Rrjeti i vjetruar i sistemit shpërndarës të ujit të pijshëm në Tetovë, në shumë lagje shkakton probleme të mëdha. Ky rrjet që është i vjetër mbi gjashtë dekada, krahas që ka gypa të vjetër po ashtu i njëjti nuk mund të mbulojë të gjitha nevojat për qytetin e Tetovës për shkak se kur është instaluar ishte projektuar për një numër më të vogël të popullatës, kurse sot, Tetova ka numër dyfish më të madh të banorëve.
Përveç që ka defekte të mëdha, sistemi aktual në shumë lagje, problem në vete është se nuk mund të lëshohet sasi më e madhe e ujit, shkaku se ky sistem nuk mund ta përballojë presionin. Tërë kjo situatë, ka bërë që shpesh herë disa lagje në Tetovë kanë patur mungesë sistematike të ujit. Së fundmi, Nërmarrja Publike “Sharri”, ka filluar punimet për zëvendësimin e linjave të vjetra të ujësjellësit në disa lagje të qytetit. Aktualisht, punimet po zhvillohen në lagjen Drenovec, ku po ndërrohen tubacionet e amortizuara me linja të reja dhe të kapaciteteve të duhura.
“Ujë ka mjaftueshëm për furnizim në qytet por për shkak të rrjetit të vjetruar uji nuk arrin deri tek të gjithë shtëpitë në qytetin e Tetovës. Kemi filluar me punimet prej lagje Drenovec, lagje e cila realisht ka më shumë probleme. Do të vazhdohet me punë në lagjen e Lubotenit, pastaj vazhdojmë me punë në lagjen Dereboj, pasi që nga rrjeti i vjetruar uji nuk mund të arrin në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. Këto investime realizohen me mjete të Ndërmarrjes Publike Sharri dhe komunës së Tetovës”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Sharri”.
Sipas tij, intervenimet e ardhshme do të realizohen në ato rrugë ku do të rikonstruohen dhe paralelisht me infrastrukturën rrugore do të zëvendësohet edhe rrjeti i ujësjellësit.
“Këto intervenime presim që të përmirësojnë gjendjen me ujin e pijshëm. Pas ndërrimit të rrjetit sekondar në lagjen Drenovec, tash situata paraqitet më stabile me ujin e pijshëm”, deklaroi Zeqiri.
Nga kjo ndërmarrje thonë se ky projekt do të vazhdojë pa ndërprerje në të gjitha lagjet e Tetovës, aty ku ka nevojë për zëvendësimin e rrjetit të vjetër, deri në modernizimin e plotë të sistemit të ujësjellësit për gjithë qytetin. Ndërkaq, problemi me rrjetin sekondar të ujit është i kamotshëm. Punëtorët e ndërmarrjes që menaxhon me ujin, intervenojnë shpesh herë dy ose tre herë në këtë sistem brenda ditë për të sanuar defektet që paraqiten. Pushteti lokal edhe në të kaluarën edhe tash, nuk ka buxhet të mjaftueshëm që të bëjë ndërhyrje të përgjithshme në rrjetin sekondar për shkak të kostos së lartë, prandaj ndërrimi i gypave bëhet në vetëm ato lagje ku ka ndërhyrje në infrastrukturën rrugore.
Apelohet tek qytetarët të cilët hasin në vështirësi në furnizimin me ujë tëpijshëm, të paraqiten pranë zyrave të ndërmarrje ku do të shqyrtohet çdo rast dhe do të gjendet zgjidhje e menjëhershme. /Koha/