SA ‘KUSHTON’ DREJTËSIA NË RMV!

    Nga Ministria e Drejtësisë e cila në fillim të vitit 2023 njoftoi se do të propozonte një Kod Penal krejtësisht të ri, ku sipas tyre, do të pësonte ndryshime të mëdha, por në fund të vitit rezultoi me vetëm 38 amendamentet e propozuara. Rezultati përfundimtar i këtyre ndryshimeve të propozuara ishte kthimi i pasurisë kriminale.

    Vetëm pak muaj pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal nga deputetët në Kuvend, në disa prej çështjeve të hapura nga ish-PSP u konstatua vjetërsimi i lëndëve, ndërsa në të tjera prokurorët kërkuan rikualifikim dhe aplikimin e “lehtësimit”. ndryshimet ligjore. Ministria e Drejtësisë është duke punuar për një Kod Penal krejtësisht të ri që nga viti 2020 dhe ish-ministri Nikola Tupançeski ka më shumë se një vit që ka shpallur prezantimin e tij në Parlament. Optimizmi që nga fillimi i vitit se do të kalonte brenda festave, u zëvendësua me ndryshime pas një procedure të shkurtër në nenin 353, i votuar me 49 vota “pro”, 36 vota “kundër” dhe një abstenim.

    Me ndryshimet në Kodin Penal, u vjetërsuan disa nga akuzat për rastet “Target-Fortesa”, “Talir”, “TNT”, “Trajektoria”, “Toplik”, “I fuqishmi”. Sipas ekspertëve, me ndryshimet në nenin 353 dhe 394 parashkrimi absolut i ndjekjes penale do të ndodhë për 14 çështje gjyqësore me mbi 80 të akuzuar.

    Rasti kryesor “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimet ilegale, ka nisur më 22 dhjetor 2017 kundër 11 personave, mes të cilëve edhe ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë dëgjuar 123 dëshmitarë, janë paraqitur 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza. Një pjesë e madhe e mbi 200 personave të dëmtuar u morën në pyetje. Vendimi i shkallës së parë është shpallur nga Gjykatën Penale më 26 shkurt të vitit 2021, pas pak më shumë se tre vitesh. Gjithsej 55 vjet e 10 vite dënime me kusht për 11 persona. Në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit në Shkup i miratoi ankesat e të akuzuarve në rastin “Target-Fortesa” dhe e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore Penale Shkup për rigjykim dhe vendimmarrje, me arsyetimin se ishin kryer “shkelje thelbësore”.

    Përveç rasteve të hapura nga PSP-ja, rasti kundër ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri, i cili më një dhjetor ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore Penale në Shkup për “keqpërdorim të detyrës zyrtare pozitë dhe autoritet” ka përfituar edhe nga ndryshimet, pasi sipas aktakuzës, në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer një prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një vlerë totale prej gati një milion eurosh. Prokuroria Publike paraprakisht, në përputhje me ndryshimet në Kodin Penal, aktakuzën e paraqitur e ka shndërruar në aktakuzë që parasheh dënim më të lehtë për të akuzuarit. Në vend të dënimit maksimal të paraparë me burgim prej pesë vjetësh, me ndryshimet, Zeqiri akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” – neni 353 paragrafi 4, i cili parasheh dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

    NË FUND ÇMIMIN DO TA PAGUAJNË QYTETARËT

    Për ndryshimet ligjore ka reaguar personi i parë i Gjykatës Penale, Ivan Jolev, i cili ka thënë se është e nevojshme që t’i kushtohet vëmendje kohës, sepse shumë nga lëndët e vjetruara janë në fazën përfundimtare. “A është koha e duhur, nuk e di. Megjithatë, koha për shumë gjëra është e rëndësishme, përndryshe ato mund të jenë kundërproduktive. Në këtë rast ka shumë lëndë të vjetërsuara që ishin në fazën përfundimtare. A është dashur të presin të përfundojnë gjykimet, pastaj të shkojnë për ndryshime në Kodin Penal, duhet analizuar”, tha Jolev në një konferencë për media, vitin e kaluar.

    Sipas statistikave të nxjerra nga AKMIS, të cilat u prezantuan në atë konferencë, për të gjitha rastet aktive sipas paragrafit 3 dhe 5 të nenit 353 “shpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” ka pasur 36 raste për 197 persona dhe se sa prej tyre do të vjetërsohen, siç treguan atëherë, varet nga rikualifikimi që duhet të bëjë prokurori.

    EPILOG PRITET EDHE PËR RASTET “LLASKARCA”, “ZHAN MITREV”, “BESA TRANS”…

    Ndërsa në fokus të raporteve ndërkombëtare janë rastet e hapura nga ish-PSP-ja, për opinionin vendas një enigmë më e madhe është “pamundësia” për të marrë një vendim gjyqësor prej më shumë se pesë vitesh për aksidentin e autobusit në fshatin Laskarcë më 13 shkurt të vitit 2019, në të cilin u vranë 16 persona dhe mbi 30 u plagosën rëndë. Gjykimi i aksidentit filloi në shtator të vitit 2019 dhe çështja u la në pritje të një superekspertize. Më në fund, në dhjetor të vitit të kaluar, procedura e provave për rastin përfundoi, dhe aktgjykimi, siç ishte paralajmëruar, do të shpallet nga Gjykata në janar të këtij viti.

    Vazhdon rasti për aksidentin në Bullgari, ku humbën jetën 45 qytetarë tanë, të cilët po ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll me autobus të agjencisë turistike “Besa Trans”. Rasti i hapur nga prokuroria ka të bëjë me faktin se autobusi ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror në vendkalime të ndryshme kufitare në periudhën prej 10.01.2021 deri më 21.11.2021 pa dokumente përkatëse. Procedura e provave ka përfunduar dhe seancat për fjalët përfundimtare dhe shpalljen e aktgjykimit duhet të mbahen në shkurt. Sipas aktakuzës, i akuzuari 41-vjeçar, si menaxher i personit juridik nga Rashçe, duke shfrytëzuar të njëjtat rrethana, të njëjtat raste, përmes shoferëve të cilët drejtonin autobusin në pronësi të kompanisë, ka përdorur si dokument publik të falsifikuar Ekstrakt nga licenca për ushtrimin e transportit publik në trafikun rrugor ndërkombëtar.

    NDRYSHIME TË SHPEJTA, REAGIME DHE AKUZA RECIPROKE

    Në shtator të vitit të kaluar, në një procedurë të shkurtuar me flamur evropian, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat ulen dënimet me burg për veprat që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare dhe bashkëpunim kriminal. Me ndryshimet në një pjesë të nenit 353 të Kodit Penal, dënimi me burg nga të paktën tre vjet burgim u ul në dënim me burg nga një deri në katër vjet për “shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”, ndërsa me ndryshimin e nenit 394 të Kodit Penal, dënimi për “bashkëpunim kriminal” u ul nga dënimi me burg deri në 10 vjet, në dënim me burg deri në tre vjet. Në vend të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, amendamentet në Parlament i ka dorëzuar zëvendësja e tij, Viktorija Avramovska Madiq, sipas të cilave synimi ishte që të jepeshin përshkrime të qarta, të sakta dhe të prera të veprave penale, si dhe të çonin në zgjerimin e fushëveprimit të krimeve, ku objekt janë konfiskimet.

    Ndërkohë, “lista e zezë” e Departamentit Amerikan të Shtetit u zgjerua vitin e kaluar me disa emra të njohur nga vendi. Ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev, Orce Kamçev, Sergej Samsonenko, Ramiz Merko. Ata iu bashkuan ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-shefit të DSK-së Sasho Mijallkov.

    Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, pas emërtimit të Koço Angjushev tha se kjo është një tjetër dëshmi se SHBA-ja do të vazhdojë të sanksionojë aktorët e korruptuar në vend dhe paralajmëroi se do të pasojnë emërtime të tjera.

    “Do të pasojnë më shumë emërtime, por fakti është se përpjekjet dhe sanksionet tona nuk mund ta rregullojnë epideminë e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në fund të fundit, u takon zyrtarëve dhe qytetarëve të këtij vendi të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, tha Ageler në platformën X. Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria njoftoi se po punon për një iniciativë për ndryshimin e rregulloreve ligjore për trajtimin e personave që janë në listën e sanksioneve, në mënyrë që të zgjerohet fushëveprimi dhe përveç KB-së dhe BE-së. Do të përfshihen edhe sanksionet e vendosura nga SHBA-ja. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Lëkura e ashpër nga i ftohti – Si ta trajtoni

    Lajmi i rradhës

    Pse shfaqet anemia?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë