ShBA-ja paralajmëron qytetarët e saj për alarmet me bomba në Maqedoninë e Veriut

    Ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet masive në vend gjatë periudhës së festave. Në njoftim thonë se është e mundur të ketë shtim të kriminalitetit, por kujtojnë se në Shkup janë bërë më të shpeshta raportimet për bomba në shkolla, qendra tregtare, stacione transporti dhe vende të tjera. Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale të sigurisë në rast të ndonjë kërcënimi me bombë.

    Mirëpo, ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, thotë se nuk ka asnjë kërcënim real për sigurinë e vendit, ndonëse duhet të punohet seriozisht për zbulimin e rasteve të alarmeve të rreme për bomba. Sipas saj, synimi është të shkaktohet panik tek popullata dhe mosbesim në institucione.

    “Një nga supozimet, që as unë nuk e përjashtoj, është qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me konfliktin në Ukrainë, pra qëndrimi i qartë në anën e drejtësisë në vend. Megjithatë, kur sheh se qëllimi kryesor është destabilizimi psikologjik apo ndikimi negativ tek qytetarët, të gjitha supozimet janë të hapura”, deklaroi Sllavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes.

    Dekani i Fakultetit Filozofik, Ratko Duev, në mënyrë indirekte i ka lidhur raportimet e rreme për bomba me qëndrimin e shtetit ndaj Ukrainës. Ai thotë se qëllimi përfundimtar është futja e pasigurisë, por edhe thellimi i krizës ekonomike.

    “Sado që të jetë e aftë një strukturë politike, sado rezultate ekonomike të ketë, nëse qytetarët nuk ndihen të sigurt, atëherë nuk kemi bërë pothuajse asgjë. Ajo që po na ndodh sot, në kushtet e një lufte hibride, paralajmërimet për bomba është vazhdimësi e presionit për të ndezur më tej krizën ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Ratko Duev – profesor universitar.

    Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se raportimet e rreme janë pjesë e sulmeve kibernetike që rezultuan nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tetova mezi pret që sa më shpejt të fillojë ndërtimin e stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza

    Lajmi i rradhës

    Shkatërrohen plazhet e braktisura në Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë