ShGM miratoi Deklaratën për mbrojtjen e gazetarisë profesionale

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) më 26 qershor 2025 në Shkup mbajti kuvendin e saj të rregullt vjetor jozgjedhor, ku njëzëri u miratua Deklarata për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Gazetarisë Profesionale. Me këtë deklaratë, ShGM bëri thirrje publike ndaj aktorëve politikë, institucioneve dhe publikut për respektimin e lirisë së mediave dhe rolit të gazetarëve, përcjell Nistori.

    Dokumenti bën thirrje për përmbajtje nga fyerjet, diskualifikimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, kërkohet sigurimi i kushteve për punë të papenguar dhe të sigurt, dhe rikujtohet se çdo presion ndaj mediave përbën kërcënim për proceset demokratike. Vëmendje e veçantë i kushtohet zgjedhjeve lokale të ardhshme, ku SHGM bën apel që publiku ta kuptojë rëndësinë e gazetarisë së pavarur në kohë të ndjeshmërisë së shtuar politike.

    Kuvendi përfaqësonte mundësi për vlerësim kritik të aktiviteteve të realizuara dhe për përcaktimin e prioriteteve për periudhën e ardhshme. Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në fjalimin e tij theksoi:

    „Prioriteti ynë gjithmonë ka qenë dhe mbetet përmirësimi i kushteve të punës për gazetarët, sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale, përmirësimi i transparencës së politikave publike dhe mbështetja për gazetarinë e pavarur. Këto janë sfidat tona të përbashkëta që kërkojnë përkushtim të përbashkët, këmbëngulje dhe besim të ndërsjellë. Ju falënderoj për besimin dhe ju ftoj që së bashku të vazhdojmë të luftojmë për gazetari të dinjitetshme dhe të lirë.“

    Në kuadër të pjesës punuese të kuvendit u prezantuan edhe raportet për punën e organeve të SHGM-së për vitin 2024. Anëtarët e pranishëm shprehën mbështetje për forcimin e mëtejshëm të aktiviteteve të Shoqatës, veçanërisht në kontekstin e rritjes së presioneve dhe rreziqeve me të cilat përballet komuniteti gazetaresk.

    SHGM gjatë vitit të kaluar realizoi mbi 30 trajnime dhe ngjarje në Shkup dhe në qendrat rajonale, me mbi 450 pjesëmarrës. Temat përfshinë gazetarinë hulumtuese, etikën, sigurinë digjitale dhe inteligjencën artificiale në media. Me “Akademinë TAJM” dhe kampin veror për gazetarë të rinj, u sigurua mbështetje e vazhdueshme dhe motivim për gjeneratën e re të punonjësve të medias.

    Në vitin 2024 u raportuan katër sulme fizike ndaj gazetarëve, ndërsa SHGM siguroi ndihmë juridike falas në 66 raste dhe mbështetje psikologjike në 11 raste.

    U prezantua edhe Raporti Vjetor për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe Indeksi i sigurisë për vitin 2024, të përgatitur në kuadër të rrjetit rajonal SafeJournalists. Raporti tregon përparim të moderuar, por shënon edhe sfida të vazhdueshme – siç janë proceset gjyqësore të ngadalta, pasiguria ekonomike, autocensura dhe rritja e kërcënimeve online dhe padive SLAPP.

    Në kuvend u prezantuan edhe rezultatet e projektit “Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. U theksuan prioritetet strategjike të SHGM-së – solidariteti ndërmjet gazetarëve, mbështetja për të rinjtë, zhvillimi i seksioneve tematike dhe përmirësimi i mjedisit ligjor dhe mediatik përmes avokimit dhe fushatave.

    Anëtarët morën pjesë aktive në diskutim me propozime konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes në sektorin mediatik dhe rolin e gazetarëve në mbrojtjen e interesit publik. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kumbari 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë