Filozofia te shqiptarët, vendi i saj në shoqëri dhe përgjigjet që i jep për problemet e njerëzve, si dhe paragjykimet për këtë fushë, janë disa nga temat për të cilat kemi diskutuar me filozofin Sead Zimeri. Ai tha se shqiptarët janë popull që filozofojnë, por jo në mënyrën e duhur filozofike, kjo pasi sipas tij, filozofia asnjëherë nuk është bërë pjesë e traditës kulturore te shqiptarët.
Në intervistën për Nistorin, e pyetëm edhe për politikën në Maqedoninë e Veriut, si dhe për ndërrimin e pushtetit, Zimeri tha se është mirë që u ndërrua pushteti, gjegjësisht që BDI shkoi në opozitë, duke shtuar se shqiptarët kanë nevojë për mënyra të reja të të menduarit politik.
“Është mirë që BDI u largua nga pushtetit. Ka nevojë për ndryshim, shqiptarët kanë nevojë të ecin përpara dhe kërkohet mënyrë tjetër e të menduarit për të ecur përpara. Me të njëjtën mënyrë të të menduarit mbetemi në vend. Kjo nuk do të thotë që BDI nuk duhet të kthehet, të bëjë përpjeke të reformohet dhe të gjejë mënyra tjera për të ardhur sërish në pushtet. Unë i takoj mendimit të majtë politik dhe mendoj që natyrshëm është që ne ekzistojmë në një botë ku na nevojitet parti politike e majtë. Kjo na nevojitet pasi ligjet e kapitalizmit global janë të tilla që e ulin vlerën politike të qytetarit, duke u fokusuar vetëm te përfitimi”.
“Andaj e majta kërkohet të krijojë mirëqenie dhe dinjiteti për të gjithë qytetarët. Megjithatë, varet në çfarë aspekti të politikës duam ta shtrojmë këtë çështje. Në aspektin ekonomik, duhet të kalojmë në një të majtë të pastër. Por ka disa aspekte tjera që nuk mund të jemi plotësisht të majtë, në kuptimin që p.sh. një ideologji e majtë do të fokusohej në çështjen e qytetarisë, pavarësisht dallimeve etnike. Por ne i dimë rrethanat në të cilat jetojmë, ku çështja etnike është shumë e rëndësishme. Të anashkalosh aspektin e etnisë dhe të drejtave tona si qytetarë të këtij vendi, të marrësh qëndrim të pastër ideologjik pa nuanca pragmatike, do të ishte gabim. Në këtë kontekst mendoj që në një ideologji e majtë duhet të moderohet nga një qasje pragmatike.”, tha mes tjerash filozofi Sead Zimeri.
Sipas tij, detyra e filozofisë nuk është që të jep përgjigje për problemet në shoqëri, por të shtrojë pyetje, duke shtuar se ajo të detyron të mendosh në një formë për të kërkuar arsyen e ngjarjeve që ndodhin.
Kurse sa u përket pretendimeve se filozofia është abstrakte dhe e shkëputur nga jeta praktike e njeriut, ai tha se kjo është paragjykim ndaj filozofisë dhe ushqehet nga kultura të cilat nuk e njohin këtë fushë. /Nistori/