Rrymën e paguajmë sa hungarezët, ndërsa kemi me paga dyfish më të vogla

    Përkundër subvencionimit të energjisë elektrike nga ana e shtetit, megjithatë çmimi i këtij energjensi mbetet i lartë për qytetarët në raport me të ardhurat mujore. Edhe pse kompetentët në vend shpesh theksojnë se kemi çmime të ulëta të energjisë elektrike në raport me shtetet e rajonit, megjithatë analizat e ndryshme tregojnë se tek ne edhe të ardhurat mujore janë më të ulëta karshi vendeve ku energjenset janë më të shtrenjta, por kanë të ardhura mujore shumë më të larta.

    Në Maqedoninë e Veriut, çmimi i rrymës është 9.46 euro cent për një kilovat orë në raport me 511 euro të pagës mesatare. Kjo sa për ilustrim është gati e njëjtë me Hungarinë me paga mesatare prej 885 euro dhe koston e një kilovati të energjisë elektrike prej 9.4 euro cent. Afër çmimeve tona është Bosnje Hercegovina me paga prej 554 ero dhe çmim prej 9.96 euro.

    Në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Mal të Zi , Bosnje e Hercegovinë, Bullgari dhe Serbi, çmimi i energjisë elektrike është më pak i disponueshëm se në Kroaci, për shkak se pagat janë më të ulëta në raport me Kroacinë, se sa është energjia elektrike më e lirë.

    Nga shtetet e rajonit, çmimi i rrymës për një kilovat orë në Bullgari është 11.1 euro cent me një pagë mujore prej 686 euro që i bie se edhe qytetarët e Bullgarisë e paguajnë më lirë energjinë elektrike se ne. Në Mali të Zi me paga më të larta karshi nesh, prej 718 euro paguajnë rrymë me 10.38 euro cent që nënkupton se qytetarët e këtij shteti e paguajnë rrymën edhe më lirë se ne në raport me të ardhurat mujore.

    Në Serbi, çmimet janë të përafërta me ato te ne me paga prej 621 euro dhe kosto të energjisë elektrike prej 9.73 euro cent. Në Kroaci çmimi është 14.62 euro cent për kilovat orë, ndërsa paga është 1024 euro. Paga në Slloveni është 1304 euro, përderisa rryma paguhet me një çmim prej 16.9 euro centi për kilovat orë. Punonjësit në Austri me pagë prej 3053 euro, paguajnë 26.16 euro cent, ndërsa në Itali me paga më të ulëta se Austri prej 1740 euro paguajnë 33.57 euro cent për kilovat orë.

    Në ndërkohë, shumica e shteteve vendosën masa me të cilat u përpoqën të parandalojnë dëmtimin e standardit jetësor të amvisërive si rrjedhojë e rritjes së madhe çmimeve nga tregu me shumicë në bursat e rrymës. Qeveria së fundmi po subvencionon gati 80 për qind të rrymës për amvisëritë duke ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kompanitë prodhuese të rrymës.

    Me fjalë të tjera, qeveria një pjesë të parave të qytetarëve nga Buxheti i transferon ndaj Elektro Ekonomisë së Maqedonisë si shoqatë i aksionare shtetërore. Me këtë mbulohen humbjet e centraleve shtetërore për prodhimin e rrymës në kushtet kur çmimi i prodhimit të energjisë elektrike është rreth 68 euro për megavat orë si çmim prodhues pa fitim dhe humbje, për megavat orë. Me humbjet e mbuluara, centralet shtetërore ia shesin furnizuesit universal EVN Home, për 47 euro për megavat orë.

    Masa të ngjashme janë futur nga vendet në të gjithë BE-në dhe në fqinjësi. Sipas informacioneve nga bursa elektrike e energjisë në Budapest, që është pikë referimi për tregun e rajonit, çmimi mesatar deri në vitin 2021 ishte 113.86 euro për megavat orë, ndërsa në gjashtë muajt e parë të viti 2022 çmim mesatar i rrymës ishte 215.39 euro për megavat orë. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar, çmimi i rrymës ishte 59.53 euro për megavat orë, në tremujorin e dytë ishte 53.32 euro, në tre mujorin e tretë ishte 91.99 euro për të arritur në 180.88 euro për megavat orë në tremujorin e katërt të vitit 2021. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Banka Botërore: Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve mund të rrisin nivelin e varfërisë në Shqipëri

    Lajmi i rradhës

    PAPUNËSIA DO TË GODASË MË RËNDË MAQEDONINË!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë