Bartja e kompetencave për ndërtimin e Sallës Universale nga Qyteti i Shkupit te Ministria e Kulturës është bërë në mënyrë të paligjshme dhe procedura e rinovimit aktualisht është ndërprerë. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov tha se për të gjitha shkeljet do të ketë kallëzime penale ndaj të gjithë të përfshirëve në këtë proces.
“Aty nuk ka përvetësim, ajo është joligjore. Ajo që e kemi si informacion dhe ajo që e punon grupi i punës është konfirmuar se bëhet fjalë për përvetësim joligjor nga Qyteti i Shkupit drejt Ministrisë së Kulturës. Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk mund ta ndërtojë këtë objekt. Kjo që është bërë deri më tani është joligjore dhe është subjekt i kallëzimit penal. Kuptohet për të gjitha krimet do të ketë kallëzime penale”, tha Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit.
Aktualisht nuk dihet se nën udhëheqjen e kujt është kjo sallë, por Lutkov nënvizon se sipas ligjit, Qeveria nuk mund të ndërtojë apo financojë institucion lokal.
“Tani nuk dihet nën udhëheqjen e kujt është Salla Universale..Nuk dihet, prandaj edhe e ndaluam procesin, pasi ne si ministri e kulturës, si institucion qeveritar të financojmë ose ndërtojmë objekt, institucion lokal, me ligj nuk mund të ndërtojmë institucion lokal“, shtoi Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit.
Lutkov tha se procedura do të rikthehet prej në fillim dhe do të zhvillohet në mënyrë legale dhe transparente. Ai i premtoi se në vitin 2028, Salla universale do të jetë gati për eventin, ku Shkupi do të jetë kryeqytet i Kulturës Evropiane./Alsat/