Serbi, sërish protesta kundër nxjerrjes së litiumit

    Për arsye të mbrojtjes së mjedisit, serbët demonstrojnë kundër një miniere litiumi në vendin e tyre. Por presioni i BE dhe kryesisht i Gjermanisë, për përftimin e litiumit për automjetet elektrike është mjaft i madh.

    Mijëra vetë në Serbia kanë protestuar kundër planeve për nxjerrjen e litiumit nga sipërmarrja australiane Rio Tinto. Me sloganet si “Rio Tinto, shporru” kundërshtarët e minierës u mblodhën në qytetet Arandjelovac, Shabac, Kraljevo dhe Ljig. Demonstruesit druajnë, se shfrytëzimi i rezervave të litiumit në perëndim të Serbisë mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për mjedisin.

    Burimi i litiumit në lumin Jadar

    Qeveria në Beograd përpara dy javësh i dha dritën e gjelbër minierës për nxjerrjen e litiumit në qytetin Loznica në luginën e lumit Jadar. Atje ndodhet një nga rezervat më të mëdha europiane të kësaj lënde të parë të rrallë dhe mjaft të kërkuar në mbarë botën. Litiumi përdoret për prodhimin e baterive dhe po fiton gjithnjë e më shumë treg në valën e shtimit të prodhimit të automjeteve elektrike, ndaj është një lëndë e parë mjaft e kërkuar në industrinë gjermane të automobilëve. Deri tani Europa është e varur kryesisht prej importeve nga Kina.

    Në me stë korrikut BE dhe Serbia vendosën një marrëveshje për nxjerrjen e litiumit në luginën e lumit Jadar me vlerën e disa miliardë eurove. Në ceremoninë e nënshkrimit në Beograd mori pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Rezervat në Loznica njihen që nga viti 2004, dhe Rio Tinto prej vitesh kishte licencën për nxjerrjen e litiumit. Për shkak të rezistencës së banorëve dhe mbrojtësve të mjedisit deri tani nuk është realizuar projekti. Veçanërisht në Beigrad ka pasur gjatë dy muajve të fundit vazhdimisht protesta.

    Protesta prej vitesh

    Në fillim të këtij muaji Gjykata Kushtetuese në Serbi e shfuqizoi një vendim të mëparshëm të qeverisë, për ta anuluar projektin e ndërtimit në volumin prej 2,4 miliard dollarësh nga Rio Tinto në luginën Jadar – duke i hapur kësisoj rrugën rigjallërimit të këtij projekti.

    Protestat që vazhdojnë qysh nga viti 2021 janë sfida më e madhe për qeverisjen autokrate të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai ka deklaruar, se nxjerrja e litiumit në tokën e pasur të luginës Jadar nuk do të fillojë përpara vitit 2028. Po ashtu Beogradi do të marrë garanci solide për mjedisin. Përfaqësues të qeverisë ülenë të kuptohet, se për këtë çështje mund të organizohet referendum popullor.

    sti/pg (afp, ap) /DW/

    Lajmi Paraprak

    Gabimet që bëni me ilaçet të cilat dëmtojnë rëndë shëndetin

    Lajmi i rradhës

    Çka duhet të hani nëse djersiteni tepër?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë