Sanksionet e BE-së kundër Kosovës janë absurde

    RAINHARD KLOUCEK

    Për shkak të trazirave në rajonin e Mitrovicës (pjesë e Kosovës) pas zgjedhjeve të bojkotuara nga serbët, Republika e Kosovës tani do t’u nënshtrohet sanksioneve. Një ide absurde. Pra, BE-ja dëshiron që të vendosë sanksione ndaj Kosovës.

    Sfondi i kësaj janë trazirat pas zgjedhjeve lokale në rajonin e Mitrovicës, ku ushtarët e KFOR-it u qëlluan edhe me armë zjarri. Serbët që jetojnë atje i bojkotuan zgjedhjet, që do të thotë se vetëm kosovarët u zgjodhën në zyrat e kryetarëve të komunave në një rajon të banuar me shumicë serbe. Sipas raportimeve, para zgjedhjeve ka pasur një marrëveshje me Kosovën për shtyrjen e zgjedhjeve në mënyrë që serbët të binden të marrin pjesë. Fakti është se zgjedhjet tashmë janë shtyrë një herë, nga vjeshta 2022 në prill 2023.

    Pas kësaj, kryeministri Albin Kurti donte t’i vendoste kryetarët e komunave në zyrat e tyre në bashkitë përkatëse, gjë që çoi në kryengritje serbe. Siç ndodh gjithmonë me protesta të tilla të dhunshme, “aparati i sigurisë” në Beograd kishte gisht në to. Kështu që tani BE-ja dëshiron të vendosë sanksione ndaj Kosovës. Sigurisht, Albin Kurti ka namin e nacionalistit, që nuk dëshiron të bëjë kompromise dhe është kokëfortë. Sulmet me bomba me gaz të partisë së tij në parlamentin në Prishtinë nuk e kanë përmirësuar reputacionin e tij.

    Por e gjithë kjo nuk është justifikim për sanksionet. Zgjedhjet u dakoruan. U pranua se zgjedhjet ishin të drejta dhe se rezultatet ishin legjitime. Po të kishin marrë pjesë serbët, tani do të kishte kryetarë serbë në disa komuna. Por serbët kanë bojkotuar sepse me urdhër të Beogradit duan të prishin çdo stabilitet në shtetin e Kosovës. Menjëherë pas trazirave, tre policë nga Kosova janë arrestuar nga xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës dhe janë dërguar në Serbi. Edhe nëse janë sërish të lirë, falë Zotit, një veprim i tillë mund të shihet vetëm si provokim i Serbisë.

    Presidenti Vuçiç, i cili meqë biefjala, ishte i afërt me kriminelin e luftës Sllobodan Millosheviç, ka bërë premtime të pambajtura edhe ndaj Kosovës, por edhe ndaj BE-së dhe SHBAsë. Për shkak se BE-ja dëshiron ta afrojë atë në anën e saj kur bëhet fjalë për sanksionet kundër shtetit terrorist Rusisë, Vuçiçit i tolerohen shumë gjëra. Duket se Brukseli (dhe shumë kryeqytete të BE-së) kanë mësuar po aq pak nga luftërat e Slobodan Millosheviçit sa edhe nga lojërat e Rusisë me Marrëveshjen e Minskut. Vuçiçi di si ta shfrytëzojë këtë dobësi në politikën e BE-së dhe vazhdon të ndezë zjarrin, ndër të tjera, edhe duke e vënë ushtrinë në gatishmëri kundër Kosovës. E vetmja gjë që ai kupton është presioni. Presion i fortë politik dhe ekonomik. Nëse ai vetë nuk dorëzohet por e zhvillon Serbinë edhe më tej si një urë lidhëse për Moskën (objekti më i madh i spiunazhit të Rusisë ka vite që është në Nish, i kamufluar si qendër humanitare), Serbia lipset të izolohet. As Viktor Orban nuk mund ta shpëtonte në këtë rast.

    PROBLEMI I BESUESHMËRISË SË BE-SË

    Megjithatë, BE-ja ka një problem masiv besueshmërie në këtë çështje. Dhe problemi ka qenë edhe më i madh që nga fillimi i korrikut, sepse presidencën e Këshillit Europian e ka marrë Spanja, vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për arsye të dobëta. Por siç raportojnë ekspertët e Spanjës, shumica e politikanëve spanjollë nuk do ta gjenin as Republikën e Kosovës në hartë. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, është spanjoll.

    Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak vjen nga Sllovakia. Një vend që nuk e ka njohur as Republikën e Kosovës (por është më pak problematik se Spanja, lavdi Zotit). Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi, nga ana tjetër, është hungarez dhe nuk është sekret që Kryeministri hungarez, Orban, ka simpati për sistemin nacionalist të Presidentit Vuçiç. Tani ky problem i personelit të BE-së mund të zgjidhet plotësisht nga një strategji politike përkatëse e vendeve të tjera të BE-së. Se pse këtu tregojnë dobësi dhe preferojnë të godasin kosovarët, mbetet mister. Sepse “appeasement” – çdo politikan duhet ta dijë kaq shumë histori – nuk çon kurrë në stabilitet politik.

    Autori, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Pan-Europiane Austriake

    Koment për “Letrat Evropiane”: “Letrat Evropiane” botohen nga Shoqata Evropiane Coudenhove-Kalergi. Ato shfaqen në baza ad hoc me kontribute shkruar nga evropianë të përkushtuar. Richard Coudenhove-Kalergi, me rrënjë në vende të ndryshme evropiane, zhvilloi idenë e një Evrope të bashkuar si kundërpeshë ndaj tundimeve totalitare të fashizmit, nacionalsocializmit dhe komunizmit menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Ai themeloi Paneuropa-Union në 1923 dhe kontribuoi në themelimin e Këshillit të Evropës në 1949. Bashkimi Evropian aktual ishte rezultat i politikës dhe realizimi ekonomik i projektit evropian të paqes. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Të huajt në Marshin e Paqes: Njerëzit duan njohjen e gjenocidit, jo hakmarrje

    Lajmi i rradhës

    Zbulohet rrjeti i bizneseve të cilat lidhen me Ali Ahmetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë