Shembulli që na jep për atë se si ruhet maqedonishtja

    Mbrojtja dhe promovimi i gjuhës maqedonase vazhdojnë të jenë në majë të prioriteteve institucionale. Projekte promovimi, të mbrojtjes dhe avancimit të maqedonishtes e çojnë këtë të fundit në nivele të tjera. Një prej tyre është digjitalizimi i pesë milionë fletëve me dorëshkrime që datojnë nga shekujt XIV-XV në kartotekat e Institutit “Kërste Misirkov” që ka përfunduar të mërkurën.

    Projekti i nisur në gusht në vitit 2021, në partneritet mes Fondit të Inovacioneve, ministrive të Kulturës dhe Arsimit është mbyllur në ceremoninë e organizuar të mërkurën në Institut. I cilësuar si patriotik dhe çelës i identitetit kulturor të një populli (me kosto 14 milionë denarë), ky projekt pas rangimit me urgjencë si prioritet i lartë nga Qeveria, mundësoi për një periudhë të shkurtër digjitalizimin e dorëshkrimeve, të mbledhura me dekada në terren.

    “Projekti është një ndërmarrje e mundimshme, por jashtëzakonisht e rëndësishme, atdhedashuri e manifestuar me vepra. Ne treguam me vepra se çfarë do të thotë të mbrosh gjuhën dhe historinë maqedonase, të mbrosh identitetin maqedonas dhe ta ruajmë këtë pasuri gjuhësore dhe shpirtërore për gjeneratat e ardhshme”, tha ministrja e Kulturës, Bisera Konstadinovska Stojçevska. Edhe kreu i Qeverisë Dimitar Kovaçevski u shpreh se trashëgimia kulturore e gjuhës maqedonase është një amanet me të cilin duhet të krenohemi.

    “Vetëm përmes edukimit dhe ruajtjes së gjuhës sonë dhe përmbajtjes së saj origjinale do të mund të ruajmë identitetin tonë, për të cilin kanë luftuar brezat para nesh, që na është lënë si betim se nuk duhet të heqim dorë”, tha kryeministri. Një ditë më parë Qeveria në seancën e 119 miratoi projektin për shndërrimin e shkollës “Dimitar Vllahov” në Lubojno në një Qendër të promovimit të gjuhës maqedonase, duke angazhuar Ministrinë e Kulturës që të merret me aktivitetet për adaptimin e godinës. “Duke marrë parasysh vlerat e shkollës së vjetër “Dimitar Vlahov” në fshatin Lubojno, institucioni kompetent Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Manastir, siç njofton Ministria e Kulturës, nis procedurë për rindërtimin dhe rivitalizimin si qendër për promovimin e gjuhës maqedonase”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Nga ana tjetër, mbrojtja dhe avancimi i gjuhës shqipe është lënë në margjinat e kujdesit institucional. Pakti i heshtjes për shqipen, abuzimin zbatimin dhe formën e përdorimit është vendosur prej kohësh nga institucionet që janë themeluar për mbrojtjen e kësaj trashëgimie jomateriale. Po t’i referohesh Raporteve për zbatimin e gjuhës, si atyre Agjencisë për zbatimin e gjuhëve – që nga Qeveria, kryeministri, ministrat…, mes tyre edhe ato shqiptarë, madje edhe institucioni që miraton ligjet – Parlamenti, vazhdojnë të shkelin në flagrancë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

    Shkeljet nuk sanksionohen, së bashku me ato edhe përmbajtjet në gjuhën shqipe, si në dokumentet zyrtare, pano…, e të tjerë, gabimet drejtshkrimore me të cilat shkruhet. Inspektorati i themeluar për këtë qëllim nuk ka dhënë asnjë dënim, ndërsa sipas Raportit të AZGJ konstatohet se 88 institucione as që kanë parashikuar formë organizative për përkthim dhe lekturim nga gjuha shqipe në sistematizimin e vendeve të punës, të tjerë nuk kanë siguruar fonde për përkthyes dhe lektorë nga gjuha shqipe për vitin 2021. Pezull ka mbetur edhe çështja e pajisjes me licencë për lektorët e gjuhës shqipe, problem që po trashëgohet prej vitesh, pavarësisht ndryshimit të ligjeve për gjuhët. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Banorët në veri: “Gjithçka është shkatërruar”

    Lajmi i rradhës

    Çaji i Sherebelës dhe Hithrës kundër alergjive të stinës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë