Sela: Taravari më tradhtoi, shtëpia nuk shitet për asnjë çmim

    Kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, vepron nën urdhër. Kështu u shpreh ai derisa është përgjigjur në pyetjen se a është i shantazhuar Taravari.

    Sela, në RTV Dukagjini, ka thënë se ka vërejtur që sa herë Taravari kthehej nga vizitat e tij qoftë private apo zyrtare nga Turqia, vinte me qëllime destruktive.

    “Me këtë situatë vërtet e kam pyetur veten se cili është problemi dhe në periudhën e fundit është izoluar komplet nga veprimet dhe vendimet që duhet t’i marrim, jo vetëm nga unë, por edhe nga kryesia qendrore. Kam vërejtur që saherë ka vizita zyrtare a private në Turqi, vjen me qëllime destruktive. Kur ke një njeri për të cilin ke bërë gjithë këto gjëra dhe nuk e gjen dot përgjigjen se çfarë është duke ndodhur, ti natyrisht të lindin dyshimet se ky vepron nën urdhra, ndoshta mund të jetë shantazh nuk e di”, tha ai.

    Ai thekson se Taravari ende nuk ka ofertë, sepse, siç thotë Sela, ai pret ofertë nga “të vegjëlit”.

    “Paraqitja dhe pozicionimi si u pozicionua duke mos pasur asnjë logjikë… ne jemi të mëdhenjtë, nuk duhet të na marrin të vegjëlit ne, por ne duhet t’iu bëjmë të vegjëlve ofertë dhe jo të presim ofertë prej tyre, ky sot e kësaj dite nuk ka ofertë sepse pret ofertë prej tyre ose prej atij që jep udhra se cila duhet të jetë oferta”.

    Sela: Taravari më tradhtoi mua, shtëpia nuk shitet për asnjë çmim

    Sela, ka deklaruar se kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, është ai që doli nga fjalët e dhëna e të zotuara para njëri-tjetrit.

    Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për “përçarjen” e Aleancës për Shqiptarët, Sela ka potencuar se “Shtëpia nuk shitet për asnjë çmim”.

    “Më tepër është kjo e dyta, realisht kam disa parime në jetë në bazë të cilave funksionoj… Politika duhet të ketë pas vete edhe traditën e asaj çfarë jemi. Uroj ta keni në Debat edhe Z.Taravarin dhe ta pyesni atë a i kam dalë ndonjëherë prej fjalëve, që unë e kam thënë përpara tij dhe jemi zotuar para njëri-tjetrit dhe përgjigjja do të jetë jo, a unë nga ana tjetër në vazhdimësi gjatë gjithë kësaj periudhe ai më ka dalë disa herë prej fjale. Për shembull, mbi pesë herë kemi debatuar në lidhje me atë se cili do të jetë rrugëtimi i aleancës në këto zgjedhje dhe bashkërisht jemi dakorduar se ne duhet të shkojmë vetë në zgjedhje dhe këtë zotim… e kemi të konfirmuar edhe me vendimin e kryesisë qendrore”, tha ai.

    “Shtëpia nuk shitet për asnjë çmim dhe Aleanca për Shqiptarët është shtëpia e anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët dhe shtëpia e shqiptarëve e në qoftë se je në hall dhe duhet ta shesësh, të paktën ta dimë ofertën. Taravari nuk ka ofertë. Kemi pasur edhe një përpjekje që edhe njëherë ta tejkalojmë vetveten në mënyrë që ta ruajmë shtëpinë tonë dhe insiston me të tijën dhe i kam thënë ma jep ofertën, ai përsëri nuk kishte ofertë”, shtoi Sela.

    Sela thekson se është plot energji për ta kthyer Aleancën në rrënjët e saj.

    “Pa elementë të cilët që të ngjajë aleanca në aleancë ashtu siç e ka emrin, për shqiptarët. I buzëqeshur nuk jam dhe nuk di a mund të jetë i buzëqeshur dikush nga anëtarët e vërtetë të Aleancës për Shqiptarët kur e shohin dramën të cilën po e kalon aleanca. Vetëm njerëzit që realizojnë qëllime mund të buzëqeshin. Jam përgjegjës sepse kam besuar, për këtë po, është e vërtetë. Vetëm ata janë të buzëqeshur sepse kanë realizuar siç duket një realizim”, u shpreh Sela.

    Po ashtu, Sela tha se në Maqedoni po ndodh një fenomen tepër i rrezikshëm për politikëbërje.

    “Vlerësoj që pasojat që mund t’i krijojnë lëvizjet e pamatura të eksponentëve politikë janë të mëdha për një popull të tërë dhe nuk duhet të rrëshqasim në aventura, të cilëve nuk ua dimë fundin se ku na çojmë, por që realisht ajo që ndodh sot me aleancën fatkeqësisht është paralajmëruar tri javë më parë nga Kristian M. Një kryetar partie nuk guxon që në situata të tilla të japë mendime personale, nuk guxon të bëjë tifo për subjekte politike që potencialisht do t’i ketë oponentë dhe kundërshtarë politikë… Vota jonë nuk shkon për hesape tezgash personale”, shtoi ai.

    Lajmi Paraprak

    Hoxha: ende nuk kemi vendosur se me kë do të koalicionojmë

    Lajmi i rradhës

    Bëhen të pavlefshme dokumentet me emrin “Maqedoni”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë