Kënaqësia e mëngjesit për një filxhan kafe po bëhet gjithnjë e më e hidhur, edhe atë jo për shkak të shijes, por për shkak të çmimit, i cili po rritet vazhdimisht në bursat botërore, ndërsa cilësia nuk ndjek gjithmonë këtë trend. Kërcënimi dramatik i çmimit të kësaj pije po bëhet shkak për të rishqyrtuar nëse do të vazhdojmë me këtë zakon, sidomos nëse pimë kafe nëpër kafene, ku çmimet, të ndikuara nga ngjarjet globale, janë rritur ndjeshëm. Në pyetjen se a mundet që nëpërmjet mikroekonomisë të shihet pamja e makroekonomisë së shoqërisë, disa hulumtime thonë se mundet, pasi një hartë e detajuar ekonomike e rajonit pasqyrohet në një filxhan të vetëm ekspres, kostot e qirasë, barra tatimore, pagat mesatare madje edhe fuqia blerëse.
Në një kohë që një vizitor në Lubjanë paguan tre ose më shumë euro për një kafe, ekuivalenti i tij në Sarajevë për të njëjtën pije kushton pak më shumë se një euro. Ky ndryshim i trefishtë zbulon realitetin thelbësor ekonomik pas fasadave të statistikave kombëtare.

Çmimi i kafesë funksionon si një barometër i saktë ekonomik që regjistron shëndetin real ekonomik lokal dhe ekspozon pabarazitë që shpesh fshihen pas shifrave të BPV-së. Nëse krahasojmë çmimin e një espresso në gjashtë kryeqytetet e rajonit, do të shohim pamjen e vërtetë të pabarazisë ekonomike.
Në krye të listës është Lubjana me një çmim mesatar mbi tre euro, e ndjekur nga Zagrebi me 2.20-3.00 euro, Beogradi 1.70-2.40, dhe Shkupi me 1.60, ndërsa Podgorica 1.50-1.60 dhe Sarajeva 1.20.
Por këto shifra marrin një kuptim krejt tjetër kur shndërrohen në “orë pune”, pra minutat që një qytetar mesatar duhet të kalojë në punë për të fituar një filxhan kafe. Në fund të fundit duket se mikroekonomia e një kafeneje ofron tregues më të saktë të vitalitetit ekonomik të një shoqërie sesa mund të ofrojnë treguesit abstrakt makroekonomikë. Ajo që nuk është abstrakte është ndjenja se përveç tendencave globale dhe çmimeve botërore, ligjet lokale, politikat tatimore dhe shumë faktorë të tjerë e bëjnë ritualin e preferuar të mëngjesit të vështirë për xhepin. /Koha/