SBAShK thotë se nuk ka kompensim të orëve

    Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) thotë se ende nuk kanë ndonjë vendim për kompensim të orëve të humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një konference për media, tha se të shtunën, më 15 tetor, nuk do të ketë mësim.

    Kontrata kolektive e nënshkruar në vitin 2021, shtoi Jasharaj, thotë se “orët mësimore të humbura gjatë grevës, nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë marrëveshje të veçantë”.

    Ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk i ka ftuar për të diskutuar për ndonjë marrëveshje të veçantë, dhe se vendimi i ministrisë për kompensimin e orëve të humbura, është marrë në mënyrë të njëanshme.

    “Presim që gjatë javës së ardhshme, MASHTI të na ftojë në takim dhe të debatojmë këtë çështje”, tha Jasharaj.

    MAShTI ka nxjerr vendim për ndryshimin e Kalendarit të vitit shkollor 2022/2023. Ky kalendar parasheh zëvendësimin e 22 ditëve të humbura mësimore.

    Tetë ditë të procesit mësimor të humbura, sipas Kalendarit, mbahen gjatë të shtunave, duke nisur nga 15 tetori.

    Gjysmë vjetori i parë i vitit shkollor 2022/2023 përfundon më 27 janar 2023, ndërkaq pushimi dimëror fillon më 30 janar dhe mbaron më 3 shkurt.

    Po ashtu, gjatë pushimit pranveror, sipas MAShTI-t, procesi mësimor do të mbahet.

    Kalendari i vitit shkollor 2022/2023 përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor, pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe festat publike për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar.

    Më 12 tetor, MAShTI ka kërkuar nga mësimdhënësit respektimin e Kalendarit të plotësuar dhe ndryshuar.

    Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se orët duhet të kompensohen, por jo në fundjavë.

    “Vendimet që bien ndesh me jetën e përditshme të fëmijëve dhe prindërve nuk duhet të jenë opsion”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi.

    Mësimdhënësit ishin futur në grevë më kërkesën për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për pagave, i cili është ende në konsultime.

    Qeveria e Kosovës nuk kishte plotësuar kërkesën e grevistëve, duke thënë se Ligji për paga, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti.

    Këshilli grevist i SBASHK-ut ka pezulluar grevën deri në janar. Ky pezullim mundësoi kthimin e mbi 300 mijë nxënësve në shkolla.

    Për shkak të grevës së mësimdhënësve, mësimi në shkollat publike i cili rëndom nis më 1 shtator në Kosovë, nisi me një muaj vonesë. Po ashtu, me vonesë mësimdhënësit morën edhe pagat për muajin shtator. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rusia kryen sulme të reja në rajonet ukrainase

    Lajmi i rradhës

    Çfarë e shkakton ataku tek të rinjtë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë