ShGM dhe SPGM dënon shënjestrimin dashakeq të Llatasit — ka shpërndarë akuza dhe konspiracione ndaj gazetarëve
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGM) dënojnë ashpër postimet e ish-kryeredaktorit të një televizioni kombëtar, Dragan Pavlloviq Llatas, i cili gjatë ditëve të fundit ka shënjestruar gazetarë nga disa media përmes një faqeje private në rrjetin social Facebook, duke keqpërdorur fotografi nga profilet e tyre private dhe duke i përdorur ato në postimet e tij, përcjell Nistori.
Ndër mediat e shënjestruara janë Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL), 360 gradë, BIRN Maqedoni, si dhe organizata të tjera që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në postimet e tij, Llatas shpërndan akuza të pabazuara dhe teori konspirative me synim diskreditimin e gazetarëve dhe mediave që informojnë në mënyrë profesionale për çështje të rëndësishme shoqërore. Kjo strategji e shënjestrimit dhe stigmatizimit publik të gazetarëve, të cilët janë vlerësuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për punën e tyre, në mandate të ndryshme qeveritare, përbën një sulm serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur në vend.
Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo retorikë jo vetëm që nxit gjuhën e urrejtjes, por gjithashtu çon në kërcënime serioze ndaj gazetarëve, ku gazetaret femra bëhen veçanërisht objekt i sulmeve seksiste dhe mizogjene në komentet nën postimet e Latasit. /Nistori/