Çdo i treti në RMV me armë në dorë!

    Përllogaritja e armëve të zjarrit në pronësi të civilëve në vend është 620.000 armë, nga të cilat, sipas Ministrisë së Brendshme, 180.000 janë të ligjshme. Ditë më parë një qytetar nga Demir Kapia vrau fqinjin e tij, i cili jetonte në një banesë sipër tij në pallat dhe pasi mbërriti në shtëpi vrau vetën. 72-vjeçari kishte leje për armën me të cilën vrau fqinjin e tij 34-vjeçar. Dyshimet e para janë se i moshuari ishte bezdisur nga të zhurma që është krijuar nga fqinji i tij. Policia dhe Prokuroria njoftuan se kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit. Në njoftimin e MPB-së konfirmohet se trupat e pajetë janë gjetur në shtëpitë e tyre me plagë nga armë zjarri. Vetëm pak orë pas këtij njoftimi, Prokuroria Themelore Publike njoftoi se ka hapur hetim ndaj një 23-vjeçari nga Shkupi i cili me armë zjarri ka tentuar të vjedhë armatim nga një kazermë ushtarake.

    “Ai ka prerë gardhin dhe telin special me gjemba dhe ka hyrë në rrethin e objektit, ku mbaheshin armët dhe pajisjet ushtarake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, duke shtuar se Gjykata ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

    Sipas vlerësimeve të fundit në analizën e “Kërkimeve për Armët e Vogla”, në Maqedoni ka mbi 620 mijë armë zjarri, nga të cilat 450 mijë konsiderohen të paligjshme. Kjo do të thotë se nga njëqind persona 22 persona posedojnë armë pa leje dhe tetë me leje. Kërkimi ka të bëjë me vendet e Bashkimit Evropian, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë. Në atë grup prej 34 shtetesh, Maqedonia është në vendin e shtatë sa i përket posedimit të armëve ilegale. Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë se problemi me sasinë e madhe të armëve ilegale në vend është për shkak të mosveprimit të MPB-së. Bojan Hristovski nga VMRO-DPMNE thotë se në Maqedoni ka më shumë armë ilegale sesa legale. “Në MPB është një komision që vendos se kush mund të marrë armë dhe sipas informacioneve, zyrtarë të caktuar marrin edhe para për t’u dhënë leje armësh të dënuarve për vepra penale. Ne pamë se në Ohër që u vjedhë një sasi armatimi në Ohër në pronësi të stacionit policor në Ohër dhe nuk e dimë se ku kanë përfunduar ato armë dhe a është kapur autori”, tha ai.

    Ish-ministri i Brendshëm Pavle Trajanov thotë se sasia e madhe e armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor është pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi dhe vjedhjeve të mëdha të depove në Shqipëri në vitin 1997. “Në përgjithësi, armët ilegale përfaqësojnë një lloj kërcënimi sigurie për stabilitetin e shtetit”, thotë Trajanov. Sipas tij, vendi nuk është pjesë e rrugës së tregtisë së paligjshme të armëve, por është konsumatori përfundimtar i armëve.

    Ndërkohë nga MPB, kanë bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar policia ka sekuestruar 139 armë zjarri pa leje, nga të cilat 73 pistoleta, disa pushkë automatike dhe gjysmë automatike dhe 34 pushkë gjuetie. “Konfiskimet e armëve dhe municioneve janë ulur në krahasim me vitin 2021 dhe sipas llojit të armëve dominojnë sekuestrimet e pistoletave dhe armëve të gjuetisë, ndërsa sekuestrimi i pushkëve automatike dhe gjysmë automatike mbeten të ulëta dhe janë në rënie. Armët pa leje zakonisht zbulohen gjatë kontrollit të objekteve të banimit apo vendbanimit të përkohshëm të autorëve, ku më së shumti bëhet fjalë për mbajtje pa leje të një arme dhe një sasie të vogël municioni”, thuhet në raportin vjetor të Ministrisë së Brendshme. Nga atje shtojnë se gjatë vitit të kaluar ka paraqitur kallëzim penal në Prokurori për 210 autorë të veprave penale të armëmbajtjes pa leje.

    Ndryshe, sa u përket armatosjes së civilëve sipas një hulumtimi të fundit, vendin e parë për armët ilegale e ndajnë Mali i Zi dhe Serbia, ku 23 nga 100 persona posedojnë armë pa leje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë vitit të kaluar janë kryer 18 vrasje, 5 më shumë se në vitin 2021. Nga viti 2010 deri në vitin 2022, në vend janë kryer 289 vrasje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia renditet me shtetet e fundit sa i përket cilësisë së rrugëve

    Lajmi i rradhës

    Dezinformatat në RMV ndikojnë në vaksinimin kundër kancerit në qafën e mitrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë