Serbët nga Kosova shkojnë në Serbi për të votuar

    Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, të cilat po mbahen më 3 prill. Kjo pasi, Qeveria e Kosovës për herë të parë nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës.

    Më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

    Rashka është një nga komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën.

    Autobusët që po transportojnë serbët nga Mitrovica e Veriut për në Serbi.
    Autobusët që po transportojnë serbët nga Mitrovica e Veriut për në Serbi.

    Transport iu është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.

    Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë së sistemin e Kosovës, po ashtu ato në sistemin e Serbisë.

    Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.

    Serbët në Graçanicë duke shkuar me autobus në Serbi për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
    Serbët në Graçanicë duke shkuar me autobus në Serbi për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

    Policia e Kosovës tha se për shkak të qarkullimit të shtuar të qytetarëve serbë që po shkojnë në Serbi për të votuar, janë krijuar kolona dhe pritje në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

    Ndërkaq, sa i përket aspektit të sigurisë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, Policia e Kosovës tha se situata është e qetë dhe stabile.

    “Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar”, u tha në njoftimin e Policisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, kjo kërkesë nuk është pranuar nga autoritetet në Beograd.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se me këtë kërkesë, Kurti ka dashur që Serbia ta njohë Kosovën.

    Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjimin e madh” për vendimin e Qeverisë së Kosovës që mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

    Kosova ka refuzuar edhe një propozim të Quint-it.

    Quint kishte propozuar që zyrtarët e zyrave ndërlidhëse të Kosovës dhe Serbisë të komunikonin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe, por Prishtina kishte kërkuar që ky komunikim të zhvillohej në nivel të shteteve.

    Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

    Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut – komuna të banuara me shumicë serbe – pati protesta të serbëve.

    Në janar të këtij viti, Kosova po ashtu kishte refuzuar që të lejojë votimin për një referendum për ndryshime kushtetuese të Serbisë. Madje, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi në territorin e Kosovës. Edhe për këtë vendim të Kosovës, Quint-i dhe Bashkimi Evropian kishin shprehur keqardhje.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

    Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Simovski: Ligjërisht është i pamundur regjistrimi shtesë për personat e paregjistruar

    Lajmi i rradhës

    “Për tre muaj është sekuestruar drogë mbi pesë milionë euro”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë