Pushimet verore në të cilin po gjenden tani nxënësit, u japin një mundësi të mirë për tu relaksuar, për të pushuar mendjen dhe për të bërë gjëra kreative në mënyrë që të përgatiten për vitin e ri shkollor. Mirëpo, një pushim i gjatë veror për ta, a mund të jetë i dëmshëm si shkak i mungesës së stimulimit?
Për këtë psikologët thonë se nuk janë aq të dëmshme sa shihen, sepse nxënësit janë fëmijë e fëmijët kanë nevojë edhe për lojëra, rekreacion dhe pushime.
Psikologja Lindita Mustafa tha për gazetën Koha se sezoni i verës është pikërisht periudha ku fëmijët mund të shprehin emocionet duke kaluar kohën e lirë të relaksuar me familjen.
“Nuk mendoj që atyre u humb kreativiteti,ndoshta largohen nga rutina e shkollës ose humb interesi paksa për të lexuar po ai fëmijë që është kreativ gjithsesi do të gjejë mënyra për ta shprehur atë, qoftë nëpërmjet lojës, artit, apo sportit”, tha psikologja.
Ajo shtoi se për prindërit është e rëndësishme të mos fokusohen vetëm në atë se fëmija duhet të lexojë dhe të jetë i suksesshëm në shkollë, por t’i japin rëndësi kohës me ta, sepse fëmijët kanë nevojë për përkrahje, dashuri, lojë, madje edhe mësimi me ta duhet të jetë në formë loje, që të jetë sa më efektive.
Ndërkaq, për sa i përket leximit te nxënësit, duket se vitet e fundit leximi u bë një “bezdi” për ta, sepse në ekranet e vogla që ata po mbajnë gjatë gjithë kohës, po ka gjëra më interesante që po tërheq vëmendjen e tyre.
Në një bashkëbisedim me nxënësen Lora Ismaili, kuptuam që gjatë sezonit veror po lexohet shumë pak, madje nga temperaturat e larta, ata shpesh po izolohen në shtëpi, duke mos u parë me shokët dhe shoqet e klasës që nga qershori deri në shtator.
“I kam disa lektura që mi ka dhënë motra, mirëpo më shumë lexoj në ajpedin tim se sa në libra, aty ka gjithçka, madje edhe video. Tani temperaturat janë të larta, prindërit nuk na lejojnë të dalim, pjesën e ditës e kalojmë brenda. Ndërsa me shoqet nuk jam parë qysh në qershor, disa janë me pushime e disa në shtëpi. Bisedoj vetëm në telefon”, tha ajo.
Nga ana tjetër, arsimtari i edukatës fizike Rinor Iseni, deklaroi për gazetën Koha se gjatë këtyre tre muajve është e rëndësishme për nxënësit të jenë sa më aktiv, ku në këto temperatura të ngrohta, prindërit mund të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i argëtuar dhe për t’i mbajtur sa më larg telefonave dhe izolimit brenda.
“Kur trupi është aktiv edhe mendja punon me më shumë kreativitet, prandaj prindërit duhet ti angazhojnë fëmijët me lojëra të ndryshme fizike, me qëllim që të kthehen me energji të mbushur në bankat shkollore. Unë si arsimtarë i edukatës fizike bëj thirrje sidomos te nxënësit deri në moshën 17 vjeçare, të merren me aktivitete fizike së paku 60 minuta në ditë dhe të jenë sa më social”, theksoi Iseni.
Ndër të tjera, ai për nxënësit rekomandoi ecjen në natyrë, notin dhe gjumin e plotë dhe të shëndetshëm gjatë këtyre muajve.