RRYMA, SHQETËSIMI KRYESOR KËTË DIMËR

    Gjatë vitit që lamë pas, banorët e qytetit të Dibrës, por edhe të disa fshatrave përreth, janë ballafaquar vazhdimisht me ndërprerje të energjisë elektrike. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh jo vetëm te qytetarët, por edhe te sektori i biznesit. Ndërprerjet kanë qenë të shpeshta, ndërsa reagimet e banorëve të kuptueshme, deri në atë pikë sa në disa raste janë ngritur edhe iniciativa për organizimin e protestave. Veçanërisht problematike ka qenë situata gjatë sezonit dimëror, duke pasur parasysh faktin se një pjesë e madhe e dibranëve përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

    Krahas kësaj, qytetarët kanë shprehur ankesa të shumta edhe për funksionimin e zyrës së EVN-së në Dibër, e cila është e hapur vetëm dy ditë në javë, ndërsa ditët e tjera punonjësit ndodhen në terren. Në të kaluarën, Elektrodistribucioni në Dibër kishte mbi 30 të punësuar, ndërsa sot ky numër është reduktuar ndjeshëm, me vetëm disa punonjës aktivë, ndërkohë që EVN-ja drejtohet nga Struga.

    Me qëllim të tejkalimit të problemeve me furnizimin me energji elektrike dhe përmirësimit të shërbimeve, përfshirë edhe lidhjet e reja, kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka zhvilluar një takim me udhëheqësen e EVN-Strugë, Slavjanka Gjorgjievska. Gjatë këtij takimi, Mela ka theksuar se problemet me të cilat përballen dibranët duhet të adresohen dhe të zgjidhen sa më shpejt.

    Sipas informatave të publikuara nga Komuna e Dibrës, kryetari Mela ka nënvizuar se bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për shërbimet publike është thelbësor për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe për realizimin e investimeve të qëndrueshme. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e EVN-së kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe për adresimin e nevojave të qytetarëve. “Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Dibrës dhe EVN-së në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës energjetike, zhvillimit të projekteve të reja dhe përmirësimit të procesit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve”, ka deklaruar Mela, duke shtuar se është kërkuar tejkalimi i të gjitha problemeve me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në vendbanimet rurale.

    Qytetarët e Dibrës shpresojnë se këtë vit situata do të përmirësohet dhe se qyteti, bashkë me fshatrat përreth, nuk do të përballet më me probleme të ngjashme si në vitin 2025 dhe vitet e mëparshme. Përveç ndërprerjeve të shpeshta, një shqetësim serioz mbetet edhe linja e largpërçuesit që kalon mbi shtëpitë e banorëve në lagjen e re të qytetit, ku ndodhet edhe shkolla e mesme “28 Nëntori”, si dhe trafostacionet e vjetruara në disa pjesë të qytetit dhe fshatrave.

    Biznesmeni dibran, Fisnik Ambari, në një prononcim për mediat, ka deklaruar se nga EVN-ja ka pasur shumë ndërprerje të energjisë elektrike në Dibër.

    “Besoj se ky takim i kryetarit Mela do të ketë ndikim pozitiv, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi shkëputje nga rrjeti, ose të paktën, në rast të problemeve me furnizimin nga Hidrocentrali i Glloboçicës, të furnizohemi nga Hidrocentrali i Shpilës, siç ka qenë më parë”, ka thënë ai.

    Ndërkohë, për gazetën Koha, një banor i pjesës qendrore të Dibrës, Qenan M., shprehet se ndërprerjet e një ose dy fazave kanë qenë të shpeshta. “Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dëme kanë pësuar edhe objektet afariste që zhvillojnë aktivitetin e tyre në qendër të Dibrës. Këto dëme nuk i kompenson askush”, thekson ai.

    Lajmi Paraprak

    ‘Qyteti i Sigurt’ do të dërgojë edhe foto – si do të paguhen gjobat?

    Lajmi i rradhës

    “Qyteti i Sigurt” / Tetova me kamera, por pa sinjalistikë rrugore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë