Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë: Rajoni ta shfrytëzojë shansin

    Lidhja ekonomike dhe krijimi i një tregu ekonomik rajonal është fokusi i Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë. Procesi synon të lidhë ekonomikisht vendet e Ballkanit Perëndimor përpara se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Delegacioni i Maqedonisë drejtohet nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili zbuloi se për cilat projekte do të kërkojë financime shtesë.

    “Kam pasur një takim edhe me Presidenten e Bankës Evropiane, Z-nj Reno-Bason, ku kemi diskutuar konkretisht projektet e financuara nga BERZH, në lidhje me lidhjen e Korridorit 8 me Shqipërinë, si dhe projektet që lidhen me financimin e projekteve energjetike në vend dhe interkonektimin me Greqinë përsa i përket lidhjes së gazit”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

    Kryeministri shqiptar Edi Rama, nikoqir i samitit theksoi se ka një dallim të madh midis vendeve kandidate dhe vendeve anëtare në aspektin ekonomik. Ai vuri në dukje se Bashkimi ndan 4,517 euro për person në vit për vendet anëtare, ndërsa vetëm 138 euro për person për vendet e rajonit. Rama ishte gjithashtu skeptik për përcaktimin e afateve për zgjerimin e Bashkimit, siç është viti 2030, dhe porositi që procesi të bazohet në merita. Ai gjithashtu propozoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen me Bashkimin para se të anëtarësohen plotësisht. Nga ana tjetër, Presidenti i Këshillit Evropian Çarls Mishel tha se është koha që BE të japë rezultate dhe që rajoni të vazhdojë me reformat.

    “A nuk do të ishte më e drejtë dhe efektive të konsiderohej dhënia e statusit të vendit vëzhgues për vendet që kanë hapur negociatat e anëtarësimit, por që ende nuk janë anëtare të plota? Ky status kalimtar do të garantojë privilegje të caktuara, natyrisht pa të drejtë vote, dhe do të ketë përfitime të ndjeshme nga të gjitha palët e përfshira dhe do të tregojë unitet politik në Evropën demokratike, por do të ketë edhe përgjegjësi tel udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.

    “Ne duhet të jemi gati nga të dyja palët për zgjerim deri në vitin 2030. E di që ky afat u prit me skepticizëm në rajonin tuaj, sepse ju prisni një kohë të gjatë. Edi, e di që njëherë zgjerimin e krahasove me një nuse që nuk paraqitet kurrë në dasmë, por dua të të them se në fakt nusja nuk po përgatitet në mënyrë aktive për dasmë”, theksoi Sharll Mishell, President i Këshillit Evropian.

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Lejen i kërkoi rajonit të shfrytëzojë mundësinë dhe këtë moment vendimtar.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kompletojnë tregun e tyre të përbashkët rajonal. Kjo do të thotë përmbushja e kushtit që vendet e rajonit t’u japin fqinjëve të tyre qasje në tregun e tyre. Me fjalë të tjera, nëse bëhen bllokime, ju vetëm do të bllokoni veten, ndërsa të tjerët do të ecin përpara dhe për të vazhduar, nevojiten reforma në klimën e biznesit”, deklaroi Ursula Von Der Lejen – Presidente e KE.

    Në Tiranë u firmos edhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinarë, akushereve dhe farmacistëve nga udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe zgjatje e Marrëveshjes që njeh kualifikimet profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE ka reaguar në lidhje me çmimet e ushqimeve në bifenë e Qeverisë

    Lajmi i rradhës

    Turqia dhe Greqia i nisin bisedimet, pas shumë vitesh tensione

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë