Shfuqizimi i “balancuesit” zhbalancoi raportet ndëretnike

    Shfuqizimi i “balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese në muajin tetor ndikoi në ashpërsimin e retorikës nacionaliste dhe nxiti gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale.

    Figura politike por edhe aktivistë e qytetarë hodhën vrer mbi mekanizmin që balanconte përfaqësimin e bashkësive etnike gjatë punësimeve në administratë.

    “Kemi palën maqedonase që akuzon shqiptarët se gjoja përmes balancuesit ata e kanë bërë shtetin të tyre, se punësohen njerëz që janë të paaftë, me këtë shqiptarizohet Maqedonia…Mirëpo, kemi gjuhë të urrejtjes edhe brenda etnike në baza politike mes përfaqësuesve të opozitës dhe pushtetit, në fakt mes simpatizuesve të opozitës dhe pushtetit të cilët bëjnë akuza të ndërsjella për tradhti, kush është patriot e kush është tradhtar, kush është më shqiptar ose maqedonas se tjetri. Kjo gjuhë e urrejtjes në kontekst politik e rrezikon kohezionin shoqëror në Maqedoninë e Veriut”, tha Petrit Saraçini, Instituti për Media dhe Analitikë.

    Por, sipas analizave të Qendrës për Menaxhim me Ndryshime, problemi me mungesën e cilësisë në administratë nuk është si rezultat i punësimeve në baza etnike, por për shkak të punësimeve partiake.

    “Nuk do të mund të them, në asnjë mënyrë se cilësia e administratës varet nga ajo nëse janë punësuar bashkëqytetarët shqiptarë ose të cilës do bashkësie etnike dhe se nga kjo varet cilësia ose mungesa e cilësisë në sektorin publik. Cilësia e sektorit publik në masë të madhe varet nga cilësia e arsimit tonë, nga cilësia e kompetencave të njerëzve që punojnë në sektorin publik, motivimit të tyre, dëshirës tyre për të punuar për interesin publik dhe të japin më shumë nga vetja në përmbushjen e programeve të shtetit dhe në sigurimin e kushteve dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”, u shpreh Neda Maleska Saçmaroska, Qendra për Menaxhim me Ndryshime.

    “Balancuesi” nuk është çështja e vetme që elektrizoi raportet ndëretnike, sipas Komitetit të Helsinkit, gjuhë e urrejtjes në baza kombëtare e etnike mbizotëron gjatë tërë vitit.

    “Këto dy kategori në mënyrë standarde përgjatë viteve janë në nivelin më të lartë kur bëhet fjalë për gjuhë të urrejtjes….Çështja e gjuhës së urrejtjes në çdo shoqëri veçanërisht në ato shumëetnike dhe shumëkonfesionale, shumëkulturore është çështje që padyshim ndikon në jetën e përditshme dhe jo vetëm të njerëzve që në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të prekur ose të rrezikuar me atë gjuhë të urrejtjes por, në marrëdhëniet e përgjithshme në atë shoqëri në ndërtimin e një atmosfere ku njerëzit nuk ndihen komod të jenë ajo që janë”, theksoi Neda Zdraveva, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

    Sipas Saraçinit, mediat sidomos në faqet e tyre në rrjetet sociale duhet të moderojnë diskutimet dhe të mos lejojnë që gjuha e urrejtjes të përhapet përmes faqeve të tyre, nga përdoruesit apo nga komentuesit. Zdraveva nga ana tjetër iu bën thirrje Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Agjencisë për Media që të përforcojnë aktivitetet e tyre në parandalimin dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Sidomos nëse kihen parasysh të dhënat shqetësuese të Komitetit të Helsinkit, se 91% e incidenteve të regjistruara ndodhin në bazë të përkatësisë etnike. Gjuha e urrejtës në bazë etnike ka mbërritur kulmin sidomos në rastet e nxitura nga politika sikurse ngjarjet në Kalanë e Shkupit në vitin 2012, Projekti “Shkupi 2014”, kryqi në Butel, rrahjet në autobusë, protestat në Gjorçe Petrov, ngjarjet lidhur me kishën në Gallatë të Gostivarit, gjatë ndeshjeve të futbollit, miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit të shtetit etj.

    Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit “Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0 – Agjenda e re”/Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ibrahimi: gjuha shqipe nuk është zyrtare

    Lajmi i rradhës

    500 euro pagë minimale sipas OEMVP / Qari te të pasurit, dëmi përsëri te të varfërit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë