Rriten arbitrazhet kundër Maqedonisë

    Vlera totale e procedurës së arbitrazhit që po zhvillohet kundër Maqedonisë së Veriut është 1.36 miliard euro. Mosmarrëveshja e fundit është nisur për shkak të ngecjes së projektit për ndërtimin e një hoteli në Shkup. Një kompani nga Shqipëria ka ngritur padi kundër Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 110 milionë dollarësh amerikanë para Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve (ICSID) për shkak të ngecjes së projektit për ndërtimin e hotelit dhe qendrës tregtare në kryeqytetin Shkup. Lajmi u raportua nga “Global Arbitration Review”, i cili thotë se një pretendim u regjistrua më 18 gusht nga Amadeus Group me qendër në Tiranë, i cili e përshkruan veten si një zhvillues tregtar dhe distributor kryesor i infrastrukturës së furnizimit me energji elektrike në të gjithë Ballkanin. Rasti është ngritur në bazë të marrëveshjes dypalëshe për investime ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

    Ky është mosmarrëveshja e fundit e arbitrazhit që është ngritur kundër vendit. Vlera totale e procedurës së arbitrazhit që aktualisht po zhvillohet kundër Maqedonisë së Veriut arrin në 1.36 miliardë euro, ku bëhet fjalë vetëm për bazën, pa kamatë, me të cilën shuma mund të rritet në mbi 1.5 miliardë euro. Të ardhurat janë pothuajse një e treta e buxhetit të vitit 2023, ose rreth tetë për qind e BPV-së.

    Profesori universitar Haris Muminoviç, për gazetën KOHA, ka deklaruar se nga pikëpamja ekonomike vendi dëmtohet shumë. Siç tha ai, Maqedonia është një vend i varfër kur marrim parasysh Bruto Prodhimin Vendor (BPV) dhe arbitrazhe të shumta mund ta dëmtojnë seriozisht buxhetin e vendit.

    “Vendi ynë po lufton me korrupsionin dhe një serë problematika tjera në gjyqësor dhe nga ana tjetër gjithashtu pretendon të jetë anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt. Por pyetja shtrohet se a është Maqedonia me të vërtet e gatshme për t’u bërë anëtare e BE-së. Si qeveria e tashme ashtu edhe ajo e kaluara kanë pasur beteja në arbitrazh. Kjo do të thotë se nuk kemi kapacitete të mjaftueshme njerëzore për ta luftuar korrupsionin dhe parregullsitë në kohë. Por edhe gjyqësor dhe prokurori të pavarur, pasi politika direkt apo indirekt ndikon në gjyqësorin tonë”, deklaroi Muminoviç

    Amadeus dhe filiali i tij në Maqedoninë e Veriut përfaqësohen nga avokati tregtar dhe bankieri i investimeve Bart Fischer dhe Gregory Ewing në Potomac Law Group në Uashington, si dhe Gjorgi Donovski nga Shkupi. Derisa shteti ende nuk ka caktuar një avokat mbrojtës.

    Pretendimi i referohet planit të ngecur të Amadeus për të ndërtuar një hotel dhe qendër tregtare në sheshin qendror në Shkup. Kompania thotë se fitoi një tender publik në vitin 2012 dhe mori lejet fillestare për projektin përpara se të përballej me kundërshtimin e Komunës, për të cilën pretendon se në mënyrë indirekte dhe direkt ka shpronësuar investimin e saj duke penguar grupin të nisë ndërtimin.

    Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka njoftuar muajin e kaluar se Qeveria po bën gjithçka për të mbrojtur interesin e shtetit dhe për të mos paguar asnjë qindarkë më shumë se sa është e nevojshme në bazë të kontesteve të arbitrazhit. Në këtë listë përfshihen mosmarrëveshjet e “Kuniko Resources” nga Holanda për “Fenny Industries”, më pas dy procese nga indiani “Binani” në lidhje me minierën “Zletovo”, të “Hellenic Petroleum” për “Okta”, procedimet e Blazho Tasev kundër shtetit për minierën “Sasa”, më pas ndaj disa investitorëve ukrainas në lidhje me minierën “Kazandol”, si dhe ndaj “Gamma Gooç” si dhe mosmarrëveshjen e italianit Te-To”. Kompania “Inso Systems” në lidhje me ndërtimin e Qendrës Klinike në kuadër të kompleksit “Nënë Tereza” në Shkup.

    Maqedonia e Veriut deri më tani ka fituar mosmarrëveshjen me kompaninë holandeze “Kuniko Resources”, e cila kërkoi 74 milionë dollarë dëmshpërblim për “procedurën e paligjshme të falimentimit të Fenit”. Kompania holandeze duhet t’i paguajë tre milionë dollarë studios ligjore që përfaqësonte S. Maqedoninë. I vetmi mosmarrëveshje arbitrazhi që vendi humbi është me “Hellenic Petroleum” për rafinerinë OKTA, për të cilën duhet t’i paguajë 21 milionë euro kompanisë greke. Aktualisht janë aktive disa mosmarrëveshje dhe pritet një vendim. Procedura e arbitrazhit është paralajmëruar edhe për minierat “Ilovica-Shtuka” në Strumiçko.

    Enti Shtetëror i Auditimit në një raport të auditimit për punën e Qeverisë në vitin 2021 gjithashtu theksoi se nëse Maqedonia humbet procedurën e nisur të arbitrazhit, do të duhet të paguajë më shumë se një miliard euro dëmshpërblim. Në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, kundër Maqedonisë së Veriut janë duke u zhvilluar pesë procedura të arbitrazhit, për të cilat janë paguar mjete për shërbime juridike në vlerë të përgjithshme prej 15.6 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush dhe si ndërhyn në formimin e Qeverisë në Mal të Zi?

    Lajmi i rradhës

    STRUKTURA E PAVOLITSHME! Të papunë dhe të pakualifikuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë