Pse ndiej mall për kohën para internetit, të cilën nuk e kam njohur kurrë?

    Nga: Isabel Brooks / The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Një video u bë virale në X, disa muaj më parë, dhe nuk mund të ndalem së shikuari. Është viti 2003: grupi që më vonë do të bëhej MGMT po performonte këngën e tyre Kids për bashkëmoshatarët e tyre – shumë vite përpara se të bëheshin një sensacion i muzikës pop – në një shesh të pluhurosur në Universitetin Ueslian në Konektikat. Rrjetet sociale ende nuk ekzistonin. Ka diçka në mënyrën se si duken dhe sillen njerëzit, si e zotërojnë hapësirën përreth tyre, që më prek në shpirt dhe më mbush me mall. Askush nuk është veshur në mënyrë të veçantë; kamera zmadhon pamjen pa qëndrueshmëri, duke kapur sikletin e turmës, shpatullat e përkulura dhe lëvizjet pa ritëm. Përtej pamjes që shohim, askush tjetër nuk duket se po filmon.

    Kur u xhirua kjo video, isha vetëm katër vjeçe – atëherë përse ndiej sikur kam humbur një botë të tërë kur e shoh? Një sondazh i kohëve të fundit sugjeron se nuk jam e vetmja – thuajse gjysma e të rinjve do të preferonin një botë pa internet. Në fakt, prisja që përqindja të ishte edhe më e lartë. Kjo nuk do të thotë se brezi im do të dëshironte vërtet të kthehej pas në gjithçka që ka ndodhur në dekadat e fundit, por është e qartë se ndiejmë se na mungon diçka që brezat më të vjetër e kanë pasur – dhe këtë ia atribuojmë internetit, ose të paktën formës së tij aktuale të dominuar nga rrjetet sociale.

    Çfarë saktësisht mendojmë se na mungon? Personalisht, supozoj se para epokës së internetit social, njerëzit silleshin në mënyra më autentike dhe më të veçanta. Rrjetet sociale i kanë përshpejtuar ciklet e trendëve, duke sjellë një uniformitet të çuditshëm në stile dhe personalitete: blejmë të njëjtat produkte, veshim të njëjtat rroba, sillemi njësoj, përdorim të njëjtat meme – madje edhe “e veçanta” apo sjellja më “unike” mund të përshkruhen si pjesë e një trendi.

    Gjithashtu, imagjinoj se, nëse nuk do të ishim gjatë gjithë kohës nën vëzhgim, miqësitë dhe ndërveprimet tona do të ishin më pak të komercializuara. Tani, kalimi i kohës me miqtë është një material që dokumentohet dhe i shfaqet një audience të panjohur.

    Jam e vetëdijshme se këto janë ndoshta iluzione të idealizuara, dhe gjithashtu kuptoj se i marr për të mirëqenë disa gjëra që vijnë nga një epokë e lidhjes së vazhdueshme. Të shfletoje disa libra apo enciklopedi për të gjetur diçka të dobishme, ose të rriteshe në një zonë të largët pa shumë lidhje me botën e jashtme, duhet të ketë qenë një përvojë kufizuese dhe mbytëse.

    Por, ndoshta pikërisht këto aspekte “negative” janë ato që, të rinjtë që kërkojnë shkëputje nga rrjeti, në të vërtetë i dëshirojnë – kemi ndjesinë se dikur kishte një vlerë, tashmë pothuajse të humbur në përpjekjen praktike të nevojshme për ndërveprim shoqëror, për të gjetur muzikë të mirë apo për t’u bërë pjesë e një subkulture. Jeta sot, në krahasim, duket e thjeshtuar, efikase, më “e përpunuar” – në një dukuri që shkrimtari Michael Harris e quan “humbja e mungesës”.

    Kohët e fundit, drejtori im i zyrës më tregoi teknologjinë që ai dhe miqtë e tij përdornin për të “parë” ndeshjen e futbollit: Ceefax. Rezultati i ndeshjes ngarkohej në ekranin e televizorit përmes ndryshimit të vetëm një shifre. Ata kalonin pasditen ulur në divan, duke pritur që ajo shifër të ndryshonte – ose jo. Ndjeva zili për këtë. Pse? Kur, në fakt, kjo është padyshim një përvojë që është përmirësuar në mënyrë eksponenciale. E, megjithatë, më magjeps ndjesia e misterit: nëse nuk po shikonin ndeshjen ose nuk po lexonin përditësimet, me çfarë po merreshin ata? Me çfarë po e ushqenin mendjen?

    Mbase realiteti është se thjesht po mërziteshin – një përvojë që sot është gjithnjë e më e rrallë në epokën e lidhjes së vazhdueshme. Të paktën, nëse mërziteshin, do të kishin zbavitur veten me burime të brendshme, jo të jashtme. Nuk ka rëndësi nëse kjo ishte vërtet kështu – pikërisht sepse kjo përvojë është e panjohshme, ajo bëhet aq tërheqëse për mua. Më përndjek ndjesia se koha që kalojmë në telefonat tanë na ka vjedhur diçka njerëzore dhe thelbësore nga jeta.

    Është e vërtetë, sigurisht, që çdo epokë ka përjetuar një krizë ndaj valës së re të teknologjisë që “shkatërron shpirtin e njeriut” – nëse nuk ishte interneti, ishte televizioni, apo radioja, apo shtypshkronja, madje edhe rrotullat me papirus – dhe nostalgjia është e zakonshme në çdo brez. Por, nuk besoj se ndonjë brez më parë ka qenë kaq i zhgënjyer nga vetë koha e tij, në numër kaq të madh, saqë do të dëshironte të fshinte tiparin më kryesor të saj. Ne ndiejmë mall për një botë që nuk mund të rikthehet. Siç tha Donald Trump: “Tani gjithçka është kompjuter”.

    Ironikisht, kjo nostalgji për një epokë para internetit ushqehet vetë nga interneti: makina më ofron vazhdimisht klipe nga e kaluara, pamje të të rinjve dekada më parë, ku gjithçka duket çuditërisht e lirshme dhe pa vëzhgim.

    Pra, vetë motori i kësaj nostalgjie është ajo që gjysma prej nesh dëshiron ta heqë qafe – pavarësisht se është një burim i jashtëzakonshëm, që ka mundësuar qasje të paprecedentë në muzikën e vjetër, në dije, në mënyra jetese – dhe që, për më tepër, ka natyrë demokratike, duke sfiduar mediat tradicionale në çështjet globale dhe duke vënë në pikëpyetje normat.

    Nëse ky sondazh është si një kanarinë në minierë [një paralajmërim i hershëm i rrezikut], çfarë duhet të bëjmë? Edhe pse e këndshme, besoj se nuk është zgjidhje të shohësh me emocion të kaluarën; as nuk është idealizimi i një “autenticiteti” të supozuar të saj. “Autenticiteti”, mendoj, është fuqia për të zgjedhur: të përfshihesh ose jo, të shfaqesh ose jo – kur të duash. Me fjalë të tjera: liria. Kështu që, kur bëhet fjalë për internetin, nëse shkëputja totale nuk është më e mundur, atëherë ndoshta fjalët e MGMT-së na vlejnë: kontrollo veten, merr vetëm atë që të duhet prej saj. 

    Lajmi Paraprak

    Sëmundjet e trashëguara dhe gjenetika

    Lajmi i rradhës

    “Tribunali i Gazës” njeh zyrtarisht veprimet e Izraelit si gjenocid ndaj palestinezëve

    Lajme tjera

    ZGJEDHJA E PRESIDENTIT

    Carlo Alberto Salustri – TrilussaPërktheu: Ndrekë Zalli Nji ditë të gjitha kafshët janë mbledhë(ato që puna shtypëse i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë