Shëndetësia në RMV e ‘sëmurë’!

    Fokusi im si ministër i Shëndetësisë do të jetë që sistemi shëndetësor të jetë i aksesueshëm, efikas dhe i përmbushur ndaj nevojave të të gjithë qytetarëve, ishte deklarata e Mexhitit në shkurt të këtij viti kur edhe e morri drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Por nëse shikohet gjendja në terren vërehet se viti 2023 për shëndetësinë është vit i skandaleve, duke filluar nga problemet me furnizime me barna në barnatore, mungesa e insulinës, mungesa e ilaçit “Trikafta”, protestat e punonjësve shëndetësor, vdekjet e dyshimta të fëmijëve, skandali në onkologji, skandali në spitalin gjinekologjik të Tetovës, hulumtimi i IRL-së për “Gjakun e papastër”.

    Bazuar në këto skandale vërejmë se shëndetësia në Maqedoninë e Veriut shërben vetëm për shërimin e marrëdhënieve të lëkundura ndërpartiake, e për këtë u shfrytëzua edhe fati i keq i Bllagojçes, i riu i cili vdiq derisa e priste ilaçin “Trikafta”, për të cilin Mexhiti në fillim të vitit deklaroi se ka arritur dhe se problemi më i madh i këtyre qytetarëve është zgjidhur.

    “Pacientët janë fokusi i punës tonë dhe ne vazhdojmë përpjekjet tona në këtë drejtim”, tha ai derisa njoftoi se ilaçin do ta pranojnë vetëm pacientët në gjendje më kritike. Menjëherë pas tij reagoi Igor Pehçevski, i pari që e publikoi emrin e ilaçit nga spitalit. “Derisa nuk e publikova transparentin nga krevati i spitalit askush nuk e dinte se çka është Fibroza Cistike dhe as “trikafta”, ndërsa tani që ilaçi është këtu “UNË NUK E KAM MARRË”” shkroi Pehçevski i cili tha se u kërcënua nga mjekja se nëse vijnë gazetarë dhe ai jep deklarata, nuk do të ketë vend në spital.

    Pas këtyre rasteve kulmuan protestat nga ana e pacientëve me Fibrozë Cistike, të cilët para Ministrisë së Financave kërkuan sigurimin e buxhetit për të gjithë pacientët, pasi sipas tyre sëmundja është e paparashikueshme dhe nga një fazë e lehtë mund të kalojë në një fazë të rëndë, derisa kryeministri Kovaçevski shfajësohej nga përgjegjësia duke thënë se listën e personave që do ta pranojnë “Trikaftën” e bëjnë klinikat.

    Skandali në spitalin gjinekologjik në Tetovë kur anesteziologu filmonte nënat në sallën e lindjes u dok sikur ishte më i rëndi që mund të ndodhte, dhe derisa opinioni po qetësohej nga këto raste dhe skandali me anesteziologun “Tiktoker”, nga MPB njoftuan se po kryejnë një aksion në Klinikën e Onkologjisë, pas çka jo zyrtarisht u mësua se bëhej fjalë për vjedhjen e barnave të shtrenjta, që në vend se t’u jepen pacientëve janë shitur në tregun e zi. Reagime për këtë rast erdhën nga gjithë liderët politik si dhe nga Presidenti, i cili theksoi se asnjëherë nuk bëhemi shoqëri evropiane derisa kemi raste të stërzgjatura gjyqësore.

    “Në vend që të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë për personat të cilët përballen me diagnozën më të rëndë, sistemi shëndetësor ka dështuar dukshëm”, deklaroi Pendarovski.

    Nga ana tjetër, kryeministri tha se falje nuk do të ketë për askënd qoftë ai nga BDI, LSDM, apo VMRO-DPMNE. Rastin e komentoi edhe ministri i MPB-së Oliver Spasovski, i cili njoftonte se numri i personave nën hetim është i madh dhe nuk mund të del me shifra.

    “Fajtorët kanë emër dhe mbiemër dhe ata duhet të përcaktohen. Nuk do të ketë asnjë lloj tolerance për këtë lloj të krimit”, theksoi Spasovski asaj kohe.

    Nga Prokuroria njoftonin se po hetohen personat dhe provat e grumbulluara, pacientë e familjarë të tyre kishin dal në rrugë për të protestuar. Ata përgjegjësinë penale e kërkonin nga ish-ministra dhe ministri aktual, pasi siç thoshin, nuk mund që përgjegjësi të kërkojnë nga eshaloni i ulët në Onkologji.

    Ndërkohë, ministri Mexhiti deklaronte se ai dhe dikasteri që ai drejton do të bashkëpunojë me organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Së bashku të kontribuojmë në grumbullimin e informacioneve”, theksoi Mexhiti.

    Për këtë rast u mbajtën protesta të shumta ndërsa Prokuroria ngriti kallëzim penal ndaj një infermiere si e dyshuar për “përvetësim” të një numri të madh të ampulave, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme. Ndërkohë, përveç numrit të lartë të mjekëve që po e lëshojnë vendin, paralajmërimet se nëse nuk do të ketë rritje të pagave do të ketë protesta të punonjësve shëndetësor po vazhdojnë ende. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Alternativa: Drin Ahmeti së bashku me Ali Ahmetin janë sinonim të krimit dhe korrupsionit

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut, e katërta në rajon me korrupsion (TABELA)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë