ShAShShA: të hiqet nga përdorimi libri i Historisë me 13 simbole fetare

    Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art ka reaguar për përmbajtjen e librit të Historisë për klasën e shtatë të shkollës fillore. Nga kjo akademi kërkuan tërheqjen e menjëhershme të këtij libri nga përdorimi. Libri është botim i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), me autor Dimitar Dimeski, botuar në vitin 2024. Ky libër nuk është në përputhje me parimet e ndarjes së institucioneve fetare nga shteti siç e përshkruan edhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, Amendamenti VII. Po ashtu, sipas Nenit 11 të Ligjit për Arsimin Fillor, në shkollat fillore ndalohet veprimtaria politike dhe fetare, si dhe shfaqja e simboleve partiake dhe fetare, reagojnë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art.

    “Kopertina ka 13 simbole fetare dhe nga ana tjetër – ka dy zaptues. Ka Karlin e Madh, që nëse kërkojmë në internet, do të shohim se dy të tretat e fotografive të tij janë pa simbole fetare kurse këtu është vendosur me simbole fetare. Ka edhe ‘Car Dushanin’ që dyshohet se ka vrarë vëllain e vet për pushtet. Një skandal që ne si Akademi jemi të zhgënjyer nga prindërit, nga arsimtarët shqiptarë, nga partitë politike, nga politikanët shqiptarë, fëmijët e të cilëve mësojnë me këto libra dhe sillen sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Librat shkollorë, nxënësit duhet t’i orientojnë nga shkenca, nga e vërteta, jo nga simbolet fetare”, tha Hasan Jashari nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art.

    Në ndërkohë, me reagim ka dalur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Në reagimin e tyre thuhet se ky libër përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend.

    “Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti. Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë. Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të. Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit. Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë”, qëndron në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim.

    Nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art kërkojnë që të përgatiten tekste shkollore me vlera shkencore. Më tej, nga kjo shoqatë kanë bërë të ditur se do të përgatitet material lidhur me këto lëshime dhe do të informohen edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, edhe byroja, edhe misionet diplomatike në vend.

    Lajmi Paraprak

    Sela: në Frontin Europian nuk ka akoma marrëveshje për zgjedhjet lokale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë