Rezultati i zgjedhjeve vazhdon të jetë temë e debatit dhe përplasjes ndërmjet partive politike. Mosrealizimi i censuseve në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit ka nxitur një valë reagimesh të ashpra politike. Nga VLEN thonë se bojkoti i procesit është ndëshkim i qartë ndaj “akrobacioneve politike” që, sipas tyre, janë bërë në emër të shqiptarëve, por për interesa personale. Në reagimin e kësaj partie theksohet se rezultati në këto komuna është “përgjigjja më e saktë ndaj lojërave politike të Arben Taravarit dhe Isen Shabanit”, të cilët, sipas tyre, gabuan duke menduar se elektorati do t’i ndiqte në ndërrimin e qëndrimeve.
“Në rend të parë, kjo është përgjigje ndaj Arben Taravarit, e më pas ndaj Isen Shabanit, të cilët menduan se shqiptarët do t’i ndjekin pas në lojërat e tyre politike, duke i ndërruar parimet si të ishin monedha kusuri. Sado që mund të trumbetojnë arsye, sovrani me këtë veprim i dha një shuplakë të nxehtë politikës së ndërrimit të parimeve për interesa të imta personale. Taravari shkoi për gjashtë komuna, ngeli me katër dhe përfundoi me ZERO”, theksojnë nga VLEN.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, kundërpërgjigjet duke thënë se deklaratat e fundit të VLEN janë shprehje dëshpërimi dhe përpjekje për të fshehur dështimin e tyre të thellë në zgjedhje. Sipas ASH-së së Taravarit qytetarët ua kthyen shpinën për manovra politike, për mungesën e vizionit, sinqeritetit dhe lidhjet e tyre të hapura me struktura që kanë vepruar kundër interesave shqiptare.
“VLEN në këto zgjedhje u dëshmua se nuk ka mbështetjen e shqiptarëve. Me votat e VMRO-së ndoshta shpëtuan diku, por moralisht janë rrëzuar. Pa VMRO-në, VLEN nuk do të ekzistonte më në skenën politike. Bojkoti i censuseve në Gostivar e Vrapçisht ishte thikë pas shpine për kandidatët e tyre që u përdorën si kurbanë. Arben Taravari fitoi bindshëm sepse qytetarët zgjodhën dinjitetin dhe jo pazaret politike në dëm të shqiptarëve”, theksojnë nga ASH e Taravarit.
Sipas kësaj partie, koalicioni AKI mori mbi 23 mijë vota më shumë se VLEN, që tregon qartë verdiktin e sovranit. Nga ASH apelojnë që në vend se VLEN të shpik justifikime, duhet të reflektojë: pse humbën terren, pse mbetën pa njerëz, dhe pse askush nuk u beson më.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka dhënë një interpretim tërësisht të kundërt të rezultatit. Ai deklaroi se zgjedhjet lokale të 19 tetorit kanë tejkaluar kuptimin e një gare komunale, duke u shndërruar në “referendum për ndryshim dhe legjitimitet në kampin shqiptar”. “Së bashku me qytetarët kemi festuar deri në orët e mëngjesit. Kjo është fitore e madhe, sepse këto zgjedhje nuk ishin vetëm lokale, por një betejë për legjitimitet”, tha Mexhiti për “Ora News”, duke theksuar se Çairi dhe Tetova ishin “epiqendra e këtij referendumi politik”.
Sipas tij, VLEN tashmë është “forca e re përfaqësuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, me një epërsi që, sipas tij, “është e paarritshme për BDI-në dhe për çdo parti tjetër”.
Ndërkohë VMRO-DPMNE thekson se është e nevojshme dorëheqja e liderit të LSDM-së dhe reforma urgjente në parti, sepse pushtetit i duhet një opozitë që do të jetë korrektiv i saj, e jo një opozitë e udhëhequr nga një njeri pa kredibilitet. Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, edhe sot doli me vlerësim se është fituese absolute e zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën, me fitore të kandidatëve të saj për kryetarë komunash në 33 komuna dhe me 550 vende të fituara në këshillat komunalë. Në ndryshim nga rezultati i tyre, që siç thonë, është historik, opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në këto zgjedhje lokale ka përjetuar një debakël, me vetëm 230 vende në këshillat komunalë, ose dy herë e gjysmë më pak se VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj.
“VMRO-DPMNE është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve. Me rezultat 50 për qind më të mirë se në vitin 2021, kur kishim 22 kryetarë komunash që fituan në raundin e parë, këtë herë fituam 33 komuna në raundin e parë”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga atje theksojnë fitoren në Strumicë, ose siç e quajnë ata në “bastionin e LSDM-së”, ku qytetarët, siç theksohet, “vendosën t’i thonë lamtumirë” politikave të këqija lokale të ish-liderit të LSDM-së, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të komunës, Zoran Zaev, dhe “marionetave të tij”. Ata drejtojnë kritika edhe ndaj liderit aktual të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e quajtur “klon i Zaevit”, i cili e ka rrënuar Lidhjen Socialdemokrate dhe është fajtor për debaklin historik të LSDM-së. Sipas VMRO-DPMNE-së, debakli i kundërshtarit të tyre politik në zgjedhjet lokale është shenjë se LSDM po fundosej në arrogancën, teprinë dhe në politikat e kundërta me interesat e popullit. “Në zgjedhjet lokale, LSDM fitoi rreth 126 mijë vota në listat këshilltare, që përfaqëson rezultatin më të dobët në histori. Ose në numër këshilltarësh, LSDM ka 230, që është 2.5 herë më pak se VMRO-DPMNE. Krahasuar me vitin 2021, LSDM ka humbur rreth 110 mijë vota dhe afërsisht 170 vende këshilltarësh”, thuhet nga VMRO-DPMNE.
Nga atje shtojnë se për ta bërë “tragjedinë” edhe më të madhe, tregon fakti që në disa vende LSDM është parti e tretë, e katërt apo madje e pestë, sipas numrit të votave të fituara për kryetarë komunash dhe këshilltarë. Sipas tyre, ky është rasti në Manastir, Bërvenicë, Butel, Debarcë, Karposh, Kisella Vodë, Koçan, Makedonski Brod, Mogillë, Dollnen, Kumanovë, Shuto Orizarë dhe në Qytetin e Shkupit. Prandaj, sipas partisë në pushtet, është e nevojshme dorëheqja e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, dhe reforma të menjëhershme në parti, sepse, siç theksojnë ata, VMRO-DPMNE-së i duhet një opozitë që do të jetë korrektiv, e jo opozitë e udhëhequr nga njeri pa kredibilitet. /Koha/






