Sa mbrohet standardi i qytetarëve në RMV?

    Disa ditë më parë hyri në fuqi detyrim i ri për të gjitha bizneset e mëdha të shitjes me pakicë – shpallja publike e çmimeve të produkteve që ofrojnë. Kjo masë vlen për supermarketet, farmacitë, dyqanet e produkteve të bardha dhe mobiljeve, si dhe për dyqanet e materialeve të ndërtimit. Autoritetet thonë se nëse ndodh një gabim i paqëllimshëm gjatë publikimit të çmimeve, shitësit do të kenë mundësinë ta korrigjojnë brenda 24 orëve pa pasoja. Dënimet për mos respektimin e saj janë prej 500 deri 10 mijë euro. Në ditët e kaluara në vijim ishim më shumë kontrolle për të konstatuar respektimin apo jo të saj.

    Sipas Rregullores për mënyrën e publikimit të çmimeve të produkteve, zinxhirët e shitjes me pakicë janë të detyruar të përditësojnë çmimet në baza ditore, veçmas për secilin dyqan brenda zinxhirit. Nëse ofrohet një zbritje, duhet të tregohet edhe çmimi i rregullt, përqindja e uljes dhe kohëzgjatja e promocionit. Këtu përjashtohen vetëm mikro-tregtarët dhe tregtarët individualë.

    Të gjithë tregtarët pritet të respektojnë masën dhe nuk ka anulim të saj, megjithëse ka pasur kërkesa të caktuara, sidomos nga farmacitë. Qytetarët tani do të mund të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre meqë vetë do të mund të shohin dhe të krahasojnë se cili market i ka çmimet më të ulëta dhe do të jenë të informuar më mirë se cili produkt sa kushton te cili tregtar. Pritshmëritë janë se kjo masë do të ulë në mënyrë plotësuese çmimet në periudhën e ardhshme.

    Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i hodhi poshtë kërkesat e një pjese të tregtarëve për prolongim të masës, duke thënë se kanë kohë dhe resurse të mjaftueshme, si materiale edhe njerëzore, për ta zbatuar. Megjithatë la hapësirë për t’i shqyrtuar vërejtjet për rastet e ashtuquajtura “kufitare”, sidomos te kompanitë farmaceutike të cilat nuk munden të adaptohen lehtë për shkak se janë afër minimumit ligjor për 10 të punësuar. Masa ka hyrë në fuqi më 4 mars dhe kishte një periudhë 45-ditore për rregullim, ndërsa kjo dhe masa të tjera pritet të mbrojnë standardet e jetesës së qytetarëve në terma afatgjatë.

    Ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve hynë parashikojnë detyrimin që në afat prej 45 ditëve nga publikimi i Ligjit në Gazetën Zyrtare për çdo tregtar të vogël, të mesëm dhe të madh që ushtron tregti me pakicë në ueb faqen e tij ta publikojë, veçmas për çdo objekt për shitje, çmim rrjedhës të shitjes, respektivisht çmimin për njësi në momentin e publikimit të secilit mall që e ofron për shitje.

    “Në përputhje me ndryshimet ligjore dhe Rregulloren e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa të shpallur në Gazetën Zyrtare, tregtarët do të duhet të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb faqen e tyre duke filluar nga data 18 prill. Në përputhje me Rregulloren e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës,tregtari i vogël, i mesëm dhe i madh që ushtron veprimtari tregtare është i detyruar të publikojë çmimet e mallrave që hedh në treg në ueb faqen e tij në mënyrë të qartë dhe të arritshme, përmes një pjese të veçantë në ueb faqen e tregtarit me pakicë kushtuar çmimeve, përkatësisht Listës së çmimeve”, theksoi Durmishi.

    Organizata e konsumatorëve thotë se masa është e mirë për informim, por thekson se qytetarët e moshuar, rastet sociale që nuk kanë telefona inteligjentë, si dhe banorët e zonave rurale janë ende në disavantazh.

    “Po ata njerëz që jetojnë në zonat rurale që nuk kanë as internet, por nuk kanë as tregje më të mëdha, sepse nga kjo përjashtohen mikro-tregtarët me deri në 10 të punësuar, që do të thotë se në këtë mënyrë do të jenë në disavantazh, sepse në zonën e tyre nuk ka treg të madh, por tregje më të vogla dhe nuk janë të detyruar të shfaqin çmimet”, tha Tatjana Tasevska nga Organizata e Konsumatorëve.

    Për më tepër dyqanet kanë të drejtë të gabojnë dhe brenda 24 orëve pasi kanë vërejtur një defekt apo çmim të papublikuar kanë të drejtë ta korrigjojnë atë, dhe qytetari që konstaton një situatë të tillë ka të drejtë të mos e blejë produktin dhe ka të drejtë të raportojë në Inspektoratin e Tregut, shton Tasevska

    Nga LSDM-ja opozitare, nga ana tjetër, thonë se masa është jofunksionale dhe nuk do të ndihmojë në uljen e çmimeve. “Qytetarëve u duhet rreth një orë vetëm për të krahasuar një produkt në të gjitha dyqanet. Nëse do t’u duhej të krahasonin të gjitha produktet që blejnë rregullisht, ndoshta do t’u duhej të merrnin një ditë pushimi nga puna. LSDM-ja dha alarmin që në fillim se kjo marrëzi as nuk do të ndihmonte në uljen e çmimeve dhe as që do të përfitonte dikush prej tyre, por Qeveria nuk dëgjoi”, thonë nga LSDM. Përveç transparencës, ndryshimet në ligj parashikojnë edhe ndëshkime më të rrepta. Tregjet që shkelin rregullat mund të marrin gjithashtu një ndalim 15-ditor nga operimi.

    Si rezultat i masave të miratuara që nga fillimi i vitit, pra kufizimit të marzheve të produkteve ushqimore bazë dhe një pjese të mjeteve për higjienë, në muajin mars kemi ulje të inflacionit në nivel vjetor prej 2.7%, derisa në muajin mars në krahasim me muajin shkurt ka pasur deflacion prej -1.3%, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave.

    Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në fillim të vitit miratoi vendimin për kufizimin e marzhit të fitimit bruto në 102 grupe të produkteve ushqimore bazë, si dhe Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë. Këto dy vendime kanë hyrë në fuqi më 20 shkurt dhe do të jenë të vlefshme deri më 30 prill të vitit 2025.

    Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria aktualisht nuk planifikojnë të vendosin masa të reja siç është masa deri më datë 30 të këtij muaji me “Shportën e Pashkëve” ku çmimet dhe marzhet janë të ngrira për produktet ushqimore bazë. Trendet në ulje të inflacionit bëjnë që nga 1 maji çmimet përsëri do të formohen lirshëm. Mirëpo, autoritetet nuk përjashtojnë masa të reja nëse përsëri rriten çmimet e produkteve bazë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Të jesh grua në RMV “kushton” më shtrenjtë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë