Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në kuadër të Forumit Ekonomik Maqedonia e Veriut–Turqi, që po mbahet në Stamboll, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Ömer Bolat.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit dhe nxitjen e zhvillimit rajonal mes dy vendeve. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë e reja për investime dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare përmes projekteve me interes të përbashkët.
Në fjalën e tij në forum, Sali theksoi se Turqia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar kontributin e kompanive turke në sektorë të ndryshëm, përfshirë industrinë, infrastrukturën, bankat, arsimin dhe turizmin.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë ndërtuar mbi bazën e miqësisë së kahershme, besimit të ndërsjellë dhe partneritetit të fortë, por shtoi se ekziston hapësirë e konsiderueshme për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Sali theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe konkurrues për biznesin, me qëllim tërheqjen e investimeve, nxitjen e inovacionit dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ai vuri në dukje rolin e Ministrisë për Çështje Evropiane në koordinimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, këto mekanizma paraqesin një mundësi të rëndësishme për përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ftoi kompanitë turke të shfrytëzojnë instrumentet financiare të Bashkimit Evropian, fondet IPA, Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe mekanizmat e tjerë evropianë të financimit, duke i cilësuar ato si mundësi të rëndësishme për zgjerimin e investimeve.
Në këtë kontekst, Sali veçoi Korridorin VIII dhe Korridorin X si projekte strategjike për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal, duke theksuar se këto korridore nuk janë vetëm rrugë transporti, por edhe korridore të tregtisë, investimeve dhe rritjes ekonomike.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut synon të pozicionohet si një qendër e rëndësishme transporti dhe logjistike në rajon, duke lidhur hapësirat e Adriatikut, Detit të Zi dhe Egjeut.
Sali vlerësoi gjithashtu se ekzistojnë mundësi të mëdha bashkëpunimi në fushën e energjisë së rinovueshme, tranzicionit të gjelbër, industrisë prodhuese, digjitalizimit, inovacionit dhe teknologjive moderne.
Në fund, ai theksoi se integrimi evropian për Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson vetëm një objektiv politik, por një proces transformimi ekonomik dhe modernizimi, që synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Sipas tij, forumi pritet të kontribuojë në krijimin e kontakteve të reja biznesore, nismave investuese dhe partneriteteve më të forta ndërmjet komuniteteve të biznesit të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.






