Sa kontribuojnë qytetarët e RMV në ndryshimet klimatike?

    Edhe pse sektori i energjetikës, kapacitetet industriale, zjarret nëpër pyje dhe transporti janë bindshëm shkaktarët më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike, kontributi personal i çdo qytetari me ndryshimin e zakoneve të përditshme mund të kontribuojë shumë në reduktimin e emetimeve të gazrave serë. Në planetin tonë jetojnë më shumë se 8 miliardë njerëz dhe nëse secili prej tyre ndërmerr të paktën një veprim klimatik, atëherë rezultati përfundimtar mund të jetë spektakolar, shkruan Meta.mk

    “Sa kontribuoj unë personalisht në ndryshimet klimatike në botë” është pyetja që duhet t’ia bëjë vetes çdo qytetar në vendin tonë. Maqedonia ndodhet në një zonë ku përplaset klima mesdhetare me atë kontinentale, ndërsa të gjithë të moshuarit i kujtojnë reshjet e mëdha të borës në të kaluarën në qytetet siç është Shkupi. Rrejshje të tilla sot nuk ka më, ndërsa fëmijët më të vegjël nga disa qytete, si për shembull nga Gjevgjelia, nuk kanë parë kurrë borë në jetën e tyre.

    Tek ndryshimet klimatike ndikojnë aktivitetet e përditshme që i bëjmë ne si individë, ndërsa qytetarët në Maqedoni duke filluar nga kjo vjeshtë do të mund ta përllogarisin gjurmën e karbonit që ata e krijojnë. Për të gjithë të interesuarit ueb-faqja „Kalkulatori i gjurmës së karbonit“ është në dispozicion në gjuhën maqedonase, e në të ka një kuiz me dhjetëra pyetje të cilave mund tu përgjigjeni.

    Foto nga by <a href="https://unsplash.com/@naja_bertolt_jensen?utm_content=creditCopyText&utm_medium=referral&utm_source=unsplash">Naja Bertolt Jensen</a> / <a href="https://unsplash.com/photos/a-group-of-garbage-floating-in-the-ocean-FxnqdmKBJps?utm_content=creditCopyText&utm_medium=referral&utm_source=unsplash">Unsplash</a>
    Foto nga by Naja Bertolt Jensen / Unsplash

    Në çfarë konsiston dieta juaj, sa para shpenzoni në javë për ushqim dhe ku e konsumoni ushqimin, a hidhni ushqim, cilat mjete transporti i përdorni më shpesh, sa njerëz jetojnë në shtëpinë tuaj dhe si është efikasiteti energjik i objektit, sa para në muaj shpenzoni për veshje dhe këpucë, për kozmetikë, barna dhe produkte të tjera nga farmacitë, si dhe në palestra, spa qendra dhe qendra bukurie. Këto janë vetëm disa nga pyetjet për të cilat kërkohet përgjigje.

    Pasi ta keni zgjidhur kuizin, kalkulatori i “Gjurmës së karbonit” bazuar në përgjigjet e dhëna përllogarit se sa janë emetimet e gazrave serë që ju i prodhoni. Njëkohësisht ju mund të informoheni se sa është gjurma mesatare e karbonit për banor në vendin tonë, por edhe në botë. Ata që duan t’i ndryshojnë zakonet e tyre këtu mund të mësojnë këshilla edukative për atë që mund ta ndryshojnë nga zakonet personale sa  i përket ushqimit, transportit, shtëpisë dhe blerjeve me qëllim reduktimin e gjurmës së tyre personale të karbonit.

    Një kalkulator i tillë te ne mungonte, edhe pse në vendet anëtare të BE-së aplikohet tashmë prej disa vitesh, p.sh. gjatë blerjes online të një bilete avioni ose treni për udhëtim shfaqet edhe sa emetim i gazrave serë do të realizohet gjatë udhëtimit.

    Kalkulatori i “Gjurmës së karbonit” mbështetet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe krahas ueb faqes ekziston edhe një profil i veçantë në  Instagram edhe në Facebook  me përmbajtje informative dhe edukative për ndryshimet klimatike.

    Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk informojnë se ueb-faqja është krijuar në kuadër të projektit “Sa ndotës jam unë”, i cili pjesërisht është përkrahur nga ministria e tyre me mjete financiare në vlerë prej 250.000 denarë, dhe atë përmes aplikimit në Konkursin për ndarjen e fondeve nga Programi për investime në mjedisin jetësor të kësaj Ministrie për vitin 2023.

    Pyje të djegura, ndryshime klimatike. Foto: Meta.mk
    Pyje të djegura, ndryshime klimatike. Foto: Meta.mk

    “Projekti zgjat 5 muaj dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përfshin Përgatitjen e teksteve edukative dhe përmbajtjeve për https://carbonfootprint.mk/ dhe tekste për postime në mediat sociale; krijimin e një kalkulatori për përllogaritjen e gjurmës së karbonit, të publikuar në faqen e internetit, dhe punën për dizenjim. Në pjesën e dytë është paraparë një fushatë në mediat sociale (Facebook dhe Instagram) dhe aktivitete promovuese”, njoftojnë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

    Projekti ka për qëllim të edukojë dhe të rrisë vetëdijësimin tek popullata për ndikimin e çdo individi në emetimet e gazrave serë, për atë se çfarë është gjurma e karbonit, si krijohet dhe si ta reduktojmë atë përmes ndryshimeve në aktivitetet dhe zakonet e përditshme. Grupi i synuar janë të gjithë personat mbi 18 vjet, ndërsa nëpërmjet të kalkulatorit përveç vizualizimit të shkaqeve dhe pasojave, jepen udhëzime edhe për ndryshime të vogla në sjelljen e çdo individi për ta reduktuar gjurmën e karbonit.

    “Duke pasur parasysh se ky term është relativisht i panjohur për publikun e gjerë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor vlerëson se një fushatë e këtij lloji dhe e realizuar në këtë mënyrë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse qasja në zbatimin e strategjive dhe politikave për ndryshimet klimatike është komplekse dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha subjektet shoqërore, përfshirë këtu edhe individët dhe është po aq e rëndësishme që të gjithë së bashku ta japim kontributin tonë”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

    Nga atje informojnë se ueb-faqja e krijuar nuk është në pronë të tyre, por do të publikohet në platformën e komunikimit www.klimatskipromeni.mk. Shpresojnë që kalkulatori i “Gjurmës së karbonit” të pranohet sidomos nga të rinjtë, të cilët janë edhe forca shtytëse e ndryshimeve që duhen bërë për ta reduktuar rritjen e temperaturës mesatare globale të ajrit dhe pasojave të tjera negative të ndryshimeve klimatike me të cilat po përballet sot rruzulli tokësor.

    Lajmi Paraprak

    Seanca e parë e re e rregullt e Kuvendit është caktuar për më 16 janar

    Lajmi i rradhës

    Qelaj: Hallkat elektronike do t’i ulnin rastet e dhunës në familje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë