që Maqedonia është shteti i vetëm në Evropë me vetëm dy operatorë celular, nevojitet të gjendet mënyra të stimulohet hyrja e operatorit të ri që do të mund të ofrojë shërbime në bazë të kushteve të tregut, ku shfrytëzuesi i fundit do të fitojë përfitim maksimal lidhur me zgjedhjen, çmimin dhe cilësinë

    Për katër vite, të gjitha qytetet në vend do të mbulohen me sinjal të 5G, ndërsa deri në fund të vitit 2029 – çdo qytetar do të ketë qasje në internet me shpejtësi minimale prej 100 Mbps. Pritet që kompanitë fituese në tenderin për rrjetin e avancuar të teknologjisë moderne të ofrojë internet më të shpejtë për gati 100 herë sesa e përdorin aktualisht. Thënë ndryshe, Maqedonia e Veriut si shtet aspirues për t’u bashkangjitur në Bashkimin Evropian po përgatitet që deri në fund të vitit 2023, një nga qytetet më të mëdha që sipas të gjithë gjasave, do të jetë Shkupi i mbuluar me sinjalin 5G. Njohësit e kësaj problematike thonë se nuk ka pesë nga asgjë në 5G – ajo thjesht do të thotë “brezi i pestë”, si në gjeneratën e pestë të teknologjisë celulare. 3G ishte brezi i tretë, 4G ishte i katërti, dhe 2023 do të sjellë të pestën.

    Nga ana tjetër, pritet edhe pëlqimi qeveritar për shumën minimale prej 6 milionë euro për kompensim të njëfishtë që do të duhet ta paguajnë operatorët e interesuar. Pas dhënies së dritës së gjelbër nga ekzekutivi do të shpallet edhe tenderi. Nga Agjencia për Komunikime Elektronike sqarojnë se për tu shpallur tenderi publik, Qeveria duhet të përcaktojë çmimin minimal dhe më pastaj pason edhe ankandi publik ku pritet të rriten çmimet. Në garë, përskaj kompanive ekzistuese në treg si A1, Telekomi dhe Neotel – është edhe kompania e re Bistrim që në fakt nënkupton edhe hyrjen e operatorit të tretë në tregun vendor të telekomunikacionit, andaj AKE propozon çmime më të ulëta për të. “Për të nxitur hyrjen e operatorëve të ri, propozojmë që ndihma, apo lartësia e pagesës për operatorin e ri celular të jetë 50 për qind më e vogël në raport me ato ekzistuese”, thotë Igor Bojaxhiev nga AKE. Sipas tij, pas përfundimit të procedurave , apo pas miratimit të lejeve është e pritshme që operatori të fillojë menjëherë me ndërtimin e rrjetit dhe të fillojë me ofertat për konsumatorët më së fundi deri në vitin 2023.

    Nga AKE thonë se operatori i ri pritet jo vetëm të ndërtojë rrjet cilësor, por edhe të ofrojë çmime reale të tregut për shërbimet celulare të telekomunikacionit, që nënkupton edhe liberalizim të mëtejshëm në treg. Njëherësh nga ky trup rregullator thonë se duke marrë parasysh se Maqedonia është shteti i vetëm në Evropë me vetëm dy operator celular , nevojitet të gjendet mënyra të stimulohet hyrja e operatorit të ri që do të mund të ofrojë shërbime në bazë të kushteve të tregut ku shfrytëzuesi i fundit do të fitojë përfitim maksimal lidhur me zgjedhjen, çmimin dhe cilësinë. Gjithashtu parashikohet që të ndahen dy frekuenca apo dy leje me nga 10 megaherc dhe një leje me 100 megaherc. Ekspertët thonë se teknologjia 5 G do të mundësojnë shkarkimin e një filmi për disa sekonda, ndërsa shpejtësia e madhe e bartjes të së dhënave pritet të sjellë përfitime të shumta edhe në transport, energjetikë, industri, shëndetësi, banka, shërbime komunale , mediat apo industria e zbavitjes. Profesori universitar Toni Janevski thotë se deri në vitin 2025 edhe më tej do të dominojë 4G teknologjia , ndërsa do të duhet kohë që të implementohet teknologjia e re 5G, që do të duhet të zgjerohet në tregun e shërbimeve celulare në ndonjë vend të caktuar. Sipas tij, vendosja e teknologjive të gjeneratave të reja nuk bëhet në mënyrë të izoluar, por përmes harmonizimit rajonal dhe global të teknologjive celulare që shfrytëzohen. Me fjalë të tjera asnjë shtet nuk e realizon një proces të tillë në mënyrë të pavarur.

    “Sot ka një rëndësi të madhe dhe kyçe që të gjithë të kenë qasje ndaj internetit me cilësi të kënaqshme përfshirë edhe rrjetet fikse dhe celulare. Kjo është kushti i parë për digjitalizimin e të gjithë institucioneve dhe bizneseve. Njëherësh edhe digjitalizimi i sistemit arsimor, i shëndetësisë apo shërbimeve që ofron shteti apo komunat janë gjithashtu të rëndësishme”, shton Janevski. Kjo kërkon edhe trajnimin dhe mësimin e të gjithë palëve të prekura që të mundet të ketë përfitime reale nga vetë digjitalizim për të gjithë shoqërinë shton ai. Si shtet në sferën e telekomunikacionit nuk mbetemi aspak pas shteteve më të zhvilluara në botë, për shkak se krijojmë kuadro cilësore që mund tu bëjnë ballë trendeve të digjitalizimit dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në digjitalizimin e të gjitha aspekteve te jetesës dhe të gjithë sektorëve të biznesit. Ekzistojnë shumë funksione që janë digjitalizuar, të tjera që mund të digjitalizohen, mirëpo ky është një proces që duhet të realizohet në vazhdimësi, por që edhe po zhvillohet dhe mbi ndërtohet në vazhdimësi përfundon Janevski./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Pagat mbi 1 mijë euro, humbjet miliona euro

    Lajmi i rradhës

    Delegacionet e afganëve dhe talibanëve takohen në Doha

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë