Rruga e Arbërit ka ndikuar dukshëm në rritjen e frekuencës së udhëtarëve në vendkalimin kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në këtë vendkalim kufitar, që ndodhet në afërsi të Dibrës, gjatë katër muajve të fundit kanë kaluar 496.705 udhëtarë, ose 49 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas lëshimit në përdorim të “Rrugës së Arbërit” nga Qeveria e Shqipërisë, distanca Tiranë-Bllatë, e cila më parë ishte 179 kilometra, tani është shkurtuar në vetëm 74 kilometra. Cilësia e rrugës dhe afërsia që tashmë ka Dibra me Tiranën kanë bërë të mundur që dibranët, por edhe qytetarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut, të arrijnë shumë më shpejt jo vetëm në kryeqytetin shqiptar, por edhe në Durrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Muajve të fundit, përmes vendkalimit kufitar “Bllatë” po udhëtojnë drejt Shqipërisë edhe banorë nga Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Struga. Megjithatë, rritja e frekuencës ka sjellë edhe pritje më të gjata në kufi, pasi numri i udhëtarëve po shtohet nga dita në ditë.
Sot, në vendkalimin kufitar pranë Dibrës, takuam katër udhëtarë nga Struga, të cilët po udhëtonin drejt Tiranës. “Është hera e parë që udhëtojmë për në Tiranë përmes këtij vendkalimi kufitar, pasi zakonisht kemi kaluar nga Struga përmes vendkalimit ‘Qafë Thanë’. Por sot vendosëm të vijmë nga Dibra dhe të kalojmë përmes ‘Bllatës’, sepse kemi dëgjuar se rruga është shumë më e shkurtër. Këtë na e kanë thënë edhe bashkëqytetarë tanë nga Struga që kanë udhëtuar më herët drejt Tiranës përmes këtij vendkalimi”, tha S.V. nga Struga. Ai shtoi se në rrugën nga Qafë Thana drejt Elbasanit shpesh zhvillohen punime infrastrukturore, gjë që e zgjat udhëtimin, ndërsa rruga përmes Dibrës dhe Bllatës mundëson mbërritje më të shpejtë në Tiranë.
Rritja e frekuencës ka sjellë edhe pritje më të gjata në kufi. Sot, në disa momente, pritjet kanë arritur deri në 70 minuta. Udhëtarët, si nga Maqedonia e Veriut ashtu edhe nga Shqipëria, vlerësojnë se në vendkalimin “Bllatë” duhet të vendoset regjimi i një kontrolli të përbashkët kufitar, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe uljen e pritjeve. /Koha/






