Shifrat e përfaqësimit ‘pa’ dhe ‘me’ Balancerin

    Qeveria e RMV / Fotografia: Nistori

    Roli i balancuesit, mekanizmit aq shumë të përfolur në javët e kaluara, pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese, duket të jetë më relativ nga ai që pompohet në media. Pavarësia e Maqedonisë e gjeti përfaqësimin e komuniteteve në kushtet ku maqedonasit, edhe pse përbënin 65,3% të popullatës përfaqësoheshin me 85% në administratë, ndërsa shqiptarët që përbënin 21,7% të popullatës, përfaqësoheshin vetëm me 7%.

    Të dhënat dolën nga një botim i vitit ‘97 i autorëve Sllavko Millosavllevski dhe Mirçe Tomovski, bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe e Arsimit. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit caktoi përfaqësimin e drejtë, si një komponentë detyruese në kushtetutën e vendit, dhe nga viti 2004, me themelimin e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, u vendosen kornizat e para për mosdiskriminim të komuniteteve.

    Vetëm 12 vite më vonë, metodologjia e miratuar në vitin 2016 nga ky Sekretariat, bazohej në disa nene të dy ligjeve për të punësuarit në administratë. Megjithatë, kjo metodologji nuk do të përfshinte akoma përfaqësimin në personelin ushtarak dhe civil që shërbente në ushtri, polici, shërbime sekrete, polici financiare etj.

    Kjo metodologji, në fakt do të përbënte balancuesin, një instrument softuerik, që do të ishte porta kryesore nëpërmjet të cilës institucionet do të detyroheshin të kalonin planet vjetore të të punësuarve, me qëllim që të mbahej llogari për përfaqësimin etnik gjatë konkurseve. Në praktikë, kjo nënkuptonte që ky mjet të urdhëronte institucionin që për një pozitë të caktuar, të punësonte një kandidat i një etniteti të caktuar. Statistikat e Avokatit të Popullit, në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2022, tregojnë se përfaqësimi i shqiptarëve para miratimit dhe pas miratimit të balancuesit nuk ka ndonjë dallim të madh; para balancuesit shqiptarët në administratë ishin përfaqësuar me 19,2%, ndërsa pas balancuesit me 21,4% sot për sot.

    Të gjithë aktorët politikë kanë qenë të ndërgjegjshëm gjithsesi për manipulimet, por jo edhe për marxhinin e keqpërdorimeve. Në maj të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu pati deklaruar në Alsat se keqpërdorimi varionte diku deri në 0,5%.

    “Në fakt, nuk mund të themi sa janë reale. Realisht nuk e dimë dhe nuk ka metodologji e cila do të arrish në një analizë shumë të saktë. Në këtë aspekt, këto numra besoj që nuk janë numra që na japin saktësi të madhe. Megjithatë lartë-poshtë, aty duhet të qëndrojnë. Edhe keqpërdorimi besoj, dua të besoj se nuk është më shumë se sa le të themi 0,5% apo edhe më pak. Nuk besoj që kemi aq keqpërdorim në nivel masiv në shtet”, deklalroi Azir Aliu, ministër i MSHIA (18 maj 2023).

    Një prej arsyeve që çoi në debatin joformal nëse duhej apo jo të funksiononte ky mekanizëm ishte keqpërdorimi i përkatësisë etnike. Përmes pazareve politike, dhe me dijeninë e vetë partive, qytetarët ndërronin etninë e tyre nga maqedonas në shqiptar ose anasjelltas. Asnjë parti politike nuk e denonconte shkeljen, por vetëm mediat dhe Komisioni Anti-Korrupsion. Kjo ishte edhe arsyeja që ky mekanizëm, u kontestua para gjykatës kushtetuese, dhe u shfuqizua.

    Lajmi Paraprak

    Në Tetovë do të monitorohen me kamera pikat e grumbullimit të mbeturinave

    Lajmi i rradhës

    Partia në pushtet në Gjeorgji e përdor kartën e luftës në Ukrainë në fushatë zgjedhore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë