Rrugët në Tetovë vazhdojnë të jenë me gropa dhe çarje të asfaltit

    Shumë rrugë në Tetovë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Infrastruktura e rrugëve në Tetovë mjerisht dëmtohet shumë shpejt, edhe në ato rrugë që janë asfaltuar para dy apo tre viteve. Kryesisht kemi të bëjmë me rrugë ku hapen gropa, ka çarje të asfaltit, ndërsa nuk mungojnë edhe prerjet e qëllimshme të asfaltit për të vendosur infrastrukturë nëntokësore. Këto rrugë janë brenda lagjeve në Tetovë, të cilët janë lënë pa përkudesje dhe mirëmbajtje të rregullt. Kjo ka bërë që në këto rrugë – qarkullimi të jetë i vështirësuar për vozitësit, të cilët dëmtojnë automjetet e tyre. Për sanimin e infrastrukturës, Komuna e Tetovës ka ndarë një buxhet në vlerë prej 1.2 milion euro, njoftoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    “Këtë vit kemi riparuar disa rrugë dhe vazhdojmë të riparojmë, por pasi bëhet fjalë për një infrastrukturë të zgjeruar të rrugëve, unë veçmë e kam planin në tavolinën time dhe bëhet fjalë për një investim që duhet të bëhet në vlerë prej 1.2 milion euro, ku do të përfshihet sanimi i të gjitha rrugëve kryesore dhe dytësore në Komunën e Tetovës. Ne një pjesë e kemi realizuar, por sigurisht një pjesë e konsiderueshme do të duhet të paraqitet në vitin 2023, të parashihen mjete në Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe të vazhdojë me të njëjtën dinamikë”, deklaroi Kasami.

    Kreu aktual i Komunës së Tetovës fajëson ish-përbërjen e Komunës së Tetovës se sanimi i rrugëve nuk është bërë sipas standardeve, prandaj edhe do të duhet kohë të përmirësohet infrastruktura rrugore në Tetovë. Ai thotë se tashmë sanimet bëhen sipas të gjitha standardeve dhe nuk do të ketë nevojë që sërish të intervenohet për disa vite me radhë.

    “Ajo që nuk është bërë viteve të kaluara nuk mund të pretendojmë ta bëjmë për një vit, por do të na duhet një periudhë permanente e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe dua të potencoj se rrugët që sanohen, nuk sanohen sot për nesër, por ato rrugë bëhen me të gjitha standardet që së paku në një periudhë 10-vjeçare, të mos kthehemi sërish të intervenojmë aty ku veçmë është bërë sanimi”, tha Kasami.

    Kryesisht, rrugët gjithnjë dëmtohen nga mos mirëmbajtja, shtruarja pa asnjë standard e tyre dhe hedhja e kripës dhe rërës gjatë sezonit dimëror. Krahas shumë rrugëve të dëmtuara, shembulli më i keq se rrugët nuk asfaltohen sipas standardeve është rruga nga shkolla shtetërore e muzikës e deri tek rrethrrotullimi afër stadiumit të qytetit, e cila edhe pse nuk ka dy apo tre vite që është shtruar me asfalt, megjithatë është dëmtuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Subvencionet bujqësore që nuk bëjnë punë!

    Lajmi i rradhës

    SPB Tetovë: Shpeshherë zjarret shkaktohen nga oxhaqet e dëmtuara apo të papastruara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë