Antikorrupsioni: Këshilli Gjyqësor zhduku lëndën kundër Merkos

    Lënda e anti-korrupsionit kundër kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko ka humbur në labirintet e Këshillit Gjyqësor. Këtë konstatim e dha vetë Komisioni për parandalimin e korrupsionit të cilët ofruan dëshmi për atë se si u zhbë lënda kundër Merkos. Kryetarja e komisionit, Biljana Ivanovska ndau hollësitë e lëndës së hapur kundër Merkos dhe kreut të Gjykatës Themelore të Strugës i cili i mundësoi Merkos të vazhdojë procedurën për blerjen e veturës Audi A6 me vlerë prej 67 mijë euro.

    “Ata pranuan shkresën nga ne në nëntor të vitit 2019 dhe nuk na kthyen asnjë përgjigje edhe pse ligjërisht obligohen të na përgjigjen në afat prej 60 ditëve. Pastaj dërguam letër urgjence për të pyetur se çfarë ka ndodhur. Urgjenca është dërguar në shkurt të vitit 2021 dhe nga Këshilli Gjyqësor morëm përgjigje se në arkivin e tyre elektronik nuk ka një shkresë të tillë, ndërsa sa i përket veprimeve të gjykatës, vepra veçse është vjetërsuar pasi kanë kaluar 3 vjet nga sjellja e vendimit. Për këtë arsye neve e gjetëm lëndën dhe po dëshmojmë se kjo ka qenë e pranuar nga Këshilli Gjyqësor”, tha Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

    Por pse heshti anti-korrupsioni dhe nuk tregoi se Këshilli Gjyqësor ka humbur shkresën kundër Merkos? Ivanovska thotë se denoncimi i tanishëm nuk vjen si pasojë e frikës nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit pasi një gjë e tillë ishte publike që në vitin 2019.

    “Çfarë të ndërmarrim? Ne nuk kemi kompetencë të ndërmarrim hapa kundër Këshillit Gjyqësor. Ai është trup republikan i cili rregullon punën e gjykatave dhe të gjykatësve”, deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

    Javën që vjen Këshilli Gjyqësor në mbledhjen e radhës do të formojë Komision për kontroll në Gjykatën e Strugës. Akoma nuk dihet përbërja e komisionit, përveç se me të do të udhëheq koordinatori për mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Themelore në Strugë. Ramiz Merko aktualisht dyshohet për 6 lëndë për shpërdorim me detyrën zyrtare dhe mashtrim. Një pjesë e tyre janë në fazë hetimore ndërsa pjesa tjetër në fazë para hetimore. Bashkë me të dyshohen edhe persona të tjera. Njëra nga lëndët është ngritur mbi bazën e kallëzimit penal nga Policia Financiare, ndërsa lënda për eksproprijimin e tokës në Strugë udhëhiqet paralelisht edhe në Prokurori Themelore edhe në atë të Krimit të organizuar dhe korrupsionit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Edi Rama dhe Erion Veliaj rehabilitojnë kuislingun Mehdi Frashëri

    Lajmi i rradhës

    Ganiu: BDI-së i ka rënë sistemi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë