Subvencionet bujqësore që nuk bëjnë punë!

    Maqedonia e Veriut në periudhën e kaluar ka derdhur afër 100 milionë euro për subvencione bujqësore, mirëpo rendimentet në blegtori janë zvogëluar dhe nuk janë rritur.

    Me fjalë tjera, “mbretëresha” e prodhimtarisë bujqësore siç cilësohet blegtoria në çdo vend të botës, që sjell edhe më shumë të ardhura për fermerët dhe shtetin, po shënon ngecje. Këtë e mbështesin edhe të dhënat për rënien e prodhimtarisë së qumështit në vend nga 394.334 mijë litra në vitin 2010 në 326.523 mijë litra në vitin 2021. Njëherësh është ulur apo është përgjysmuar edhe prodhimtaria e mishit të viçit nga 7307 tonë në vitin 2010 në 4214 tonë. Ulje shënon edhe prodhimtaria e vezëve nga 335.820 mijë në vitin 2010 në 130.914 mijë në vitin 2021. Rënie në gati 10 vitet e fundit shënon edhe prodhimtaria e mishit të pulës nga 3236 në 1695 tonë.

    Kohë më parë, edhe nga Oda Ekonomike kanë bërë thirrje për ndryshimin e modelit të subvencionimit për shkak se përkundër investimit të mbi një miliardë euro të subvencioneve në bujqësi, ato ngadalë po japin rezultate, po zvogëlohet fondi i kafshëve dhe ka rendiment nën katër tonë për hektar në mesatare për grurë. Nga atje kanë kërkuar ndarjen e subvencioneve, jo sipas sipërfaqes bujqësore, po sipas kilogramëve të dorëzuar të prodhimeve bujqësor në objektet e regjistruara të përpunimit të regjistruar, ndryshimi i asortimentit, konsolidimin apo bashkimin e tokës, rregullimi infrastrukturor dhe digjitalizimin e zonave rurale, krijimin e kooperativave….

    Në ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë rënie edhe në prodhimtarinë bujqësore në periudhën 2014-2021, dhe atë të orizit nga 30.500 tonë në 18.962 tonë oriz, të lulediellit nga 8 tonë në 5532 tonë, të domateve nga 173.434 në 117.897 tonë, patateve nga 199.651 tonë në 179.815 tonë.

    Shënohet edhe rënie e prodhimtarisë së duhanit nga 27.578 tonë në 24.329 tonë. Rritje shënohet vetëm te specat – nga 189.442 tonë në 222.926 tonë, ulje e butë e prodhimit të mollëve nga 95.684 tonë në 92.863 tonë molla, dhe ulje e butë e prodhimit të kumbullave nga 33.101 tonë në 27.031 tonë. Ekspertët e bujqësisë thonë se subvencionet së paku kanë mbajtur interesimin për tu marrë me bujqësi dhe blegtori, mirëpo tani nevojitet një model i ri, prej të cilit do të kenë leverdi edhe fermerët e vegjël që nuk duhet të anashkalohen, por edhe fermerët më të mëdhenj si dhe kompanitë më të mëdha. Për më tepër, shpjegojnë agronomët, vështirë po arrihen edhe qëllimet kryesore të mbështetjes financiare të fermerëve si sigurimi i ushqimit cilësor dhe me sasi të mjaftueshme për popullatën, si dhe përafrimi i bujqve tanë me standardet evropiane. Apo me fjalë të tjera – shumë ngadalë po rritet konkurrenca e bujqësisë vendore karshi asaj evropian dhe të rajonit me rritjen e rendimenteve dhe të ardhurave.

    Nga dikasteri i bujqësisë thonë se modeli i ri duhet të sigurojë një pagesë më të shpejtë për fermerët, të cilët duhet të kenë para me kohë për të filluar prodhimtarinë e re apo të mbjellat. Baza e këtij modeli është parapagesa subvencioneve, pra 30 për qind e totalit të subvencioneve fermerët ti marrin para së të përfundojnë kontrollet administrative në Agjencinë e Pagesave. Apo, me vetë regjistrimin do të marrin 30 për qind subvencione për të filluar prodhimin. Pjesën tjetër do ta marrin kur të dëshmojnë se e kanë dorëzuar rendimentin.

    Thënë ndryshe, do të lidhet subvencioni bazë me tokën e punueshme, ndërsa ato shtesë lidhen me dëshminë se janë prodhuar kultura bujqësore që do t’u dorëzohen blerësve, tregtarëve ose përpunuesve të regjistruar, ku do të përcaktohet një rendiment/sasi minimale që duhet të arrijnë fermerët. Kjo do të thotë se nuk mund të merren subvencione për vreshtat dhe pemishtet e braktisura për të cilat fermerët nuk kujdesen ose që mirëmbahen vetëm për të marrë subvencione.

    Synohet edhe eliminimi i ekonomisë gri, me faktin se nuk do të ketë subvencione shtesë për prodhimet që do të kalojnë në tregun e zi, të paregjistruar, dmth. mbledhës të egër, tregtarë ose përpunues. Në prodhimtarinë blegtorale propozohet që pagesa të jetë për kokë, për tufën themelore dhe rritjen e shumës për mbështetje. Modeli gjithashtu do të reduktojë mundësitë për abuzim, pasi do të ketë kontrolle shumë më të mëdha nga Agjencia e Pagesave. Pra, qëllimi është të arrihet një kontroll më i madh mbi përdorimin e këtyre fondeve.

    Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, thotë se me modelin e ri që do të zbatohet nga viti i ardhshëm , fermerët nuk do të mund të marrin të gjithë subvencionin menjëherë si deri tani, por pjesa e parë do t’u paguhet paraprakisht apo avans në bazë të pronësisë së tokës, ndërsa pjesa tjetër do t’u paguhet pasi fermerët të vërtetojnë se kanë prodhuar dhe shitur një produkt strategjik tek tregtarët e licencuar. Pritet të përcaktohen edhe kulturat strategjike, që janë me interes kyç për shtetin.

    Sipas ministrit, me modelin e ri të propozuar, mbetet e njëjtë shuma e subvencioneve dhe nuk shkurtohen mjetet financiare për mbështetje, dhe as fermerët nuk dëmtohen, por mjetet rishpërndahen në më shumë programe mbështetëse. Pagesat shtesë, sipas propozimit, do të paguhen vetëm për një numër të caktuar kulturash, të cilat do të përcaktohen në aspektin strategjik së bashku me fermerët përmes nën-grupeve për ato kultura gjatë pagesës.

    Gjithashtu, ky model subvencioni përskaj se u jep përparësi kulturave dhe produkteve me rëndësi strategjike për shtetin, do të përshpejtojë procesin e marrjes së subvencioneve dhe synon ti jep fund abuzimeve me mbështetjen financiare apo subvencionet. Ndryshe, qëllimi i konceptit të ri është që subvencionet të mbështesin qëndrueshmërinë afatgjatë të fermerëve aktivë, për të cilët aktiviteti kryesor është bujqësia, mirëmbajtja e tokës bujqësore dhe rritja e prodhimtarisë së ushqimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Poezi nga Dritëro Agolli

    Lajmi i rradhës

    Rrugët në Tetovë vazhdojnë të jenë me gropa dhe çarje të asfaltit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë