Reagimet për korridoret, të pakuptueshme!

    Reagimet e opozitës maqedonase që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorin 8 dhe 10D, janë të pakuptimta dhe paarsyeshme. Kështu vlerëson Akademiku Abdylmenaf Bexheti, i pyetur se pse kaq shumë reagime ka në opinion ky projekt. Ai, thotë se është e pakuptueshme që të ketë një frustracion të këtillë që është i motivuar politikisht. Këta dy korridore janë vendosur si prioritet që në vitin 1998, kur Bexheti ishte Ministër i Transportit. reagime të këtilla nuk ka patur për mos realizimin e autostradës Kërçovë-Ohër, pohon Bexheti. Ai thotë se ky korridor më shumë do të përdoret nga etnitë tjera se sa nga shqiptarët dhe këta reagime nuk mund të kuptohen.

    “Ju e dini se të gjitha partitë politike në programet e tyre korridorin 8 e kanë me prioritet të njëjtë sikurse edhe korridorin 10. Pra është korridori lindje perëndim krahasimisht me korridorin veri jug, korridori tetë është në hartën e korridoreve panevropiane që koincidon në kohën kur kam qenë Ministër i Transportit në vitin 1997/98, është futur në korridorin me prioritet Pan Evropian. Fatkeqësisht edhe pse ka qenë prioritet me korridorin 10 Veri -Jug, ai shumë pak është realizuar, ose aspak, përveç pjesës së korridorit që përfshinë auto rrugën Shkup-Tetovë, kurse pjesa tjetër Kërçovë-Ohër, që është në ndërtim, është me shumë neglizhime më se të mëdha, në vend se reagimet të ishin se pse nuk është përfunduar ajo pjesë tani bëhen reagime për një pjesë tjetër të korridorit që është gjithaq i nevojshëm, për gjithë vendin, për tërë popullatën,sepse nëse e marrim në baza etnike, pothuajse në frekuencë ai përdoret më shumë nga pala jo shqiptare se sa nga shqiptarët dhe është I pakuptueshëm gjithë ky frustacion. Unë mund të kuptoj hezitime, apo kritikat janë me vend në aspektin organizativ, qasjes por edhe ndoshta jo transparencës deri në fund dhe specifikës që është bërë me ligjin për investime strategjike”, shprehet akademiku Bexheti.

    Ndërkaq, të pakuptueshme janë edhe frustacionet dhe hamendjet ndaj realizuesit të këtij korridori që janë dëshmuar në ndërtimin e më shumë autostradave në rajon dhe më gjerë, shprehet akademiku Bexheti.

    “Por, të kemi hamendje, për një zbatues të këtij korridori siç është Behtel Enka, që është dëshmuar në të gjitha nivelet në Evropës qendrore dhe Evropës Juglindore dhe të mendohet se ata do të abuzojnë dhe neglizhojnë me këtë ndërtim është vetëm një frustacion i paarsyeshëm politik dhe jo ekonomik. Imagjinoni me gjithë këta investime që duhet të ndodhin në këta 4 apo 5 vite me rreth 220 deri në 250 milion euro të siguruara me mbështetje buxhetore çdo vit, në investime kapitale, me multiplikim dhe shumëzim të efektit ekonomik pritet që të ndikojë vetëm ky korridor me rritje ekonomike për 1.5 për qind në vit dhe të jesh kundër këtij korridori është vërtet absurde dhe e pakuptueshme”, thotë ai. Për Akademikun Abdylmenaf bexheti, propozimi që të prishet kontrata është propozim joreal, sepse para kësaj, do të duhej që të propozohej prishja e kontratës për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. “Të ishte bërë një propozim për shkëputjen e asaj kontrate, e cila e dijmë se si është bërë, pra nga përgjimet e dimë se në çfarë rrethanash është përzgjedhur realizuesi I asaj autostrade, dhe tani në emër të saj të shpërthejnë gjitha ato frustacione kundër këtij korridori është vërtet e pakuptueshme, ekonomikisht e pakuptueshme por edhe politikisht assesi, sepse është një dyfytyrësi në paraqitjet publike, kur të gjitha ato parti e kanë prioritet të barabartë, aty ku e gjeni korridorin dhjetë aty e gjeni edhe korridorin tetë. Në programet e tyre e kanë si prioritet kurse deklarativisht janë kundër, pra motivet mund të jenë se pse këto e jo ne. Të prishet kontrata, të mos e ndërtojnë këta dhe ta ndërtojmë ne”, tha Bexheti.

    Korridori 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 km përmes një autostrade me 6 korsi që do të lidhë Tetovën me Gostivarin, Kërçovën, Strugën e deri në Qafë Thanë, kurse Korridori 10-D do të lidh Prilepin dhe Manastirin dhe si projekt shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, derisa periudha e realizimit të projektit është 6 vite nga fillimi i punimeve. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Mitet për ushqimin e konservuar

    Lajmi i rradhës

    KURSIME, INVESTIME DHE BORXHE | Energjia elektrike në vitin e kaluar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë