Sa hapen dyqanet, shpejt edhe mbyllen!

    Viteve të fundit biznesmenët dibran për shkak të krizës ekonomike, uljes të numrit të popullatës por edhe problemeve që kanë me marrjen e kredive vështirësojnë zhvillimin e bizneseve të tyre. Kjo dukuri është prezente te biznesmenët të cilët merren me tregti. Ata shpesh janë të detyruar të hapin dyqane për biznese të ndryshme por ndodh që shumë shpejt në një afat të shkurtër t’i mbyllin ata dyqane meqë nuk ka punë.

    Në shumë dyqane në rrugët kryesore të Dibrës mund të lexoni në një copë letër ku shkruhet “Dyqani jepet me qira ose shitet”. Dyqani ka një dry në derën dhe nga dritarja shihet se është i boshatisur dhe i pluhurosur. Për fat të keq kjo ndodh edhe në vendet e frekuentuara. Dukuria në fjalë flet qartë për krizën ekonomike me të cilën ballafaqohet një pjesë e biznesmenëve lokal që merren me tregti. Takuam disa nga pronarët e objekteve afariste të cilët kanë probleme me aktivitetin e tyre tregtar. Ata thonë se dukshëm ka rënë puna dhe nuk “ia vlen barra për qeran”. T.R. thotë se sidomos probleme të këtilla ka te shitoret të cilët merren me tekstil dhe gardërobë. Ai potencon se ka qenë i detyruar deri tani dy herë të hap biznese të ndryshme dhe ata t’i mbyllin. Me pronarët të cilët i anketuam e që kanë biznese në rrugët kryesore të Dibrës ata thonë se duke filluar nga periudha e pandemisë e deri sot dyqanet hapen dhe mbyllen shumë shpejtë. Po ashtu thonë se pronarët e dyqaneve kërkojnë në kohë pagesën e qirasë derisa sigurisht që edhe punëtorëve duhet me ua bërë pagesën mujore dhe krejt në fund del që drejt për drejt zhytemi në humbje. Kjo situatë pothuajse vlen për të gjithë dyqanet e vogla duke përfshirë ëmbëltoret, bukëpjekësit, byrektoret, kafeteritë etj.

    Në anketën të cilën e realizuam me afaristët e Dibrës, u informuam se ata janë teje të shqetësuar për punën e tyre meqë janë të detyruar shpesh herë të marrin edhe kredi për të mbijetuar krizën që sipas tyre është shkaktuar nga ulja e konsumatorëve.

    Një nga pronarët thotë se Dibra para një dekade sipas statistikave zyrtare me fshatrat kishte mbi 18 mijë banor, ndërsa me regjistrimin e fundit vetëm numri ka rënë nën 15 mijë. Tregu i Dibrës mbijeton kohëve të fundit nga konsumatorët që vijnë nga komunat rurale si Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostush por edhe nga konsumatorët nga viset kufitare të Shqipërisë. Në një situatë kur vazhdon migrimi i popullatës, sipas tyre, ata presin ditë edhe më të rënda meqë pa banorë nuk ka klient. Qytetarët dhe banorët e fshatrave po ashtu për shkak të çmimeve të larta, shpesh herë marrin rrugën e qyteteve të tjera për të blerë sidomos gardërobë për ahengje familjare. Çmimet që janë prezent në tregun dibran janë normalisht më të larta për shkak të transportit dhe sigurimin e tyre prandaj pothuajse tani është bërë krejtësisht normale që për përgatitje të dasmave, dibranët të udhëtojnë për në Gostivar, Tetovë, Shkup, Prizren, Ferizaj ose edhe deri në Tiranë. Prandaj kriza thellohet edhe më shumë.  /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Sa para ruajnë qytetarët në banka?

    Lajmi i rradhës

    “Dhuna me bazë gjinore dhe shkelje e të drejtave të grave”/ Raporti i DASh për Kosovën: Gjyqësori u ndikua nga ndërhyrjet politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë